Revolucion në Formula 1, FIA kërkon rikthimin e motorëve V8 nga viti 2031
Formula 1 mund të përjetojë një nga ndryshimet më të mëdha të dekadave të fundit. FIA po shqyrton rikthimin e motorëve atmosferikë V8 nga viti 2031, si pjesë e një pakete të re rregulloresh që synon uljen e kostove, zvogëlimin e peshës së njëvendësheve dhe rikthimin e tingullit karakteristik të këtij sporti. Projekti mbështetet nga presidenti i FIA-s, Mohamed Ben Sulajem, dhe drejtuesi i Formula 1, Stefano Domenikali.

Sipas planit, motorët V8 do të shoqërohen me një sistem elektrik më të thjeshtë, duke i bërë makinat më të lehta, më ekonomike dhe më spektakolare në pistë. Një nga objektivat kryesorë është edhe kufizimi i ndikimit të prodhuesve të mëdhenj të motorëve mbi skuadrat kliente. FIA po shqyrton mundësinë që ekipet të përdorin motorë standardë të furnizuar nga një prodhues i pavarur, në mënyrë që të shmangen varësitë dhe presionet politike mes skuadrave.
Ben Sulajem ka deklaruar se askush nuk duhet të përdorë furnizimin me motorë për të ndikuar në vendimmarrjen e ekipeve, ndërsa Domenikali thekson se Formula 1 nuk mund të mbetet e varur plotësisht nga prodhuesit e mëdhenj. Ky projekt do të shënonte edhe rikthimin e modelit të dikurshëm të furnizuesve të pavarur, si “Cosworth”, të cilët u zhdukën me ardhjen e epokës turbo-hibride në vitin 2014.
Megjithëse rregulloret aktuale janë në fuqi deri në fund të vitit 2030, FIA synon të arrijë një marrëveshje me prodhuesit. Nëse sigurohet mbështetja e nevojshme, motorët V8 mund të rikthehen madje një vit më herët, në sezonin 2030. Kjo do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm drejt një Formula 1 më të lirë, më të pavarur dhe më spektakolare.
PANORAMASPORT.AL













