FORMULA 1/ Lëklerk ndryshon historinë dhe hesht kritikët: Nuk u bëra pilot i keq brenda natës
I njëjti presion që kishte shoqëruar Luis Hamiltonin gjatë sezonit të tij të parë me ngjyrat e kuqe, tashmë ishte zhvendosur në anën tjetër të bokseve të skuderisë Ferrari. Fillimi i sezonit për Sharl Lëklerkun kishte ngritur shumë pikëpyetje rreth formës së pilotit nga Monako.

Edhe pse Lëklerk ka pasur gjithmonë mbështetjen e Ferrarit, një skuadër që ka treguar përmirësim gradual gjatë pjesës së parë të sezonit të Formulës 1, kjo nuk i shmangu kritikat për rezultatet që ishin shumë larg pritshmërive të vendosura nga ekipi i Maranelos. Deri të dielën e kaluar në Çmimi e Madh të Britanisë, kur historia ndryshoi. Për disa momente dukej se do të ishte Luis Hamilton ai që do t’u dhuronte tifozëve të Ferrarit një tjetër gëzim në garën e shtëpisë. Por, Lëklerk arriti ta mposhtë shokun e skuadrës në kualifikuese të shtunën dhe më pas vulosi gjithçka në momentin më të rëndësishëm të fundjavës, në garë. Piloti monegask mori kryesimin pas një nisjeje të dobët nga Andrea Kimi Antoneli, i cili kishte startuar nga “pole position”.
Në një skenar normal, Lëklerk do të duhej të mbronte pozicionin ndaj italianit në xhirot e fundit, por një problem teknik në makinën Mercedes i hapi rrugën fitores së parë të vitit për pilotin e Ferrarit. “Më në fund!”, shpërtheu ai i lehtësuar përmes radios sapo kaloi vijën e finishit. “Kjo fitore më bën veçanërisht të lumtur. Do të doja që fundi të ishte më normal (duke iu referuar përfundimit pas makinës së sigurisë), por puna e palodhur dha rezultat. Kohët e këqija nuk zgjasin përgjithmonë”, kjo ishte përgjigjja e parë e një piloti që nuk kishte fituar një garë që prej asaj në SHBA në vitin 2024. Edhe pse mungesa e fitoreve nuk nënkuptonte mungesë podiumesh, Lëklerk ishte ngjitur në podium këtë sezon në Australi dhe Japoni, por mungesa e vendit të parë kishte kthyer presionin ndaj tij. Vetë piloti pranoi se kohët e fundit kishte ndjerë “shumë negativitet rreth vetes”.
PËRGJIGJIGJA NDAJ KRITIKAVE “Krijohen narrativa dhe nuk është kurrë një ambient i lehtë për të punuar. Por fakti që mbajta kokën ulur dhe vazhdova të punoja shumë, më solli këtë rezultat. Jam shumë krenar për të gjithë ekipin që më ka shtyrë përpara dhe më ka ndihmuar të rikthej ndjesinë e duhur me makinën”, u shpreh Lëklerk, duke iu referuar Ferrarit, ekipit që ka qenë gjithmonë zgjedhja e tij kryesore. “Përpiqem të mos e kontrolloj telefonin dhe të përqendrohem te gjërat që kanë rëndësi, duke pasur një pamje të qartë të situatës. Në këtë sport thuhen shumë gjëra dhe kalon nga hero në fajtor, ose nga fajtor në hero, brenda pak ditësh. Detyra ime ishte të injoroja atë zhurmë. E di që nuk u shndërrova në një pilot të keq brenda natës”, shtoi ai. Me këtë fitore, Lëklerk arriti të zbehë kritikat që e kishin shoqëruar, por nuk pretendon se problemet janë zhdukur.
“Kohët e fundit kam pasur shumë probleme me këtë makinë dhe nuk mund ta marr si të mirëqenë që tashmë i kam kaluar të gjitha. Do të vazhdoj të punoj dhe të përpiqem të rikthej këtë ndjesi sa më shpesh në të ardhmen. Nuk do të përqendrohem vetëm te fitoret, sepse ky do të ishte qasja e gabuar. Do të fokusohem te procesi, për të pasur ndjesitë më të mira dhe për të nxjerrë maksimumin nga kjo makinë”, u shpreh 28-vjeçari. Sipas Lëklerkut, kjo fitore është vetëm “hapi i parë”. Fitorja e monegaskut nuk është një revolucion për Ferrarin, por është një shtysë shumë e rëndësishme për një pilot që kishte nevojë të rikthente besimin, si te vetja, ashtu edhe te makina.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













