Klop vjen me një plan të qartë për Gjermaninë, trajneri flet për herë të parë për vizionin e tij te kombëtarja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2026 | 12:14

Klop vjen me një plan të qartë për Gjermaninë, trajneri flet për herë të parë për vizionin e tij te kombëtarja

Ndërsa tifozët e futbollit në të gjithë Gjermaninë presin me padurim emërimin e trajnerit të ri të kombëtares, Jurgen Klop ka dhënë një përditësim mbi situatën. Sipas kandidatit kryesor të Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), ende nuk është marrë asnjë vendim, megjithëse ai tashmë ka një plan të qartë në mendje, ku një rol të rëndësishëm do të kishte edhe Rudi Fëler.

klop

“Situata është e pazakontë, sepse ende nuk është vendosur asgjë,” tha 59 vjeçari, i cili vazhdon të jetë nën kontratë me Red Bull si Drejtor Global i Futbollit deri në vitin 2029. “Megjithatë, disa diskutime duhet të zhvillohen, pavarësisht se cili do të jetë rezultati përfundimtar.”

Të martën pasdite, drejtori sportiv Rudi Fëler bëri të ditur se dëshiron të vazhdoj në detyrën e tij edhe pas eliminimit të Gjermanisë nga Kupa e Botës dhe largimit të Julian Nagelsmanit. “Nga ana ime nuk do të kishte asnjë pengesë,” tha Klop për një bashkëpunim të mundshëm me Fëlerin, të cilin e konsideron një pjesë kyçe për ndërtimin e një kombëtareje të fortë për të ardhmen.“Nëse do të ndodhte që unë të bëhesha trajner i kombëtares, do të ishte jashtëzakonisht e dobishme të kisha pranë dikë që e njeh sistemin,” u shpreh Klop.

“Rudi ka jo vetëm përvojën e tij të madhe në futboll, por edhe shumë vite eksperiencë në federatë. Ndërsa unë nuk kam asnjë përvojë në këtë aspekt. Nuk kam luajtur dhe as nuk kam drejtuar ndonjëherë një kombëtare.” Me humor ai shtoi: “Kam luajtur vetëm dy herë me kombëtaren e studentëve, kështu që nuk jam plotësisht pa përvojë.” Klop pranoi gjithashtu se i duket “disi e çuditshme” të flas për një rol që ende nuk e mban, pasi aktualisht nuk është pjesë e DFB. Megjithatë, ai ka menduar se si do ta qaste detyrën nëse do të emërohej trajner i Gjermanisë. “Një gjë është ndeshja e radhës, ndërsa një tjetër është e ardhmja e gjithë ekipit,” tha Klop.

Ai theksoi se askush në Gjermani nuk duhet të mendoj se ai do të fokusohej vetëm te sfida e parë kundër Holandës. “Deri në atë ndeshje, puna do të ishte praktikisht e njëjtë,” u shpreh ai. Sipas Klop, nuk bëhet fjalë vetëm për rezultatet në fushë, por edhe për strukturën e futbollit gjerman. Megjithatë, ai pranoi se aktualisht nuk ka informacion të mjaftueshëm për të nxjerr përfundime.

KLAJDI BAJO-PANORAMASPORT.AL