EKSKLUZIVE/ Debati për titullin e vitit 1967, Karriqi: Jam i kuq, por e meritonte Tirana (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2022 | 22:05

EKSKLUZIVE/ Debati për titullin e vitit 1967, Karriqi: Jam i kuq, por e meritonte Tirana (E PLOTË)

Muharrem Karriqi, ish-futbollist i shquar kavajas që ka luajtur edhe me Partizanin, është i bindur se Tirana e meritonte titullin e vitit 1967. Pjesë e ekipit të Partizanit më 1967, Karriqi thotë se 17 Nëntori i asaj kohe ishte një skuadër e shkëlqyer dhe se dënimi ishte i ekzagjeruar pas derbit që bardheblutë e fituan 2-1 kundër të kuqve më 24 qershor të atij viti të largët. 

MUHARREM KARIQI 1

 

Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, ai është i sinqertë kur thotë se pas 55 vitesh është e vështirë të mbash mend gjithçka me detaje, por një gjë është e sigurt: “Ndodhën incidente të vogla për të dënuar dy klube aq të mëdha dhe për t’i hequr Tiranës një titull kampion”.

Më tej ish-mesfushori kavajas rrëfen edhe se si ishin raportet mes lojtarëve të skuadrave të kryeqytetit dhe debatin që pati me Fatmir Frashërin, ish-futbollistin dhe trajnerin e shquar. Biseda me Karriqin u bë nëpërmjet telefonit, sepse prej disa kohësh ai jeton në Itali.

Z.Karriqi, së fundmi ka pasur një debat për sezonin futbollistik 1967, kur Tirana dhe Partizani janë dënuar për një incident që ka ndodhur në dhomat e zhveshjes. Ju keni qenë në fushë në atë ndeshje. Çfarë mbani mend?

Miku im i dashur, që nga 1967-ta kanë kaluar shumë vite. Ne që kemi luajtur pak futboll me këmbë, se i kemi pasur të mira, me mend harrojmë shpejt se i kemi rënë topit me kokë… (qesh). Viti 1967 është shumë larg dhe nuk mund të pretendoj se mbaj mend gjithçka ka ndodhur, ndonëse unë kam luajtur vetë dhe e kam përjetuar atë ndeshje. Por nuk ndodhi ndonjë gjë e madhe…

Pati sherr apo jo në tunel?

Së pari, më duhet t’ju them se ato të dyja, 17 Nëntori dhe Partizani, ishin ekipe të mëdha që luftonin për një titull, por Tirana ishte më përpara nga ne, pra ishte më afër për të marrë titullin kampion. Unë mendoj se e meritonte. Sa mbaj mend unë, atje nuk ka pasur grushte e shkelma, sepse ishin njerëz të edukuar, njerëz që luanin futboll dhe nuk mund të ziheshin me grushte e shkelma.

Por, lojtarët rezervë që ishin në stol bënë fjalë me njëri-tjetrin. Ishte Bukoviku i madh, ishte i ndjeri Skënder Hyka, dhe debati nisi nëse “ishte gol apo nuk ishte gol” për Tiranën. Unë nuk jam në gjendje të them tani se kush kishte të drejtë sepse kjo është një çështje shumë e vjetër.

Ju si përfunduat te Partizani?

Unë atëherë kam qenë ushtar me Partizanin. Kam qenë 20-22 vjeç, ndërkohë që tani jam 77 vjeç. Besoj më kuptoni se përse nuk mund të flas me siguri.

Ndër ekipet e kryeqytetit, cili ishte më i fortë atë sezon?

Ishin skuadra jashtëzakonisht të mira. Ishin futbollistë njëri më i mirë se tjetri dhe unë pata fatin të luaja me Partizanin, me Panajot Panon dhe me figura të tjera të mëdha të futbollit. Por, mbaj mend që aty gjatë ndeshjes u bë një rrëmujë për një gol të Tiranës. Në stolin rezervë ishte dhe një tjetër miku im nga Kavaja, i madhi Gim Dizdari. Filluan llafet: “Jo hyri gol, jo s’hyri…”. Por, tifozët ishin më shumë ata që prishnin punë, jo ata që luanin, sepse lojtarët ishin të gjithë miq e shokë.

A pati trazira te tifozët?

Trazira të pakta. Nga ato të tipit: “Jo ti merr vesh, jo ti nuk merr vesh…”. Gjëra të tilla. Në atë kohë unë kam qenë 22 vjeç, ndërkohë që kishte futbollistë të tjerë më të mëdhenj se unë dhe nuk bënin kështu lojërash. Por mbaj mend që u bë rrëmujë atëherë. Por, nuk e kuptoj se ç’lidhje ka Dinamo në këtë mes

Ka reaguar për këtë ngjarje edhe Iljaz Çeço që ka qenë futbollist i Dinamos në atë kohë dhe u shpall kampion. Ai thotë që u zbatua rregullorja dhe nuk ishte dënim i qëllimshëm për t’i hequr titullin Tiranës. Ndërkohë që Bixh Bytyçi dhe Ben Bukoviku thonë që ajo punë u bë qëllimisht për të mos e lënë Tiranën të merrte titullin. Çfarë mendimi keni ju?

Unë kam luajtur me Partizanin dhe mbetem i Partizanit, por nuk mund t’i merrej ai titull Tiranës. Tirana e meritonte të shpallej kampione sepse kishte një skuadër të shkëlqyer. Për këtë të jeni të bindur. Tirana ishte pa diskutim kampione.

A mendoni se ishte i ekzagjeruar dënimi që iu dha të dyja skuadrave?

Trazirat nuk toleroheshin në atë kohë dhe ata që drejtonin, kërkuan t’i binin shkurt asaj pune dhe dhanë nga një dënim për të dyja ekipet… Duhet të kuptoni se Dinamo dhe Partizani ishin skuadra me ministra, nuk ishin si skuadrat e tjera. Ishin skuadra të privilegjuara. P.sh. Partizani ishte shumë më i privilegjuar sesa Tirana.

Pse?

Mbaj mend që njëherë kur do të luanim një ndeshje kundër Tiranës, ishim grumbulluar në Hotelin e Oficerëve dhe vijnë tironsit, sepse kishin vërtet shumë tifozë. Nuk ishte sporti si tani që s’merret vesh cili është klub i madh dhe është katandisur kampionati vetëm me 3-4 skuadra të traditës. Nejse, temë tjetër kjo… Po ju thosha se gjatë grumbullimit me Partizanin na erdhën rreth e qark hotelit shumë tifozë duke bërtitur: “Tiron-Tiron-Tiron”…

Edhe çfarë ndodhi më pas?

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të atëhershëm ishte vëllai i Petrit Dumes dhe i thotë Refik Resmes: “O Resme kush janë këta që bërtasin?” (i merrej pak goja atij). “Janë tifozët e Tiranës, – i thotë Resmja. – Bërtasin meqë do luhet ndeshja”. Ai (Dumja) dikujt i bëri një telefon dhe brenda dy orësh u ngrit gjithë Tirana me makina dhe i çuan në zbor. E mbaj mend mirë se ishim te Partizani i vjetër dhe të nesërmen do të luanim me Tiranën. Mbaj mend edhe batutat e Mihal Gjikës, të madhit të Elbasanit…

Çfarë batutash?

I pamë tifozët të hipur nëpër makina që po i çonin në zbor dhe ai u tha: “Hajt udha e mbarë, udha e mbarë…”. Ishim të rinj atëherë. U nxehën tironsit dhe shpërthyen me të shara.

Po ndeshja me Tiranën si doli ditën tjetër?

Kur erdhi puna te ndeshja, Tirana na mundi dhe ne nuk bëmë zë. Dua të them që ajo ngjarje më përforcoi edhe një herë bindjen se Partizani dhe Dinamo ishin klube shumë të fuqishme. Ndërsa sa i përket sezonit të vitit 1967, unë jam i bindur se Tirana e meritonte titullin.

Në intervistën e pak ditëve më parë për “Panorama Sport”, Bukoviku ju përmendte ju dhe Gjikën nga Elbasani, duke thënë se lojtarët e Tiranës kanë pasur miqësi me ata të Partizanit, ndërsa me ata të Dinamos nuk shkonin shumë…

E vërtetë është ajo që thotë Bukoviku i madh. Ne ishim dhe ende vazhdojmë të jemi miq. Madje, unë kur u sëmura me COVID-19 pak kohë më parë, kam qenë në Itali te vajza, por mua tiranasit më kanë ndihmuar shumë. Më ka ndihmuar edhe Sulejman Demollari me miqtë e vet. Ne futbollistët me njëri-tjetrin nuk kemi pasur ndonjë përplasje. Ne donim të luanim futboll dhe biletat shiteshin një javë apo dy javë përpara. Kur luante Tirana-Partizani, ishte gjë e madhe…

Po futbolli që luhet sot në Shqipëri, si ju duket?

Po pse, ka futboll Shqipëria? Unë jam kavajas, kavajas që kam marrë të gjithë titujt. Kur kam parë një ditë stadiumin e Kavajës, që nuk ka interes fare, por kishin hyrë në fushë 60 lopë dhe nja 30 dele, po më vjen turp ta them, por kam qarë. D.m.th., shihi cilat janë skuadrat. Tri-katër skuadra ka. Dinamo, Elbasani, Flamurtari, Skënderbeu, Apolonia, Lushnja, Tomori nuk janë. Janë shkatërruar skuadrat.

Collage Maker-01-Jul-2022-09.23-AM

Çfarë sporti ka Shqipëria? Ne kemi një kampionat shumë të dobët sepse klubet e traditës nuk janë më në elitën e futbollit. Mirëpo, sporti pa tifozë nuk vlen. Kjo që shohim këto vite është si puna e dasmës pa aheng. Nuk të jep asnjë emocion. Mendoj se do shumë, por shumë kohë ama që të vihet në vijë futbolli në Shqipëri. Të vihet ashtu siç është për t’u vënë, jo kështu. Unë, p.sh., mendoj se edhe trajneri i Kombëtares, që është italian, mendoj se nuk e bën punën më mirë se një trajner shqiptar.

Pse?

Po pse more, pak njerëz ka me shkollë për këtë punë në Shqipëri? E çfarë ka bërë ky më shumë sesa një shqiptar me ata lojtarë që ka në dispozicion? Nuk shkon kështu, që ne gjithçka e kërkojmë të na e zgjidhë bota. Jo, or jo, duhet të merremi me produktin vendës, që nga lojtarët e deri te trajnerët. Por, po nuk pati kampionat Shqipëria, nuk ka as ekip kombëtar. Të mos lodhen fare me të huaj.

Kur luhej dikur kampionati shqiptar, kishte qejf të shihje ndeshjet. Po tani çfarë të shohësh?! Në Kavajë shesin katundarët hallexhinj qumështin dhe po të hysh në muhabet se me cilin ekip luan Kavaja në fundjavë, ata nuk e dinë me kë luan. “Me Gramozin… Nuk e di ç‘të them…”. Qe fati ynë atëherë që luanim me 173 lekë, se ashtu ishte situata, por sot gjithë kjo Shqipëri nuk ka një ekip, që të mos luajë një ndeshje futbolli me nivel sikurse është luajtur më parë…! Keq, shumë keq… Sot në stadiume vijnë 5- 6 vetë dhe hanë fara luledielli e thonë: “Kush është ky që kapi topin?”, sepse nuk i njohin lojtarët. Jo kështu, jo kështu.

Z. Karriqi, sa vite luajtët ju me Partizanin?

Unë kam luajtur me Partizanin dy vjet në formacionin bazë. Dhe të them të drejtën Partizani donte që unë të vazhdoja të luaja për atë ekip, por ne në atë kohë kishim qejf të luanim për ekipin ku mësuam të luanim futbollin dhe unë konkretisht në Kavajë. Në Kavajë kam luajtur 14 vjet dhe mendoj se kemi bërë një futboll të bukur. Partizani e Dinamo ishin tjetër gjë. Nëse nëpër qytetet ku luanim ne merrje një “bojë”, te këto dy ekipe të jepnin atë shkëlqimin tjetër, sepse ishin skuadra të mëdha. Ishin skuadra që luanin një futboll, që unë sot nuk e kam parë ta luajë ndonjë skuadër shqiptare.

Mbani mend ndonjë diskutim me shokët, miqtë tuaj, qoftë dhe me ata të Tiranës, pas dënimit?

Ajo gjë brenda javës humbi, u mbyll si problem. Nuk na lejohej që të interesoheshim shumë… Por kam peng një përplasje me Fatmir Frashërin.

Pse?

Kemi pasur trajner Xhep Spahiun. Ai më thotë: “Rrem do të nxjerr ‘allë’ të majtë. Duhet të bllokosh Fatmir Frashërin sepse shtyn shumë përpara”. “Po, – i thashë, – luaj”.

Edhe çfarë ndodhi më pas?

Fatmiri ka qenë një nga mbrojtësit më të mëdhenj. Për mua s’ka pasur as Ballkani… Ka qenë një lojtar i jashtëzakonshëm, por edhe njeri shumë i mirë. E vërteta është që unë e mërzita me ca gjëra gjatë ndeshjes. Ai jo vetëm që s’doli asnjëherë, por edhe ne e fituam atë ndeshje. Dhe me thënë të drejtën më shau dhe unë ia ktheva një të sharë. Kur hymë në tunel, Besim Fagu që ishte shefi ynë, pas ndeshjes më tha: “Rrem Karriqi shko kërkoji falje Fatmirit”.

“Për çfarë t’i kërkoj falje, – i thashë, – nuk e preka. Unë jam nga Kavaja. Unë nuk i kërkoj falje, sepse kam një trajner dhe bëra atë çfarë kërkon ai”. “Do bëjmë analizë”, ma ktheu. “E di që unë largohem nga futbolli, – i thashë. – Ja ku e ke çantën dhe po iki”. E lashë aty dhe ika… Të nesërmen vjen Fatmiri te Partizani i vjetër. “Hajde Rrem Karriqi, – më tha, – do të pimë një kafe. Do më falësh, – më tha, – se kam bërë gabim dhe kam marrë vesh që ke dashur të largohesh…”.

E kishte fjalën për atë që më tha Fagu. “O Fatmir, të më falësh edhe mua, – ia ktheva, – por kështu e ka futbolli”. Pimë kafen bashkë dhe kaq ishte e gjitha. Kanë qenë njerëz të mirë. Këtë e dhashë si shembull për të treguar marrëdhënien e futbollistëve me njëri-tjetrin. Kur erdhi ndeshja e kthimit, unë ia hoqa topin sipër kokës dhe ai më tha: “Rremë do luajmë mirë”. Ramë në ujdi vetë (qesh). Kjo është e gjitha.

Z.Karriqi, çfarë keni fituar në karrierën tuaj?

Kam fituar respektin e kavajasve të mi. Kam fituar një respekt të jashtëzakonshëm, sepse unë kam pasur mundësi të rri në Tiranë, por unë nuk jam larguar nga Kavaja. Kam fituar simpatinë e kavajasve, që më njohin edhe sot. Ata janë ngritur në këmbë kur u sëmura nëpër spitale e kudo. Zoti i pari, por ata më kanë bërë një shërbim të jashtëzakonshëm. Kjo është ajo që kam fituar unë nga populli.

Pse e përmendni kaq shumë kavajasin tjetër, Gim Dizdari? Ishte më tepër impulsiv ai?

Gim Dizdari është tre vjet më i madh sesa unë dhe ishte me Partizanin në atë periudhë e më pas shkoi në Durrës. Aty filloi një muhabet i tipit: “Jo bëri gol, jo nuk bëri”, se e ngatërruan njëherë nëpër gazeta. Gimi ka qenë nga lojtarët më të mëdhenj që ka pasur Kavaja. Erdhi te Partizani, pastaj shkoi në Durrës, aty luajti, sepse ishte shumë e vështirë të luaje me Partizanin. Partizani dhe Dinamo merrnin ushtarë gjithandej, merrnin edhe kampionatin. Ndërsa Tirana nuk të falte kur kishte brezin të mirë.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari: Tirana ka 28 tituj, regjimi e vodhi më 1967-ën! (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari zbardh vendimin: Si ia vodhi regjimi Tiranës titullin më 1967

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari: Titulli i vitit 1967, disa variante për të vendosur drejtësi (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Polemikat për titullin e 1967-ës, Iljaz Çeço: Dinamos nuk ia heqin dot, Tiranën e mbështeste Komiteti i Partisë (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Debati për dënimin e Tiranës në 1967, Luigj Bytyçi: Ishte skenar! Çfarë më tha Jareci pas titullit (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Kampionati i vitit 1967, Bukoviku: Dënuan Tiranën dhe ia dhanë titullin thëngjijve të mbuluar të Dinamos! (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"