Ekonomia, qytetarët s’kanë besim, biznesi më optimist

Apr 16, 2017 | 10:26
SHPËRNDAJE

Qytetarët janë shfaqur pesimistë dhe nuk presin të bëjnë shpenzime për blerje të mëdha, ndërsa besimi i biznesit tek ekonomia është rritur sipas Bankës së Shqipërisë.

Këto janë rezultatet e vrojtimit të ndjesisë ekonomike gjatë 3-mujorit të parë të 2017-s. Sipas raportit, Banka e Shqipërisë vlerëson se treguesi i ndjesisë ekonomike vazhdoi prirjen rritëse, ku reflektoi përmirësimin e besimit të bizneseve, ndërsa besimi i konsumatorëve shënoi rënie të lehtë.

147083413710816_KLSH-BANKAT_15_16

Pavarësisht rezultatit, Banka e Shqipërisë vlerëson se niveli i ndjesisë ekonomike qëndron mbi mesataren historike, duke filluar nga tremujori i tretë i vitit 2016.

QYTETARËT

Besimi i qytetarëve tek ekonomia ka rënë me 0,4 për qind në 3 muajt e parë të 2017-s, sipas Bankës së Shqipërisë. Shkak i rënies së treguesit të besimit të konsumatorëve ishte rënia e balancës së shpenzimeve për blerje të mëdha.

Nga analiza u përcaktua se besimi i qytetarëve për blerje të mëdha ka rënë 4,4 për qind. Për sa i përket situatës së përgjithshme të ekonomisë, besimi është rritur 1 për qind, ndërsa besimi për të ardhurat dhe shpenzimet është rritur 0,9 për qind. Të njëjtën ecuri shfaqi edhe pritshmëria financiare e buxhetit familjar, që u rrit 0,8 për qind.

Në raport vlerësohet se edhe prirjet e konsumatorëve për kursim janë rritur, ndërsa besimi për situatën ekonomike ka rënë. Sipas grafikëve të Bankës së Shqipërisë, konsumatorët vlerësojnë se aktualisht papunësia ka rënë.

BIZNESI

Në muajt e parë të 2017-s, ndryshe nga qytetarët, biznesi u shfaq optimist. Besimi i biznesit është rritur në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në ndërtim treguesi i besimit u rrit me 5,9 për qind, i ndikuar nga rritja e kontratave porositëse me 10,9 për qind dhe përmirësimi i aktivitetit të sektorit u rrit me 1,1 për qind.

Për sa i takon balancës së gjendjes financiare, ajo rezultoi me rënie gjatë tremujorit në analizë. Në industri besimi i biznesit u rrit 4,3 për qind. Përmirë- simi erdhi nga zhvillimet pozitive të prodhimit industrial, të cilat u rritën me 14,8 për qind. Vlerësimet e bizneseve të industrisë për kontratat porositëse u përmirësuan gjithashtu në këtë tremujor, por në një masë më të vogël se balanca e prodhimit me 6.9 për qind.

Ndërkohë, balanca e gjendjes financiare të bizneseve rezultoi në përmirësim. Në sektorin e shërbimeve besimi i biznesit është përmirësuar me 1 për qind. Shkak i rritjes së treguesit të ndjesisë ekonomike në sektor i atribuohet ecurisë së biznesit dhe kërkesës, që shënuan rritje me përkatësisht 7,6 dhe 12,7 për qind.

Balanca e gjendjes financiare të bizneseve të këtij sektori rezultoi gjithashtu më e lartë gjatë tremujorit të parë, ndërkohë që balanca e lidhur me punë- simin shënoi rënie. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i besimit në sektorin e tregtisë shënoi rritje me 2 për qind.

Përmirësimi i treguesit u përcaktua nga rritja me 5,4 për qind e balancës së ecurisë së biznesit. Ndërkohë, ecuria e punësimit në tremujorin e ardhshëm shënoi rënie me 1,4 për qind krahasuar me një tremujor më parë. Bizneset e përfshira në aktivitetin tregtar raportojnë një përmirësim të balancës së gjendjes financiare. Ndërkohë, gjatë tremujorit në analizë balancat e punësimit dhe pritjeve për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm shënuan rënie.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura