“Duhet ta dimë se kush vjen në vendin tonë”, zyrtari britanik reagon pas akuzave: Do presim deri në 200 mijë ukrainas

Mar 9, 2022 | 11:17
SHPËRNDAJE

6b64d205-81f5-4e1f-8cbd-6ad03c67b88f

Sekretari i Transportit në Mbretërinë e Bashkuar Grant Shapps ka mohuar zërat se vendi i tij ka mbetur mbrapa shteteve të tjera kur bëhet fjalë për pranimin e refugjatëve ukrainas.

Shapps i tha BBC se 760 refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar deri tani duke mbetur prapa vendeve fqinje, duke përfshirë edhe Irlandën e cila deri më tani ka pritur 2000 persona.

Ai argumentoi se MB ka rritur ritmin me të cilin po merret me aplikimet për viza nga refugjatët ukrainas. “Ne duhet të dimë se kush po vjen në vendin tonë”, deklaroi ai.

Shapps shtoi se mbi 200 mijë persona mund të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes një skeme familjare që i lejon ukrainasit të bashkohen me të afërmit e tyre. “Ne e kemi zgjeruar këtë skemë, duke përfshirë edhe hallat dhe xhaxhallarët”, deklaroi ai.

Por në fund Shapps shtoi se vetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar që qytetarët e tij të qëndrojnë afër dhe të mos jenë të shpërndarë në të gjithë botën.

Që prej fillimit të luftës në Ukrainë dy javë më parë, dy milion qytetarë janë larguar nga Ukraina drejt shteteve të tjera, sipas shifrave të publikuara nga Kombet e Bashkuara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura