“Do arrestohej e dënohej si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut”, Qemal Lame i përgjigjet Rrapi Minos: Ti ishte njeriu “Yes”, i bindur verbërisht ndaj udhëheqjes. Mirë do ishte të reflektoje për prangosjet e…

Aug 17, 2020 | 15:36
SHPËRNDAJE

Ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, i përgjigjet ish-Kryeprokurorit të regjimit komunist, Rrapi Mino, se nuk ka pasur dijeni për ndjekjen që Sigurimi i Shtetit i bënte shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare.

Në një replikë të ashpër pas intervistës së Minos dhënë dje për gazetën “Panorama”, Qemal Lame akuzon Kryeprokurorin se ka qenë njeri i bindur dhe i verbër i urdhrave politikë të udhëheqjes së partisë dhe se bënte çfarë i kërkonte ministri i Brendshëm, veçanërisht për çështje që lidheshin me grupet armiqësore, që në Shqipëri nuk kanë munguar gjatë viteve të regjimit komunist.

qemal lame

“Ismail Kadare është ndjekur konkretisht nga agjentura e Sigurimit të Shtetit. Dosja në ngarkim të tij është asgjësuar sipas kritereve të Platformës së Punës Operative. Këtë dosje nuk kishte të drejtë dhe nuk kishte mundësi ta njihte asnjë prokuror dhe as vetë prokurori i përgjithshëm”, shprehet Lame.

Ai evidenton disa shkelje të rënda ligjore në aktivitetin e gjatë të ish-Kryeprokurorit, si firmosjen në të bardhë e vendimeve të arrestimit për krime kundër shtetit nga prokurori i përgjithshëm apo dhe firmosjen e vendimeve të arrestit, ashtu si ishin shkruar nga hetuesit, pa u bashkëngjitur provat dhe dokumentet e domosdoshme ligjore.

Ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, në librin e tij “Dritëhijet e kohës: Letërsia dhe arti në diktaturë. Përndjekja e Ismail Kadaresë”, tregon se ndaj shkrimtarit të njohur Sigurimi i Shtetit kishte nisur ndjekjen dhe përgatitjen e dosjes armiqësore. Në disa numra, gazeta “Panorama” ka trajtuar dëshminë e Lames në librin e tij, mbi të gjitha diskutimet e bëra të ish-kryehetuesit me kupolën e lartë të udhëheqjes komuniste, në lidhje me përcaktimin e Ismail Kadaresë si armik i partisë dhe i popullit.

Sipas tij, çdo gjë nisi pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut dhe shpalljes së tij poliagjent. Ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, i cili shërbeu në këtë post për 10 vjet, dëshmon se për shkrimtarin ishte përgatitur më e keqja: ekzekutimi.

Ishte vetë Enver Hoxha që i kishte artikuluar këto fjalë përpara tij, Ramiz Alisë dhe Hekuran Isait. “I është rritur shumë mendja. Të shkojë me të tjerët në qeli. Të hanë dhé! Të shkojnë në hale të gomerëve”, kishte thënë Enver Hoxha në një takim të 27 shtatorit 1982. Por ish-prokurori i përgjithshëm i regjimit komunist, Rrapi Mino, hedh poshtë pretendimet e Lames se Ismail Kadare ndiqej dhe se ishte përgatitur dosje si armik i popullit.

qemal lame kadare enveri

I kontaktuar nga “Panorama”, Mino thotë se në zyrën e tij, në atë periudhë për të cilën dëshmon Lame, nuk ka pasur asnjëherë një urdhërarrest për Ismail Kadarenë. Sakaq, ish-Kryeprokurori nuk përjashton faktin që Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit të posedonin materiale komprometuese për Ismail Kadarenë, por që nuk morën kurrë rrugën e procesit penal, atribut ky i institucionit të akuzës.

Rrapi Mino duke rrëfyer për “Panorama”
Rrapi Mino ne nje rrëfim për “Panorama”

I rezervuar për t’iu kthyer historive të kësaj natyre, Mino, përtej përgjigjeve telegrafike për gazetën, lë të kuptojë se Qemal Lame, ish-kreu i Hetuesisë së Përgjithshme, nuk është objektiv dhe i saktë në dëshmitë e tij, ndërkohë që shfaqet dyshues për takimet e këtij të fundit me Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë, me mendimin se për të tilla çështje delikate kishte të tjera mekanizma, ku peshën kryesore e luante Ministria e Brendshme.

QEMAL LAME

LIBRI “DRITËHIJET E KOHËS” BAZOHET NË DOKUMENTE

Në nderim të lexuesve dhe të gjithë opinionit publik, mendova të ritheksoj edhe një herë disa fakte për t’u kuptuar dhe reflektuar në disa mendime që u publikuan sot, më 05.08.2020, nga ish-Prokurori i Përgjithshëm, Rrapi Mino

Cilido që e lexon me kujdes librin, mëson të vërtetën për ndjekjen e Ismail Kadaresë, procedurën ligjore dhe agjenturore, aq sa ka qenë e mundur për t’u njohur, dokumentuar, nxjerrë përfundime dhe publikuar me përgjegjësi profesionale, etikë morale e qytetare. Monografia “Dritëhijet e kohës”, publikuar në qershor 2020, bazohet në dokumente origjinale të depozituara në Arkivin e Shtetit, në Arkivin e Komitetit Qendror të PPSH-së, në Hetuesinë e Përgjithshme etj., veprimtarinë me të cilën është përballur kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme dhe vendimet që kam marrë në zbatim të detyrës sipas Kushtetutës, Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale etj.

1. Ismail Kadare është ndjekur konkretisht nga agjentura e Sigurimit të Shtetit. Dosja në ngarkim të tij është asgjësuar sipas kritereve të Platformës së Punës Operative. Këtë dosje nuk kishte të drejtë dhe nuk kishte mundësi ta njihte asnjë prokuror dhe as vetë Prokurori i Përgjithshëm.Qemal-Lame-Kadare-dosja-arkivoli-Enveri

2. Ismail Kadare është ndjekur nga Sigurimi i Shtetit dhe nga grupi operativ e hetimor i komplotit të kryesuar nga Mehmet Shehu, me bashkëpunëtorë kryesorë Kadri Hazbiu, Feçorr Shehu etj. Këtë veprimtari e orientonte dhe e drejtonte konkretisht Enver Hoxha dhe Ramiz Alia. Nëpërmjet ministrit të Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, Enveri dhe, me porosinë e tij, Ramizi, caktonte detyra konkrete për veprimtarinë operative dhe hetimore. Këtë veprimtari nuk kishte mundësi ta njihte dhe as që mund të mendonte prokurori i përgjithshëm për t’u vënë në dijeni.

3. Ismail Kadare do të arrestohej dhe dënohej si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut. Arrestimi i tij bazohej në dokumentet hetimore dhe agjenturore. Këto dokumente nuk i ka njohur dhe nuk kishte mundësi që t’i njihte Prokurori i Përgjithshëm për vetë rregullat dhe praktikën që respektohej e që ishin në fuqi.

4. Çështje hetimore të veçantë në ngarkim të Ismail Kadaresë me emrin e tij nuk ka pasur dhe nuk kishte arsye të vendosej fillimi i çështjes penale në ngarkim të tij, sepse ai ndiqej si bashkëpunëtor në çështjen e komplotit. Ai ndiqej si bashkëpunëtor në çështjen e komplotit.

5. Prokurori i përgjithshëm nuk ka pasur dijeni as për procesverbalin e pyetjes së Fiqeret Shehur dhe implikimin që ajo i bënte konkretisht Ismail Kadaresë me akuzën e komplotistit si pjesëtar i komplotit. Në librin “Kur shembeshin themelet” dhe në librin “Dritëhijet e kohës”, dokumentohet e publikohet procesverbali i hartuar nga hetuesit Ferit Sula dhe Thoma Tutulani. Edhe i vetëm, ky dokument dëshmon dhe vërteton akuzën dhe vlerësohej si prova kryesore për arrestimin e shkrimtarit që hetohej në çështjen e komplotit, pa u hapur dosje tjetër e veçantë.

Këtë procedurë e njihte dhe e zbatonte verbërisht edhe Prokurori i Përgjithshëm. Do të ishte në dobi të së vërtetës dhe në nderim të opinionit publik që Prokurori i Përgjithshëm të reflektonte në qëndrimet e tij në detyrë për arrestimet pa kontroll për krimet kundër shtetit. Prokurori i Përgjithshëm ka dëshmuar qëndrimet e tij të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kodin Penal e Kodin e Procedurës Penale, në shumë drejtime:

Së pari, arrestime pa vendime me shkrim dhe dokumente për personat e komplotit. Ai është pajtuar me arrestimet e bëra nga Sigurimi i Shtetit dhe nuk ka reaguar sipas detyrës e ligjit për të ushtruar kontroll edhe kur është vënë në dijeni nga ministri i Punëve të Brendshme dhe punëtorët operativë e hetuesit.

Së dyti, firmosja në të bardhë e vendimeve të arrestimit për krime kundër shtetit nga Prokurori i Përgjithshëm.

Së treti, firmosja e vendimeve të arrestit, ashtu si ishin shkruar nga hetuesit, pa u bashkëngjitur provat dhe dokumentet e domosdoshme ligjore.

Vetë Prokurori i Përgjithshëm ka thyer heshtjen vitin e kaluar dhe ka deklaruar në intervistën për gazetën “Panorama”, se vendimet për krimet kundër shtetit i firmoste ashtu si vinin nga hetuesit e Sigurimit të Shtetit dhe të Drejtorisë së Hetuesisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Këtë qëndrim, ai është përpjekur ta mbulojë me sloganin me fjalët, se “kështu ishte praktika. Unë i firmosja vendimet e arrestimit ashtu si i paraqiste dorazi ose i dërgonte ministri i Punëve të Brendshme”.

Prokurori i Përgjithshëm njihej si njeriu i bindur verbërisht nga udhëheqja, “prokurori “Po”, shoku “Jes”, pranimin pa diskutim të porosive nga ministri i Punëve të Brendshme, kërkesave të drejtuesve e punëtorëve operativë të Sigurimit të Shtetit.

Ministria e Punëve të Brendshme vendoste për gjithçka.

Prokurori i Përgjithshëm nuk mbështeste mendimet që bëheshin nga elementët e rinj në sistemimin e drejtësisë për ndryshime në praktikën e kundërligjshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për arrestime në çështje që ndiqeshin me përparësi nga Sigurimi i Shtetit, pa prova dhe pa u krijuar besueshmëria në burimin e provave, thëniet e të pandehurve, dëshmitarëve, mospranimin si prova të dëshmive të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit etj.

Prokurori i Përgjithshëm nuk pyetej dhe nuk i merrej mendim më parë për krimet kundër shtetit. Prokurori i Përgjithshëm nuk kishte të drejtë të kontrollonte të pandehurit e arrestuar si komplotistë. Për rastet e ankesave të Kadri Hazbiut të dërguara Enver Hoxhës, ai ka shkuar dhe ka marrë takim me Kadriun, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme Hekuran Isai, me gjithë faktin se ai akuzohej konkretisht për ushtrim të dhunës fizike.

Prokurorët, gjyqtarët e hetuesit e njihnin faktin e bindjes së verbër të prokurorit të përgjithshëm. Për këtë vetë, ai mundi të qëndrojë për një kohë të gjatë në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Është e pamjaftueshme thënia e Prokurorit të Përgjithshëm se ai ka qenë një nëpunës i regjimit të mëparshëm dhe të shmanget nga përgjegjësia për veprimtarinë e tij të dënueshme për moszbatimin e detyrimeve kushtetuese e procedurale. Ai është dënuar dhe ka vuajtur dënimin për këto akuza.

Mendoj se do të ishte më e dobishme dhe më e ndershme që ish-Prokurori i Përgjithshëm, z. Rrapi Mino, jo vetëm të reflektojë e ketë guximin të kërkojë falje publike për veprimtarinë e tij shtetërore, por t’i shërbejë brezit të ardhshëm të punonjësve të drejtësisë që këto faje të mos përsëriten dhe të japë ndihmesën e tij për zhvillimin e reformimin e drejtësisë në kushtet e sistemit demokratik.

Rrëfimi ekskluziv i Rrapi Minos për “Panorama” në vitin 2017

“Në qeli të Kadri Hazbiut, me porosi të Enverit”

Rrapi Mino, ishprokurori i përgjithshëm, zyrtari i rëndësishëm i regjimit që drejtoi nga fillimi deri në fund procesin misterioz ndaj ish-shefit të Sigurimit të Shtetit dhe ministrit të Brendshëm më jetëgjatë, Kadri Hazbiut të dikurshëm, në rrëfimin e paradokohshëm për “Panoramën” zbulon një pjesë të mistereve të procesit të bujshëm, duke e risjellë historinë nga pozita e dëshmitarit të dorës së parë, që i ka ndjekur zhvillimet nga afër dhe ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e tyre…

Ju keni drejtuar nga fillimi në fund procesin ndaj Kadri Hazbiut. Ju kujtohet takimi i parë me të në qeli?

Për herë të parë në qelinë e Kadri Hazbiut kam shkuar me urdhër të Enver Hoxhës, disa ditë pasi ishte arrestuar. Në mos gaboj, kishin kaluar tri ditë nga arrestimi i tij. Lajmin për të shkuar aty ma dha Hekuran Isai, i cili në atë kohë ishte ministër i Brendshëm…

Pra, të dërgoi Hekuran Isai te Kadri Hazbiu?

Nuk më dërgoi Hekuran Isai, por ai më thirri në telefon: “Vjen pak këtej, – më tha. – Hajde, hajde, se kam një porosi”. Shkova. Një çast si mbërrita në zyrën e tij, më tha se kishte marrë një porosi nga Enveri për t’ia përcjellë Kadri Hazbiut në qeli.

Çfarë porosie kishte Enveri për Kadriun, kur kishte vetëm pak ditë që ishte përballur me të në mbledhjen e Byrosë?

Ishte një porosi e veçantë e tij. Bile, me udhëzimin që t’ia komunikonte prokurori i përgjithshëm. Kadriu i kishte bërë një letër nga burgu dhe Enveri, pasi e kishte lexuar, kishte bërë shënimin në krye të saj.

Çfarë shkruante në letër Kadriu?

Ai i shkruante Enverit se bëheshin veprime të paligjshme me të dënuarit në dhomat e izolimit. I shkruante se ata torturohen e detyrohen të bërtasin ditën dhe natën. Kështu si vazhdon kjo situatë, i thoshte, nuk dihet si do t’i dalë fundi kësaj pune. Në aq sa shkruante aty, Kadriu nuk ankohej për vete, biles i vinte në dukje se me të nuk kishte pasur të tilla veprime. Mirëpo, Enveri nuk e besonte këtë gjë dhe i kthen përgjigje Kadriut: “Mos i ke bërë vetë ti Kadri këto gjëra kur ke qenë ministër i Brendshëm?”. Këtë reagim të Enverit të shprehur në letrën origjinale të Kadriut, ia çova sipas porosisë Kadriut në qeli…

Shkove vetë në qeli të Kadriut?

Jo në qeli. Në burg kishte një dhomë të veçantë që përdorej për hetime. Aty komunikova me Kadriun. E thirri roja dhe erdhi i shoqëruar. Me mua ishte edhe Hekuran Isai. “I ke shkruar një letër shokut Enver”, iu drejtova unë. “Po”, ma ktheu. “Letrën e ka marrë dhe me porosi të tij po të komunikoj përgjigjen që është e shkruar aty”. Ia lexova. Ia zgjata si kisha detyrën për ta lexuar edhe ai vetë. E mori, e lexoi. “Lexoje me kujdes”, i thashë. “E lexova”, tha ai. “A t’i kthej përgjigje shokut Enver?”. “Mirë”, ia bën Kadri Hazbiu. “Po për akuzën, çfarë mund të thuash?”, e pyeta. “Unë i kam thënë këto gjëra. Asgjë prej tyre nuk është e vërtetë”. “Pa kujtohu edhe një herë se njerëz jemi”, iu drejtua një çast Hekuran Isai…

Me kaq u mbyll takimi i parë me Kadri Hazbiun?

Pasi mbaruam bisedën, sipas detyrës që kisha marrë, e pyeta se çfarë do bënte pas kësaj. “Çfarë do bëni ju, – më tha,- se unë mbarova”. “Mos ke ndonjë gjë tjetër”, – i thashë. “Jo”, u përgjigj dhe u bë gati të çohej. Kaq ishte ky takim që pasoi me dhjetëra e qindra të tjerë deri në fund të procesit…

Për çfarë torturash e kishte fjalën Kadri Hazbiu në letrën që i shkruante Enverit?

Ai, siç ju tregova, pohonte se ndaj tij nuk ishte ushtruar asnjë lloj dhune…

Po kishte parë të tjerë që ishin torturuar…

As të tjerë nuk kishte parë të torturoheshin, por në qelinë ku rrinte kishte dëgjuar britma e klithma nga më të ndryshmet, që i kishin krijuar përshtypjen se aty kryheshin tortura…

A nuk ishin ato britma torturash?

Ato ishin klithma të sajuara për presion psikologjik…

Që do të thotë…

Që do të thoshte, skena presioni ndaj Kadri Hazbiut.

E si realizoheshin ato?

Në qelinë ngjitur me atë të Hazbiut, tre-katër punonjës të Sigurimit, aty nga mesnata, “realizonin” skenarin e torturës me kacafytje artificiale me britma e klithma. Zhurmat e tyre krijonin një gjendje terrorizuese. Gjithçka sajohej sikur gardiani qëllonte pa mëshirë mbi të dënuarin dhe ky i fundit rënkonte e bërtiste: “Aman, hiqe korrentin!”, “Mos ma pre gjuhën!”, “Bëj ç’të duash, por jo sytë”. Jehona e këtyre klithmave ishte zgjidhur teknikisht që të vinte e plotë në qelinë e Kadriut, të cilit i destinohej. Me sa duket, Kadriu, që kishte disa ditë që i dëgjonte këta zëra, ishte tmerruar dhe për t’i paraprirë mynxyrës, i kishte i bërë letër Enver Hoxhës…

LEXO EDHE:

Ekskluzive/ “Nuk e kam parë asnjëherë dosjen sekrete që thotë Qemal Lame”, kryeprokurori që drejtoi proceset më të bujshme të regjimit komunist: Për arrestimin e Kadaresë nuk…

“Kadaresë i ishte përgatitur arkivoli”, zbardhet ditari i ish-kreut të Hetuesisë. Zbulohet biseda mes Ramiz Alisë dhe Hekuran Isait: Është urdhër i Enverit, mos u mendo…

E vërteta e ndjekjes së Ismail Kadaresë/ “Shtrigat” dhe “Krokodili”, ish-kryehetuesi: Ç’përmbante dosja agjenturore. U asgjësuan në…

‘Të arrestohet! Mos veproni menjëherë!’, Ish-kryehetuesi Qemal Lame rrëfen telefonatat me Enverin e Ramizin për prangosjen e Kadaresë: Kur u dha urdhri, ish-diktatori porositi që…

“Atij qelbësirës i është rritur mendja”, Ish-kryehetuesi rrëfen takimin me Enverin dhe urdhrin që i dha për Kadarenë: Të shkojë në hale të gomarëve, deri javën tjetër…

Plani për eliminimin e Kadaresë/ Ilir Demalia reagon ndaj Qemal Lames: Instrument i paranojave të Enver Hoxhës. Pse ish-kryehetuesi është falsifikator

Ekskluzive/ “Me të tjerët në qeli, të hanë dhé”, rrëfimi i ish-kryehetuesit pas urdhrit të Enverit për prangosjen e Kadaresë: Ja dokumentet ku do mbështetej arrestimi, na kërkohej…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura