Plani për eliminimin e Kadaresë/ Ilir Demalia reagon ndaj Qemal Lames: Instrument i paranojave të Enver Hoxhës. Pse ish-kryehetuesi është falsifikator

| 21:11
SHPËRNDAJE
 

Ilir Demalia 

Ilir-Demaliaj-SHBA

Prej tre ditësh lexoj në gazetën “Panorama” pjesë nga libri “Dritë hijet e kohës” me autor ish Kryetarin e Hetuesisë së Republikës Socialiste të Shqipërisë nga viti 1982-1992 Qemal Lame, në lidhje me “eliminimin e Ismail Kadaresë, jo vetëm fizikisht por edhe me zhdukje të varrit të tij” me urdhër të Enver Hoxhës.

Sigurisht që do të kem reagim. E ndjej për detyrë në raport me të vërtetën dhe kulturën e manipulim-simulimit me gënjeshtra fantazmagorike që instalohen si të vërteta, jo vetëm nga institucionet shtetërore, por edhe pranohen dhe amplifikohen nga elitat kulturore, artistike, letrare, gazetareske edhe të një brezi të ri, si vazhdimësi e elitave të djeshme të regjimit komunist ku na çirren si kukuvajka antikomuniste dhe bëhen bashkë me krye hetuesin e diktaturës.

Sot po sjell një pjesë nga libri “Guri fundit i dominosë” kapitullin për Qemal Lamen, këtij falsifikatori dhe kryehetuesi, që në vend të ishte para drejtësisë si instrument i paranojave të Enver Hoxhës për montimet e gjyqeve politike nëpërmjet torturave çnjerëzore dhe dhunës fizike dhe psikike mbi të pandehurit që përfundonin në pushkatim, varje, apo vite burgu pambarim, ky njeri na paraqet në rrezik për jetën njeriun më të ledhatuar të regjimit nëpërmjet një libri qe të kujton të fantazinë e të murit psiqik DH.T, pa logjikë dhe pa fakte, por vetëm si porosi apo autorsi e kandidatit për “Nobel” Isës.

Guri fundit i dominosë

Rruga më efektive për të shkatërruar një popull është t’i ndalosh dhe t’i zhdukësh të kuptuarit e historisë për çfarë ka ndodhur me historinë e tyre.
– George Orwell

Qemal Lame, Dom Simon Jubani , At Zef Pllumi, Zef Hardhia ja si e përshkruan Dom Simon jubani, arrestimin e tij të fundit më 16 janar 1990:

“Po a mund të kuptojshin këta sambistat, edukue e stërvitë në përgjasim të shtazës me fytyrë njeriu? Tre prej tyne hynë me turr në harin ku po punojshe me fëmijët, që kishin ndie thirrjen e Zotit për rrugën e meshtarisë.

Më përsëritën me kërcenim atë shprehje që e kisha ndie aq herë: “Në emën të popullit je i arrestuem!”. Në emën të popullit të ngratë që strukej prej tmerrit të këtyne njerëzve ndër skutat ma të mshehta të vetvedit. Në emën të popullit, qe s’kishte emën! Fëmijët e shkretë, që më rrethojshin, pa llogaritë këtu familjarët, u shtangën. Patën kujtue, rrezikzitë, se terrori kishte marrë fund… Po mue s’më luejti qerpiku. Isha mësue ka here e mot me këta çakaj. U dhashë, pra qetësisht përgjigjen: “O, jo, unë e kam krye ka mot detyrën e të burgosunit tash e ka radhën Ramiz Alia juej…”

Mu hodhën në fyt si dikur, e ma keq se dikur, se tashti ishin kthye në forca moderne dhune. Ishin kriminelë me shkollë. M’lidhën duert mbrapa, ndjeva shijen e zehrit, të njëjtën shije që pat ndie Krishti në kryq, kur pat et e ia shuen në tamth.

Më ngrehën rreshanë deri te autobusi, tue më mbyllë gojën me duert e tyne të fëlliqta, sepse sa here u mujshe me e çilë gojën teme të shkretë pa dhambë, bërtitshe në kup të qiellës: “Pjella të ndyeta të Enver Hoxhës, e keni radhën ju për pranga!”

Nuk e mohoj se ndoshta gabova se nuk mujta me i përgja fare Krishtit në kryq, ndonëse po rëshahesha si bir besnik i Krygjës. Nuk mujta, pra, me u thanë butsisht, siç ma lypte rangu e petku: “Fali, o Zot, se s’dijnë çka bajnë!”. Ndoshta edhe pse mu duk mirfilli se e dijshin çka po bajshin. Mëkat tjetër ky, për të cilin Zoti më ka ndëshkue me të drejtë, tue mos ma plotësue dëshirin me dek martir”.4

Qemal Lame, i cili është përgjegjës në përdorimin e dhunës dhe torturave në Hetuesi, si kryetar i saj nga viti 1982-1991, pasi ishin larguar nga kjo jetë tre klerikët e persekutuar nga regjimi komunist, Dom Simon jubani, Zef Hardhia dhe at Zef Pllumi, shkruan, se këta të tre e kanë falenderuar për sjelljen e tij kur këta ishin arrestuar për demonstratën e janarit 1990 në Shkodër.

Falenderuan Qemal Lamen për mendimet e tij për klerin dhe “luftën” e tij për demokratizimin e vendit, dhe më e rënda: Dom Jubani i paska kërkuar bashkëpunim! At Zef Pllumi i ka shkuar një ditë më pas në zyrë për ta falenderuar dhe i ka ofruar bashkëpunim! Të njëjtën gjë thotë edhe për Zef Hardhinë.
4. Simon jubani, “Burgjet e mija”, botimi “Udetti”, Romë 2001, f. 171-172.

Zef Hardhia:

Hetimi po bahet ndryshe, zotni. Edhe këtu në burg, po shoh ndryshime… Po të doni ju si shtet, neve ju ndihmojmë. Feja ndihmon shtetin dhe bashkëpunon me të.
Dom Simon jubani:
Jam dënuar për bindjet fetare, mor zotni. Nuk ma merr për keq që të them zotni.
Qemal Lame:

– Jo. Mirë e ke. Ndoshta është më mirë të themi zotni në të ardhmen, si dhe më parë. Fjala “shoku” nuk ju pëlqen të gjithëve. Dom Simon Jubani: – Unë jam prift. Nuk dal në demonstratë. Nuk jam për dhunë. Feja e ndalon dhunën. Unë nuk dal të bashkohem me do persona si kasnecët. Ne dona me i zgjidhë problemet në mënyrë paqësore. Po të doni ju si shtet, ne ju ndihmojmë, duke bashkëpunuar për të mirën e vendit, por të lihet feja e lirë.

Zef Pllumi:

Në opinionin e njerëzve me të cilët kam pasur rastin të bisedoj, vlerësohesh se zbaton drejt ligjin dhe të jep të drejtë kur meriton. Me të burgosurit që njoh, ka qenë mendimi, se: “po pate ndonjë problem, shkruaji kryehetuesit Qemal Lame, se do të gjesh mirëkuptim dhe drejtësi”. Nuk po ju marr shumë kohë. Juve keni shumë punë dhe më dhatë edhe mua kohë për të më pritur dhe biseduar miqësisht.

Jam shumë i prekur me qëndrimin, mendimet dhe dashamirësinë Tuaj. U ngrit. Më përshendeti duke më falenderuar dhe më tha: “Zoti ju ruajtë!”.5

5. Qemal Lame, “Kur shëmbeshin themelet”, botimi “Onufri”, Tiranë 2014, fq 50, 52, 55.

Në dy libra që kemi nga Dom Simon jubani “Burgjet e mija”, dhe nga at Zef Pllumi “Rrno vetëm për me tregue”, nuk shkruajnë as një gërmë dhe as përmendin një takim të tillë e as emrin e Qemal Lames. Përse kryehetuesi i Shqipërisë priti largimin nga jeta të këtyre tre klerikëve që vuajtën kalvarin e hetuesive të Qemal Lames, burgjet, torturat, nuk na e dha këtë fakt më përpara kur ata ishin gjallë?

Përpos shkatërrimit të jetës së tyre për së gjalli, armata e falsi- fikatorëve dhe manipulatorëve të njerëzve si Qemal Lame, mba- si nuk i thyen dot për së gjalli dinjitetin e tyre, besimin, i vrasin për së vdekuri duke i ngarkuar moralisht nëpërmjet shpifjeve dhe të pavërtetave. Qemal Lame i kishte 15-18 vjet gjallë këta klerike, nuk foli.

Modelet Lame, gjejnë gjithnjë e më shumë hapësirë në faqet e gazetave si njerëz që kanë “demokratizuar” vendin nga diktatura së cilës i shërbyen me dekada. Mosreagimi i elitave intelektuale, mediatike, shkrimtarëve ndaj këtyre tregon edhe komprementimin e këtyre elitave si konformim me të keqen dhe modelin që i japin ata shoqërisë.
Djemtë e Shkodrës që u torturuan në mënyrë çnjerëzore së bashku me Dom Simon jubanin dhe një prej tyre Rin Monajka pësoi vdekjen më vonë prej plagëve të marra nga frakturat në kafkë. Mos vallë edhe këta i kishte organizuar Sigurimi apo agjenturat e huaja sipas ish pushtetarëve e intelektualëve analistë të djeshëm dhe të sotshëm me teoritë konspirative?!
Rin Monajka është i shkuar nga kjo jetë nga plagët e marra në hetuesinë e Qemal Lames. Askush nuk ka marrë përgjegjësi dhe ndëshkim si për Monajkën edhe për të tjerët që u torturuan! Askush nuk na ka sjellë një fakt për lidhjet e tyrë me agjenturat e huaja edhe pse kanë kaluar 25 vjet.

Pak mbasi kishte ndodhur demonstrata në Shkodër, Ramiz Alia bëri një takim me qytetarët rreth situatave të krijuara, ku si gjithmonë përsëriste se ngjarjet në Europën Lindore nuk kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe se Shqipëria nuk është as Lindje dhe as Perëndim. Në këtë takim ndryshe nga më pare, ku theksi ishte partia dhe vetëm partia për gjithçka, ai theksoi, se intelektualët, ndryshe nga deri dje, ku intelektualët, shkrimtarët dhe artistët ishin ndihmës të partisë, tani e mbrapa do të ishin ata që do të kryenin demokratizimin e partisë dhe të vendit.

“Jemi të lirë e të pavarur, kështu duam e kështu do të mbetemi gjithnjë”6, u shpreh Ramiz Alia në këtë takim. Në fjalën e tij ai përsërit “vendosmërinë” për të demokratizuar partinë dhe për këtë, sipas tij, do t’i vinin në ndihmë intelektualët.
Profesori i historisë Arben Puto, i cili pas 11 muajsh kur u lejua pluralizmi politik u çfaq si Kryetar i Forumit të të Drejtave të Njeriut, në ato ditë shkruante:

“Ne zgjodhëm socializmin dhe atë do ta ndërtojmë dhe do ta mbrojmë vetë. Ne kemi zgjedhur vetë rrugën tonë, socializmin. Sesa e drejtë ka qenë kjo rrugë, duket nga fitoret e pashembullta që kemi arritur, që ia kanë ndryshuar pamjen mbarë vendit. Prandaj dhe jemi të vendosur të vazhdojmë në këtë rrugë”.7
Prandaj dhe jemi vendosur të vazhdojmë në këtë rrugë!?
Arben Puto ishte njeri i nomenklaturës, i lidhur me kupolën komuniste me detyra dhe lidhje krushqie e farefisnie. Puto, ka kurajon edhe sot të vazhdojë të thotë të pavërteta historike dhe të merret si referencë nga media, të cilët, më të bashkuar se kurrë, sot mbrojnë të pavërtetën për të mbajtur titujt shkencorë të së pavërtetës. Kjo funksionon në Shqipëri dhe pas 25 vjetësh, pasi Putonizmi është jo rast, por kulturë manipulim-simulimi dhe falsifikimi në Shqipëri.

Tashmë Alia po kuptonte zëmërimin në rritje të qytetarëve nga gjëndja e rëndë, pa rrugëdalje ekonomike dhe nga mungesa e lirive themelore të të drejtave të njeriut, gjë që mund të sillte një përplasje…

6. Gazeta “Zëri i Popullit”, 16 janar 1990.
7. Arben Puto, Gazeta “Bashkimi”, 18 janar 1990.

 

LEXONI EDHE: 

 

“Atij qelbësirës i është rritur mendja”, Ish-kryehetuesi rrëfen takimin me Enverin dhe urdhrin që i dha për Kadarenë: Të shkojë në hale të gomarëve, deri javën tjetër…

“Kadaresë i ishte përgatitur arkivoli”, zbardhet ditari i ish-kreut të Hetuesisë. Zbulohet biseda mes Ramiz Alisë dhe Hekuran Isait: Është urdhër i Enverit, mos u mendo…

E vërteta e ndjekjes së Ismail Kadaresë/ “Shtrigat” dhe “Krokodili”, ish-kryehetuesi: Ç’përmbante dosja agjenturore. U asgjësuan në…

‘Të arrestohet! Mos veproni menjëherë!’, Ish-kryehetuesi Qemal Lame rrëfen telefonatat me Enverin e Ramizin për prangosjen e Kadaresë: Kur u dha urdhri, ish-diktatori porositi që…

 

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.