“Diskutonin për skenarin e filmit që ‘ngjalli’ Ismail Qemalin”- Ben Blushi tregon prapaskenat e “Nëntorit të Dytë”: Një homazh për gjyshin dhe babain tim që e krijuan! Kishin shumë variante për titullin, por…

Nov 28, 2023 | 12:21
SHPËRNDAJE

Shkrimtari Ben Blushi sot ka uruar shqiptarët për Ditën e Flamurit. Me anë të një postimi në Facebook, Blushi bën një homazh për gjyshin dhe babain e tij, të cilët kanë krijuar filmin “Nëntori i Dytë”, dedikuar pikërisht Festës së Pavarësisë.

ben blushi nentori i dyte

Blushi tregon sesi gjyshi dhe babai i tij rrinin me orë të tëra për të përgatitur skenarin e filmit që ngjalli Ismail Qemalin.

“Unë isha i vogël në atë kohë por për fat ende mbaj mend gjyshin dhe babain tim duke diskutuar për skenarin e filmit që ngjalli Ismail Qemalin dhe gjithë aventurën e tij nëpër moçalet e Shqipërisë për të ngritur Flamurin në Vlorë.

Të dy kishin disa dhjetera variante për titullin e filmit derisa vendosën për Nëntorin e Dytë, ndërkohë që i pari i takonte Skëndërbeut dhe i treti Çlirimit në vitin 1944”, shkruan Blushi.

Nga Ben Blushi

NJË HOMAZH PËR GJYSHIN DHE BABAIN TIM QË KRIJUAN NËNTORIN E DYTË

Dua tj’u uroj të gjithëve Gëzuar Festën e Pavarësisë me kujtimin e filmit Nëntori i Dytë, krijuar nga gjyshi im Dhimitër Shuteriqi dhe babai im Kico Blushi.

Pavaresia e Shqipërisë në 1912 mbetet pa dyshim data më e rëndësishme e historisë sonë, për vonesat, pengesat dhe mënyrën sesi u arrit. Shumë detaje të kësaj përpjekje të Ismail Qemalit mbeten ende sot të pandriçuara, përfshi Aktin e Pavarësisë që për fat të keq ka humbur dhe nuk gjendet më.

Ndoshta shumë shqiptarë nuk do kishin kaq shumë emocione për Ditën e Pavarësisë nëse nuk do egzistonte filmi Nëntori Dytë i prodhuar në vitin 1982 me rastin e 70 vjetorit.

Unë isha i vogël në atë kohë por për fat ende mbaj mend gjyshin dhe babain tim duke diskutuar për skenarin e filmit që ngjalli Ismail Qemalin dhe gjithë aventurën e tij nëpër moçalet e Shqipërisë për të ngritur Flamurin në Vlorë.

Të dy kishin disa dhjetera variante për titullin e filmit derisa vendosën për Nëntorin e Dytë, ndërkohë që i pari i takonte Skëndërbeut dhe i treti Çlirimit në vitin 1944.

Im gjysh dhe babai rrinin me orë të tëra duke shkruar, rishkruar dhe redaktuar pjesë nga një skenar që sot i ngjan një balade. Ky film ka kaq shumë emocion, dashuri dhe patriotizëm saqë në disa raste të mallëngjen dhe të merr frymen. Nuk besoj se ka film historik të kësaj përmase të realizuar më mirë në historinë e kinemasë shqiptare.

Sot është dita për t’i bërë një homazh Dhimitër Shuteriqit dhe Kico Blushit të cilët krijuan monumentin më të madh artistik dedikuar Pavarësisë.

Pavarësia shkëlqen si dita më kulmore në historinë tonë por ajo nuk do shndriste dot kaq fort pa Nëntorin e Dytë.

Gezuar Festën

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura