“Braho më kërcënoi”, Agron Tufa i përgjigjet deputetit të PS: Të ndërhyjë drejtësia që të mos ndodhë tragjedi. Mbylli të pafajshmit në çmendinë

Apr 2, 2019 | 14:45
SHPËRNDAJE

Drejtori i ISSK-së, Agron Tufa, shprehet se ndihet i kërcënuar nga deputeti socialist, Spartak Braho, pas deklaratës së tij në Komisionin e Parlamentit të Shqipërisë.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Tufa i bën thirrje drejtësisë që të ndërhyjë për të parandaluar ndonjë tragjedi. Sipas tij, Spartak Braho ka dënuar politikisht gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës njerëz të pafajshëm, duke i mbyllur në çmendi.

Agron Tufa
Agron Tufa

Z.Tufa, deputeti socialist Spartak Braho ju akuzoi në Parlament se Instituti është kthyer në seksion të Ballit Kombëtar, duke denigruar luftën dhe dëshmorët, si e gjykoni akuzën e tij? Sa janë personale dhe sa të Institutit qëndrimet tuaja?

A.T: – Deputetin e vjetër Spartak Braho e tradhtuan nervat. Nuk e imagjinoja një sulm e kërcënim të tillë nga salla e Kuvendit në lartësitë e vitit 2019, kur gjithë shoqëria shqiptare pret të hyjë në BE. Ne jemi një Institut me status “Qendror, Shtetëror, i Pavarur”, siç e përcakton ligji ynë organik nr. 10242, i hartuar nga Parlamenti. Ne kemi për detyrë të raportojmë për veprimtarinë tonë 1 herë në vit në Parlament. Detyrat ligjore dhe detyrat që na sugjeron Rezoluta e Parlamentit janë orientimet kryesore të punës sonë dëshmuese e studimore.

Nuk e di çfarë nënkupton deputeti Braho me “seksion të Ballit Kombëtar”, por më duket krejtësisht një logjikë e shfazuar, ndoshta neurozë pleqërie, efekt anësor i ushqimit ideologjik totalitar me të cilin është rritur, sepse ne në Institut bëjmë punë shkencore, s’kemi pikë lidhjeje me partitë politike. Ndoshta deputetit Braho mund t’i ketë bërë përshtypje studimi “Këngë, himne e marshe të Ballit Kombëtar”, por duhet ditur një fakt: rreth 30% e të dënuarve politikë rezultojnë me origjinë nga familje balliste dhe si të tillë, janë dënuar.

Por me Ballin deputeti Braho dhe njerëz si ai, janë mësuar të sillen në frymën folklorike të anekdotave e batutave me ngrënie pulash. Kaq dinë. Po ne s’mund t’i përmbahemi kësaj kuture derdimene. Ne nuk kemi ende informacion sa duhet për Ballin Kombëtar. Meqë Braho di më shumë, lë të na ofrojë informacionin e tij. Sa për LANÇ-in, se gjoja “paskemi denigruar heronjtë e dëshmorët”, kjo është qesharake. Për cilën luftë e ka fjalën Braho? Për luftën e Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës? Ju e patë që Braho nuk ishte konkret. Nuk paraqiti qoftë dhe një fakt. Për çfarë “helmi” e “nxirje” flet deputeti? Braho dha opinione, përshtypje dhe helm, me synim frikësimin dhe pengimin në kryerjen e detyrave tona ligjore. Cila luftë dhe cili dëshmor është denigruar? Por një gjë është e qartë: nëse dëshmorët e Brahos kanë bërë krime më parë, kjo nuk përjashton që ISKK-ja të mos bëjë studime. Gjithë në këtë logjikë: nëse një i dhunuar ka qenë ballist dhe persekutori i tij ka qenë partizan, kjo duhet të thuhet siç është, apo jo? Cilën quan “marrje me politikë” Braho? Faktin që ne paskemi përmendur Lustracionin?

Ç’të keqe ka Lustracioni? Braho, i tronditur nga kjo fjalë, po na e thotë hapur nëntekstin: “Mos m’i prekni gjeneralët e ish-Sigurimit! Merruni me viktimat e tyre, bashkëpunëtorë!”. Por kjo arrogancë, kjo egërsi që kërkon ta ndalojë kohën si në pikun e diktaturës nga njerëz të veshur edhe sot me pushtet të lartë imunitar, kjo pra, pikërisht ka qenë e vazhdon të jetë drama e vërtetë e shoqërisë sonë postkomuniste, një ferr i parrëfyeshëm i higjienës morale.

Njerëz të tillë të policisë politike, siç ka qenë ish-Sigurimi, kolegët e Brahos, janë përhapur në një numër aq të madh e të pabesueshëm në institucionet e shtetit shqiptar, sa të vjen ndot. Është fyerje. Është poshtërim. Është e papranueshme për minimumin e dinjitetit tonë moral. Dhe janë pikërisht këto hiena të diktaturës që përbëjnë sot sfondin prapa Brahos dhe i japin atij guximin, arrogancën dhe verbërinë për të më kërcënuar mua dhe Institutin tonë sot, në vitin 2019. E pabesueshme, sa poshtë kemi rënë! Unë nuk e njoh deputetin Spartak. Ai nuk mund të ketë gjë personale me mua. Por sfondi i errët prapa tij, që zgjatet si bisht rrëshqanori në të kaluarën kriminale të diktaturës, më konsideron person të rrezikshëm për shkak të detyrës.

45445445

Braho ju akuzon se ka shumë helm në veprimtarinë tuaj. Në fakt, cili është funksioni i Institutit që ju drejtoni? A është në kundërshtim veprimtaria juaj me qëllimin pse është ngritur ky institut?

A.T: Ajo që në të gjithë botën quhet e vërteta, për deputetin Braho quhet helm. Ajo që është oksigjen për mendjet e hapura dhe shoqërinë demokratike, për Brahon është helm. Sepse helm është çdo e vërtetë e çdo kontribut për dekomunistizimin e Shqipërisë, për njeriun e rritur dhe të edukuar me fanatizmin enverist. Instituti ynë ka si detyrë parësore të dëshmojë krimet e komunizmit shqiptar nga periudha e Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1991, si dhe pasojat e trashëguara të këtyre krimeve sot.

Ndër disa prej detyrave janë edhe: “studion dhe vlerëson ndërtimin, organizimin institucional dhe veprimtarinë antidemokratike e kriminale të strukturave shtetërore, veçanërisht të organeve dhe të strukturave të Sigurimit të Shtetit”; “grumbullon të dhëna, dokumente dhe dëshmi për ndriçimin e veprimtarisë së organeve dhe të strukturave të Sigurimit së Shtetit, të formave të persekutimit dhe formave të rezistencës kundër tyre, si dhe të të gjitha veprimtarive që kanë çuar në dhunimin e të drejtave e të lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist”; “evidenton personat që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në veprime represioni, në jetën shoqërore dhe kulturore, përfshirë luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t’u informuar dhe censurën në art, kulturë e shkencë, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, përmes tallonave të ushqimit” etj.. Një ndër detyrat tona është dhe aktiviteti studimor e botues i Institutit.

Braho ka deklaruar se do kërkojë shkarkimin tuaj, sepse, sipas tij, jeni institut shkencor dhe merreni me politikë, si i përgjigjeni?

A.T: Braho, nëse nuk do t’i zgjasë kjo neurozë megalomanie e harbutërie, do ta kuptojë më në fund se jeton në vitin 2019 dhe jo në vitin 1985, kur dënonte politikisht njerëz të pafajshëm dhe i çonte në çmendinë. Braho ka në dorë vetëm të kërcënojë e shantazhojë, të derdhë vrer dhe, pikërisht, për këtë është i rrezikshëm, paraqet rrezikshmëri të lartë sociale. Ndihemi të pambrojtur, ndaj ftoj organet e drejtësisë të merren seriozisht me të, para se të ndodhë, mos e dhëntë Zoti, ndonjë tragjedi. Sepse në këtë rast ndeshet arsyeja me verbërinë. Unë jam njeri i arsyeshëm, por po kërcënohem nga një nostalgjik i metodave kriminale të diktaturës, së cilës i ka shërbyer me zell. Sa për shkarkimin tim, Braho nuk ka asgjë në dorë. Kjo është një tjetër lajthitje e tij.

Çfarë mendoni se ka pasur parasysh Braho kur thotë për ju: “…Kërkoj shkarkimin e Agron Tufës deri sa t’i thërrasë mendjes e të jetë më i ekuilibruar në veprimtarinë e tij”?

A.T: Ky është kërcënimi real. Më shumë Braho nuk mund të shprehte në sallën e Kuvendit. Pra, pasi të më shkarkojë, kemi vazhdimësinë e mesazhit kërcënues “derisa t’i thërrasë mendjes”, d.m.th., “të jetë më i ekuilibruar”. Ku? “Në veprimtarinë e tij”, etj. Pra, do vazhdosh të jesh i survejuar, i ndjekur edhe pas shkarkimit, deri sa të heqësh dorë nga veprimtaria jote. Cila veprimtari? Nga marrja me ish-Sigurimin pra… Si duket, këtyre tipave, që bënin dikur drejtësinë komuniste të Enver-Nexhmijes, u qe dhënë një pushtet i pakufishëm, të bënin me njerëzit çfarë të donin, të gjitha mizoritë dhe perversitetet. Këtë paranojë reflekton Braho, sepse njëmend iu duk vetja sikur është në parlamentin monokolor të kohës së diktaturës. Nga ana tjetër, me këtë frazë, na ngjalli kohën e klisheve dalëboje të pikut të komunizmit. A e dini si ka thënë Shën Thoma Akuinasi? “Njeriu s’është gjë tjetër përpos se gramatikë”. Gramatika shpeshherë ta tradhton majmunin brenda vetes.

Në veprimtarinë tuaj si drejtor i Institutit, a keni pasur ndërhyrje nga qeveria e majtë gjatë këtyre viteve që socialistët janë në pushtet, apo sulmi i Brahos është sporadik?

A.T: Asnjëherë. Për mendimin tim, janë zonja e zotërinj të nderuar nga kjo pikëpamje. Përkundrazi, kemi pasur interesim të gjallë dhe mirëkuptim me Komisionin e Ligjeve, me kryetarin dhe anëtarët. Një frymë kreative, nxitëse dhe dashamirëse. Të themi të vërtetën. Kryetari, zoti Manja, na është përgjigjur gjithnjë kur kemi pasur shqetësime. Edhe në Raportin Vjetor të fundit kemi pasur diskutime për të na zgjidhur problemet tona. Ka qenë tradicionale kjo frymë dashamirësie e serioziteti. Rasti i Brahos është përjashtim dhe do të dëshironim që anëtarët e Komisionit të distancohen nga kjo marrëzi e tij. Thjesht deputeti Braho vjen nga një tjetër kohë dhe nuk ndreqet më…

PANORAMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura