Biznesi kundër tatimeve: Të mos dorëzohen inventarët brenda 10 janarit

Mar 7, 2017 | 9:43
SHPËRNDAJE

Një kërkesë e dy viteve të fundit nga tatimet, që bizneset të dorëzojnë inventarët e vitit të mëparshëm brenda datës 10 janar ka hasur në kundërshtimin e bizneseve, që e kanë quajtur këtë veprim të pambështetur plotësisht me bazë ligjore dhe që shkakton stërmundim për subjektet.

tatimet

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në një shkresë për drejtoreshën e tatimeve Vasilia Vjero, në datën 14 janar, i ka paraqitur asaj  shqetësimin e anëtarëve lidhur me një insiativë të Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë në këto dy-tre vitet e fundit për kërkesën e çuditëshme, drejtuar në bllok të gjithë subjekteve tatimpagues (pa përjashtim), për depozitim të inventarëve gjendje në datën 31 dhjetor, brenda datës 10 janar të vitit pasardhës.

Kjo gjë po bëhet tashme pothuajse “rregull’ edhe për Drejtoritë Rajonale Tatimore të tjera, rrjedhimisht e  pranuar nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Kërkesa për depozitim të inventarit, drejtuar subjekteve tatimpagues, sipas DRT Tiranë apo edhe DRT-ve të tjera, mbështetet  në nenin 60 të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Por, sipas letrës së Dhomës. kjo kërkesë, përveç se është shumë e mundimshme dhe e kushtueshme për tatimpaguesit,  është  edhe e pa mbështetur plotësisht në bazën ligjore të cituar. Në vijim do të argumentojmë shqetësimin tonë:

  • Neni 60 i ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, dhe pikat nr. 60.1.1 deri 60.3.2 të udhezimit të Ministrit të Financave nr.24, datë 02.09.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar,  parashikojnë në çdo rast që gjatë një kontrolli apo hetimi nga administrata tatimore, kontrolli ose hetimi të mos pengohet dhe t’i vihen në dispozicion të gjitha informacionet, regjistrime, libra dhe transaksionet tregtare për llogaritjen e tatimit, pra kërkesat ligjore kanë të bëjnë me rastet e një kontrolli në vend. Pra cdo lloj informacioni që ka të bëjë me llogaritjen e saktë të detyrimeve tatimore i vihet ne dispozicion kontrollit apo hetimit tatimor.

 

  • Në pikën 3, të nenit 60 të ligjit të mësipërm është parashikuar që administrata tatimore kërkon nga  tatimpaguesi shpjegime shtesë, me gojë ose me shkrim dhe ky i fundit eshte i detyruar që këto shpjegime shtesë ti japë brenda 20 ditëve nga data e kërkesës së administratës tatimore. Pra bëhet fjalë për informacione shtesë, që kanë lidhje me nje informacion apo deklarate tatimore bazë. Në pikën 4 të nenit 60 është përcaktuar se në informacionet shtesë përfshihen “vetëm informacione, të lidhura me transaksionet tregtare të tatimpaguesit, proceset ose procedurat teknike dhe me operacionet financiare ndërmjet tatimpaguesit dhe palëve të treta”. Pra edhe sipas kësaj pike inventari nuk përfshihet në informacionet shtesë.
  • Inventarët analitikë, sipas nenit 5/1, pika “d” dhe neneve 46/1 dhe 47, nuk janë pjesë e dokumentave  tatimorë të detyrueshëm për tu deklaruar nga tatimpaguesi në mënyrë periodike ditore, mujore apo vjetore, sikurse janë përcaktuar në legjislacionin tatimor si fatura, kuponi tatimor, dëftesa tatimore, librat e blerjeeve e shitjeve, deklaratat e TVSH-së, të Tatimit ne Burim, të Listëpagesave, të Tatimit mbi Fitimin, etj. Ne konsiderojmë se inventari i gjendje më 31 dhjetor është një evidencë mbështetëse e Pasqyrave Financiare te cdo viti, e cila duhet ti jepet cdo kontrolli tatimor, ndoshta edhe administrates tatimore me kerkese të saj, por si informacion mbështetës, pasi janë dorëzuar Pasqyrat Financiare dhe pasi është bërë deklarimi përkatës i tatimit mbi fitimin apo mbi të ardhurat e bisnesit të vogël, pra përkatësisht pas datës 31 mars dhe 10 shkurt të cdo viti.

 

  • Kërkohet inventari në datën 10 janar, kur dihet që ngarkesa e tatimpaguesve dhe e asistuesve të tyre kontabël e fiskalë është shumë e madhe,  pasi brenda kësaj date duhen bërë e deklaruar edhe  librat e TVSH-ve për muajin dhjetor. Gjithashtu dihet se brenda kësaj periudhe janë edhe ditët e pushimeve për shkak të festës së ndërrimit të viteve. Inventarizimi fizik është një proces i vështirë, që kërkon kohën e duhur për tu realizuar. Ligji i kontabilitetit kërkon kryerjen e inventarizimit fizik të paktën një herë në vit, por nuk ka përcaktuar përkëtë qëllim posacërisht datën 31 dhjetor.

 

  • Shumë subjekte tatimpaguese në fushën e ndërtimeve, janë të detyruar që të bëjnë situacionet përkatëse të ndërtimit, ku lëndët e para dhe materialet e tjera ndihmëse kaë peshën kryesore të tyre. Për këtë arsye është lënë edhe periudha 10 ditore e dorezimit të librave të TVSH-së.

 

  • Ka subjekte që tregtojnë apo përdorin mijëra artikuj të inventarëve, inventarizimi i të cilëve, kërkon personel personel apo softëare të mjaftueshëm, për të garantuar cilësinë dhe saktësinë e inventarit.

 

  • Ne mendojmë se edhe për administratën tatimore informacioni i kërkuar nuk është i administrueshëm dhe i verifikueshëm që në ditët e para të janarit. Fakti që një kërkesë e tillë i bëhet “on bllok” të gjithë subjekteve pa dallim edhe kur janë me objekt shëbime, agjente apo jo subjekte tregtare dhe prodhuese, shton pa fund burokracinë dhe cënon seriozitetin e kërkesës.

 

  • Për çdo subjekt tatimpagues administrata tatimore ka të drejtën të verifikojë në vend me kontroll dhe në çdo kohë, por edhe në këtë rast koha që i lihet në dispozicion subjektit, sipas nenit 81, pika 1/1 të ligjit 9920, datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është 30 ditë, ndërkohë që për rastin në fjalë  nuk mundëson realizimin e kërkesës pasi njoftimi elektonik (email) vjen me datë 20 dhjetor, për përgjigje brenda datës 10 janar.

Në përfundim, Dhoma propozon që nga administrata tatimore të mos kërkohet në vazhdim inventari i datës 31 dhjetor brenda datës 10 janar të vitit pasardhës, por informacioni lidhur me inventarin të kërkohet dhe jepet sipas afateve të parashikuar në nenin 29 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar (Për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin) dhe në nenin 16 te ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, (Për subjektet e tatimit te thjeshtuar mbi fitimin per biznesin e vogël).

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura