Banka: Kredia për biznesin u shtrëngua, lehtësim atyre për konsum

Apr 16, 2017 | 10:28
SHPËRNDAJE

Banka e Shqipërisë raporton se kushtet për dhënie kredie te biznesi janë shtrënguar, kurse për qytetarët pati lehtësi. Rezultatet e vrojtimit vënë në dukje se kredia është shtrënguar më shumë për biznesin e madh, ndërsa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ka pasur prirje lehtësuese.

bankat

Për qytetarët standardet e kreditimit janë lehtësuar si për kredinë konsumatore, ashtu edhe për kredinë për blerje shtëpie, por lehtësimi më i madh ka qenë te kreditë konsumatore.

Bankat shprehen se lehtësimi i kushteve të kredisë për qytetarët erdhi si shkak i ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë, rritja e raportit të kërkuar të këstit ndaj të ardhurave, zvogëlimit të komisioneve dhe rritja e madhë- sisë së kredisë. Kërkesa për kredi në tremujorin e parë të vitit 2017 u raportua në rritje si për bizneset, ashtu edhe për individët.

Rritja e kërkesës së individëve është regjistruar kryesisht për kredi konsumatore, ndërsa ajo për blerje banese ka shfaqur tkurrje. Për biznesin, sipas Bankës së Shqipërisë, faktorët kryesorë që ndikuan në shtrëngimin e standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve vijojnë të mbeten faktorët që lidhen me problemet specifike të sektorit, kreditë me probleme, perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike dhe mjaftueshmëria e kapitalit.

Nga ana tjetër, konkurrenca në tregun bankar dhe niveli i likuiditetit të bankave janë faktorë që kanë ndikuar në kahun lehtësues të standardeve të kredisë dhënë individëve. Politika shtrënguese e bankave ndaj kredive për biznese u zbatua kryesisht nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral dhe disi më pak nga kufizimi i madhësisë së kredisë.

Për sa i takon kërkesës së bizneseve, ajo ka shfaqur një zgjerim të lehtë, kryesisht nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Bankat presin shtrëngim të standardeve të kreditimit për bizneset, ndërsa për individët mendohet të ketë lehtësim në tremujorin e dytë të vitit 2017.

Për bizneset, shtrëngimi mendohet të jetë në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha, ndërsa për individët, pritet që lehtësimi të vijë te kredia për konsum. Kërkesa për kredi parashikohet në rritje, si për bizneset, ashtu edhe për individët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura