Banka Botërore: Kriza politike, pasiguri te biznesi

Apr 7, 2017 | 13:45
SHPËRNDAJE

Banka Botërore parashikon perspektivë pozitive të rritjes ekonomike në 3 vitet e ardhshme, që pritet të arrijë në nivelin 3,5 për qind, por projeksioni është i kushtëzuar nga tensionet politike.

Banka Botërore, dje gjatë prezantimit të rregullt të raportit ekonomik për Ballkanin Perëndimor, vlerësoi se tensionet politike në vend mund të ndikojnë në klimën e biznesit dhe të ngadalësojnë progresin e reformave. Ekonomistja e Bankës Botërore, Hilda Shijaku, tha se në rast se kriza politike zgjatet, ajo do të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike.

Selia e Bankes Boterore
Selia e Bankes Boterore

“Ky është një rrezik që shikohet në periudhën afatshkurtër, i cili është i pranishëm në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Krizat e zgjatura politike kanë efekt negativ në rritjen ekonomike, për shkak se shtojnë pasigurinë jo vetëm të biznesit vendas, por edhe për investitorët e huaj. Përgjithësisht, krizat politike janë negative për vendet të cilat janë duke ndërmarrë reforma të rëndësishme në drejtim të rritjes ekonomike. Në rast se nuk ka një vullnet të qartë politik për të implementuar reformat, atëherë besimi në tregje bie dhe primet e rrezikut për vendin rriten, dhe kjo do të materializohet në rreziqe reale.

Nëse kriza politike zgjatet, do të çojë rillogaritje të reja për parashikim të rritjes ekonomike”, tha Shijaku.

PAPUNËSIA

“Për 2016-n në vend rritja e punësimit është përshpejtuar, ndërsa norma e papunësisë ka shënuar rënie, duke çuar në reduktimin e varfërisë”. Këto janë konkluzionet e raportit të Bankës Botërore për uljen e papunësisë dhe varfërisë, ku sipas ekonomistes Hilda Shijaku, kjo ka ardhur si rezultat i rritjes ekonomike, edhe pse tregu i punës shënoi probleme strukturore.

“Rritja ekonomike është përkthyer në më shumë punësim dhe uljen e papunë- sisë. Papunësia arriti mesatarisht në 15,2 për qind në 2016-n, ndërkohë që në tremujorin e katërt të vitit, punësimi u rrit 5 për qind. Me gjithë problemet strukturore që tregu i punës ka në Shqipëri, është vënë re një korrektim gradual në treguesit e tregut të punës. Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë të punësimit gjatë vitit 2016 në Ballkanin Perëndimor, gjë e cila ka ardhur si rezultat i dinamikës pozitive të aktivitetit ekonomik”, u shpreh Shijaku.

Sipas Bankës Botërore, ajo nuk ka një studim tërësisht të pavarur mbi këtë treg dhe se për statistikat i referohet INSTAT-it, por vëren se rritja ekonomike që ka aktualisht Shqipëria nuk është e mjaftueshme për të reduktuar nivelin e papunësisë, dhe për këtë duhen politika të dedikuara.

RRITJA EKONOMIKE

Banka Botërore parashikon që trendi pozitiv i rritjes ekonomike do të vijojë edhe për tri vitet e ardhshme. Sipas Bankës Botërore ndikim në rritjen ekonomike në 2016-n kanë dhënë investimet e TAP dhe hidrocentrali i Devollit, që kanë kontribuar edhe në rritjen e konsumit.

“Rritja ekonomike në vend është përshpejtuar dhe kjo ka sjellë ulje të varfërisë dhe ulje të normës së papunësisë. Konsolidimi fiskal është materializuar në stabilizim të borxhit publik dhe kjo ka ardhur si rezultat i një mbledhjeje më të mirë të të ardhurave. Në të ardhmen, rritja ekonomike do të vijojë të jetë pozitive, ku në 3 vitet e ardhshme rritja ekonomike pritet të arrijë mesatarisht 3,5 për qind. Ky skenar bazë është i kushtëzuar nga vijimi i reformave kyçe për vendin, si stabilizimi fiskal, rritja e eficiencës së shpenzimeve publike.

Të dhënat e fundit e paraprake të Institutit të Statistikave konfirmojnë një rritje prej 3,5 për qind gjatë vitit 2016, e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së investimeve private dhe rigjallërimit të konsumit. Projektet madhore në sektorin energjetik, si TAP-i dhe ndërtimi i hidrocentralit në Devoll, ka udhëhequr rritjen e investimeve private dhe pritet të kenë ndikim edhe në vitet e ardhshme”, u shpreh ekonomistja e Bankës Botërore.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura