Arrestimi i ish-zv.ministrit që i vuri flakën vreshtave/ Fqinji: I papërgjegjshëm! Hodhi shashka për të trembur zogjtë të mos hanin rrushin dhe…

Aug 18, 2021 | 11:59
SHPËRNDAJE

Të tjera detaje kanë dalë nga zjarrvënia në Leskovik, ku ish-zëvendësmininistri Albert Gajo u arrestua pasi i vuri flakën vreshtave.

zjarr.1

Byro Rusi, fqinji që e denoncoi rastin në polici ka dhënë versionin e tij të ngjarjes për “News 24”. Ai tregon se Gajo është bashkëpronar në këto vreshta dhe se ditën e djeshme ka hedhur shashka për të trembur zogjtë që mos të hanin rrushin, por për pasojë shkaktoi një zjarr me dëme të mëdha.

Historia është pak e gjatë. Dje zotëria në fjalë, ka shkuar në vreshtin që është pronë e përbashkët e disa bashkëpronarëve dhe ka hedhur shashka për të trembur zogjtë që mos të hanë rrushin. Me këto shashka ka vënë flakën. Ka dalë jashtë kontrollit, ka marrë flakë vreshti, ka marrë flakë pylli që është afër. Dëme pafund“, tregon fqinji për “News 24”.

Ka qenë bashkëpronar, por pas disa manovrave falsifikimeve u fut atje në pronë nga ish-bashkëshortja Mirlinda Gajo që është kushërira jonë. Me pak fjalë ka zaptuar shumë gjëra, dhe tani bëri budallallikun më të madh, ndërkohë që ne prisnim drejtësinë. I vë flakën, i del edhe jashtë kontrollin, bënë hatanë në Leskovik. Zjarrvënia ka ndodhur dje në drekë. Ka folur roja dhe dy barinj të zonës. Janë me prova. Është një vend i izoluar që nuk ka njerëz të tjerë. Është djegur rreth 2.5 ha vetëm vresht, ndërsa pjesa e pyllit është një dëm kolosal”, shprehet ai.

Gajo ka shërbyer si zv. ministër i Integrimit në vitet 2005-2009 dhe zv. ministër i Shëndetësisë në vitet 2009-2013.

NJOFTIMI

Dogji me zjarr një sipërfaqe me vreshtari, zjarri përfshiu më pas edhe një sipërfaqe tjetër me bimësi të ndryshme, vihet në pranga autori i dyshuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. G., 59 vjeç, banues në Tiranë, pasi në vendin e quajtur “Sarandapor”, në Leskovik, Kolonjë, me veprimet e tij ky shtetas ka shkaktuar rënien e zjarrit në një sipërfaqe me vreshtari, duke përfshirë më pas edhe një sipërfaqe tjetër me bimësi.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura