Anglishtja futet në klasat e para, përsëriten temat mësimore të sezonit të kaluar/ Ministrja e Arsimit zbulon risitë e vitit të ri shkollor, ja udhëzimi i plotë

Aug 17, 2021 | 12:49
SHPËRNDAJE

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj firmosën sot “Udhëzimin për vitin e ri shkollor 2021-2022 në sistemin parauniversitar”.

evis

Kushi bën me dije se udhëzimi e vë theksin te nevoja e përsëritjes së temave mësimore të vitit të kaluar, ku nxënësit zhvilluan orë mësimore online për shkak të pandemisë.

Në këtë dokument udhëzohen institucionet tona mbi përfshirjen për herë të parë të gjuhës angleze në klasën e parë dhe trajnimin e mësuesve përkatës.

NJOFTIMI I EVIS KUSHIT 
Sot firmosa Udhëzimin për vitin e ri shkollor 2021-2022 në sistemin parauniversitar, i cili orienton dhe ndihmon institucionet arsimore në zbatimin sa më efikas të politikave tona dhe krijimin e një mjedisi sa më miqësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë nxënësit.
Ky udhëzim vë theksin në nevojën e përsëritjes së temave mësimore të vitit të kaluar, zbatimin me përpikmëri të planeve mësimore për çdo nivel arsimor, zbatimin e politikave dhe strategjive ndërsektoriale, marrëveshjeve, nismave, programeve e projekteve në funksion të rritjes së cilësisë në sistemin arsimor parauniversitar.
Gjithashtu, në këtë dokument udhëzohen institucionet tona mbi përfshirjen për herë të parë të gjuhës angleze në klasën e parë dhe trajnimin e mësuesve përkatës, regjistrimin me përparësi të fëmijëve me nevoja të veçanta, konsolidimin e shkollave si qendra komunitare, reduktimin e braktisjes shkollore, zbatimin e planeve për parandalimin e bullizmit dhe ekstremizmit, si dhe zbatimin e programit të ri të arteve, zejeve dhe sporteve.
Dokumenti është bashkëfirmosur edhe nga Ministrja Anila Denaj sepse përmban edhe udhëzime të posaçme për institucionet tona të arsimit profesional.
Udhëzimin e gjeni në linkun e mëposhtëm:
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura