A do të rriten pagat për mjekët dhe infermierët pas situatës së krijuar nga lufta? Manastirliu zbulon vendimin e qeverisë

Mar 9, 2022 | 11:01
SHPËRNDAJE

manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka njoftuar se rritja e pagave për mjekët dhe infermierët do të vazhdojë sipas zotimit të qeverisë.

Gjatë një aktiviteti të organizuar për 2-vjetorin e fillimit të pandemisë në vendin tonë, Manastirliu deklaroi se do të nisë të vihet në zbatim i menaxhimit në spitalet rajonale për përmirësuar shërbimin për qytetarët.

“Nëpërmjet projektit të modernizimit të sistemit shëndetësor. Është sistemi i ri që do të kemi për spitalet tona. Do të mundësojë fillimisht në katër spitalet rajonale një sistem të menaxhimit të informacionit që do të përmirësojë shërbimet për qytetarët.

Është realitet mbështetja që kemi bërë për personelin tonë shëndetësor me rritjen e pagave edhe në një kohë të vështirë siç ishte pandemia. Do vazhdojmë të rrisim pagat për mjekët dhe infermierët ashtu si jemi zotuar”, deklaroi Manastirliu.

Ajo tha se shëndetësia është kantier i pambarimtë që nuk finalizohet dot për një vit. “Shëndetësia është një kantier i pambarimtë. Nuk finalizohet dot në një vit. Është përpjekje e përhershme drejt transformimit. Jemi të vendosur të jetësojmë vizionin tonë. Strategjia kombëtare e shëndetësisë ka të gjitha ndërhyrjet që në vlerësohet të kryhen në një plan 10-vjeçar”, u shpreh ministrja.

Dje Rama deklaroi se plani i qeverisë për të rritur pagat për disa kategori të caktuara deri më tani nuk është ndikuar nga lufta në Ukrainë.  “Rritja e pagave për mësuesit, mjekët dhe ushtarakët dhe të gjitha kategoritë e tjera patjetër. Të gjitha këto me ndihmën e Zotit tani. Do shohim si do vazhdojmë”, u shpreh Rama një ditë më parë.

Qeveria ka premtuar një rritje pagash deri në 40% për disa kategori, ku përfshihen edhe bluzat e bardha, duke nisur nga korriku i këtij viti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura