Zbulohet shuma/ Bankat çojnë jashtë vendit kursimet e qytetarëve

Apr 21, 2017 | 13:47
SHPËRNDAJE

Kursimet e shqiptarëve janë duke ikur me shpejtësi jashtë vendit. Bankat më të mëdha private në vend vazhdojnë të përdorin paratë e tyre për të financuar biznesin jashtë Shqipërisë. Përhapja me shpejtësi e këtij fenomeni ka sjellë që deri në dhjetor të 2016-s bankat të çojnë jashtë vendit në formë kredie 67 miliardë lekë, apo rreth 500 milionë euro.

grafik

Në prezantimin e raportit të politikës monetare për gazetarët, Banka e Shqipërisë vlerësoi se kjo vjen për shkak të mungesës së projekteve nga biznesi vendas. Banka e Shqipërisë sqaroi se për shkak të ritmit të kreditimit jashtë vendit, filloi të ndërmarrë disa masa për të zbutur këtë tendencë, e cila dha efekte.

Megjithatë, në 6- mujorin e dytë të 2016-s rritja e shpejtë e burimit të financimeve në valutë, por edhe ulja e masave penalizuese, e zgjeroi sërish fenomenin, i cili në terma vjetorë u rrit me 15,6 për qind. Një tjetër arsye që shtyn bankat të kreditojnë biznesin e huaj është maturimi afatgjatë dhe kthimi i kredisë. Por, pavarësisht këtij fenomeni, Banka e Shqipërisë vlerëson se në vend kredia me probleme është ulur.

Sipas saj, kredia me probleme ra 8 për qind, duke arritur në nivelin 18,3 për qind, dhe kontributin më të madh në shlyerje e kanë dhënë bizneset e mesme dhe të vogla. Nga ana tjetër, mungesa e ofrimit të projekteve nga biznesi vendas ka reflektuar me ulje të kreditimit, ku sipas të dhënave që jep Banka e Shqipërisë, ra me 0,8 për qind.

Në vend Banka vlerëson se kredia ka shënuar rënie për të gjitha qëllimet e përdorimit, përveç asaj për blerje pajisjesh, kurse kredia për hapjen e një biznesi të ri përbën vetëm 1,4 për qind të totalit.

ÇMIMET E APARTAMENTEVE

Çmimet e apartamenteve në Tiranë kanë shënuar rritje në 6-mujorin e dytë të vitit 2016. Banka e Shqipërisë bëri të ditur në raportin e politikës monetare të tremujorit të parë se indeksi i çmimit të banesave shënoi një shtrenjtim me 12,8 për qind në të gjithë vendin.

Nga vrojtimi i tregut të pasurive të paluajtshme vlerësohet se rritja më e lartë e çmimeve është në Tiranë, 3,3 për qind më i lartë se 6- mujori i parë i 2016-s. Por sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e çmimeve në Tiranë ka ardhur si rezultat i kërkesës së lartë, veçanërisht në zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.

Por agjentët imobiliarë raportojnë një situatë ndryshe për zonat e bregdetit, ku sipas rezultateve të vrojtimit që jep Banka e Shqipërisë, çmimet e pronave janë ulur për shkak të rënies së ofertës. Po ashtu, 68 për qind e shtëpive dhe pronave të shitura janë blerë me kredi, sipas agjentëve imobiliarë.

Për periudhën në vijim, agjentët shfaqen pesimistë për numrin e shtëpive dhe pronave që do të shesin, ndërsa nuk presin që të ketë ndryshime të ndjeshme të çmimeve. Megjithatë, zgjatja e kohës mesatare të shitjes së pronave tregon që përgjithësisht, transaksionet janë ende selektive dhe kjo do të reflektojë edhe në ecurinë e çmimeve.

DORINA AZO/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura