Xhepa: Humbëm prej qeveritarëve arrogantë

Jun 28, 2013 | 9:50
SHPËRNDAJE

SELAMI XHEPA (MAJTAS) BERISHA PAS FJALIMIT TE DOREHEQJES
NE SELINE E PD
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, interviste per “Panorama”: “Drejtuesi i ri i PD të zgjidhet nëpërmjet
një gare të hapur kombëtare të anëtarësisë”

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Selami Xhepa, rendit disa prej arsyeve që çuan në humbjen e thellë të kësaj force politike në zgjedhjet e 23 qershorit. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai thotë se listat, niveli i lartë i korrupsionit, treguesit e këqij ekonomikë dhe mosndryshimi për një kohë të gjatë i kabinetit qeveritar, janë vetëm disa nga shkaqet që e çuan PD-në në opozitë. Ai vlerëson dorëheqjen e Kryeministrit Berisha, por shton se kryetari në detyrë do të dominojë sërish jetën politike të kësaj partie.

Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 23 qershorit me një rezultat shumë të thellë. Si e gjykoni këtë votë kundër së djathtës?
Humbja e thellë dhe ndëshkuese që mori PD-ja në zgjedhjet e 23 qershorit është një mesazh që vjen nga qytetarët për mënyrën e qeverisjes, veçanërisht të katër viteve të fundit, një mesazh që duhet lexuar dhe reflektuar me vëmendje dhe me gjakftohtësi. Mendoj se qytetarët kanë një kulturë politike pretenduese, kanë nevojë për një model qeverisjeje të pastër dhe reaguese ndaj paaftësisë apo korrupsionit, për një qeveri që nuk e dominon jetën e qytetarëve, por dominohet prej tyre, për zyrtarë qeveritarë të përunjur e dëgjues, dhe jo arrogantë e inatçorë, qytetarët kanë nevojë t’i dëgjosh më shumë e më shpesh dhe më pak t’iu japësh leksione e t’iu mbash fjalime, qytetarët janë mirëkuptues kur e shohin pamundësinë për të bërë më shumë investime apo financuar më shumë projekte, por nuk e përcjellin dot hipokrizinë e trumbetimit të “bollëkut” në kohën e fukarallëkut. Shkurt, qytetarët mund të qeverisen me moral, dhe jo me statistika. Me sa duket, tetë vite janë shumë për një forcë politike që të vijojë qeverisjen edhe për më shumë, sidomos për një vend në tranzicion si Shqipëria, ku jo vetëm problemet janë madhore, por dhe ku mosndryshimet në kabinetet qeveritare për një kohë kaq të gjatë kishin krijuar një lloj “tejngopjeje” të publikut. Nga ana tjetër, duke qenë forcë në qeverisje, PD-ja vetë, në vend që të thellonte reformimin e vetvetes dhe strukturave të saj, në fakt shkoi drejt mbylljes, inaktivitetit dhe atrofizimit. Pra, modeli politik partiak, por edhe modeli qeverisës, mendoj se pësuan një gërryerje domethënëse, gjë që u duk qartë me votën ndëshkuese të qytetarëve.

Cilat janë, sipas jush, arsyet e kësaj humbjeje?
Në gjykimin tim, thelbi i problemit është ai moral, është bjerrja e besimit të publikut për ditë e më shumë nga sjellja politike arrogante, e manifestuar në debatin politik shumë të politizuar dhe jo i orientuar në zgjidhjen e problemeve reale të vendit, ndërmarrja e nismave politike shpeshherë në kundërshtim të hapur me opinionin publik qytetar, mungesa e iniciativave politike për të kryer disa reforma dhe për të pasur arritje në disa sektorë kyçë për jetën e vendit, veçanërisht në përmirësimin e sistemit gjyqësor dhe funksionimin e ligjit, në luftën ndaj korrupsionit, në çështjet e pronës etj. Reformat e munguara në fushën e demokratizimit të mëtejshëm të shoqërisë dhe forcimit të institucioneve dhe të administratës publike binin ndesh me rritjen e pretendimeve të publikut dhe me trendin e kohës. Këto prirje nuk u lexuan si duhet nga politika dhe qeveria.

Ka ndikuar këtu edhe gjendja ekonomike e vendit?
Nga ana tjetër, edhe dobësitë e manifestuara të ekonomisë gjatë këtij mandati
kanë rolin e tyre ndikues. Financat publike pësuan përkeqësim dhe disiplina
fiskale e tatimore ka rënë ndjeshëm. Reformat e dixhitalizimit të shërbimeve
fiskale e tatimore të filluara që në mandatin e parë, nuk dhanë rezultatet e pritshme – besoj kryesisht për shkak të rezistencës së administratës, dhe jo të vetë teknologjisë…

(Intervisten e plote marre nga Adi Shkembi e lexoni sot ne Panorama)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura