Vrasja e planifikuar në Tiranë/ Çfarë ndodhi më 8 gusht pranë banesës së vëllezërve nën “shënjestër” në Kamzë! Preng Paluca u qëllua bashkë me gruan

Dec 9, 2021 | 10:22
SHPËRNDAJE

Çifti Prend e Antoneta Paluca ishin në shënjestër të një atentati me armë zjarri më 8 gusht të këtij viti në Tiranë, por fatmirësisht arritën të mbijetonin, pavarësisht plagëve që morën.

prengpaluca

Ngjarja ndodhi pranë banesës së tyre në zonën e Kamzës në kryeqytet, ku ata u qëlluan me armë zjarri silenciator, duke marrë disa plagë, pa rrezikuar jetën e tyre. Menjëherë pas atentatit, gjendja paraqitej më e rëndë për 51-vjeçarin, i cili ishte qëlluar me një plumb në brinjë dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale në Spitalin e Traumës, ndërsa e shoqja, 42-vjeçare, paraqitej në gjendje më të stabilizuar, pasi kishte marrë një plumb në këmbë.

Shënjestër e vrasjes ishte pikërisht shtetasi Prend Paluca, pronar i disa bizneseve në Tiranë. Ndërkohë, nga të dhënat e grupit hetimor, rezulton se çifti Paluca janë plagosur në një atentat të mirorganizuar, për të cilin është përdorur një armë me silenciator, duke qenë se as familjarët dhe as fqinjët nuk kanë dëgjuar të shtëna.

Grupi hetimor sekuestroi pas ngjarjes, pamjet e kamerave të sigurisë së banesës 5- katëshe të familjes Paluca në Kamzë, që mund të ndihmojnë për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes, por edhe identifikimin e atentatorëve. Në atë kohë, Policia kishte një person të dyshuar për ngjarjen, por grupi është zbuluar katër pas këtij atentati.

ATENTATI

Sipas grupit hetimor, Prend dhe Antoneta Paluca mbetën të plagosur në një pritë para shtëpisë së tyre, që sipas të dhënave kishte si qëllim ekzekutimin e tyre. Të paktën kjo është akuza e ngritur pas ngjarjes, që u klasifikua si vrasje e mbetur në tentativë. Fillimisht, autori ka qëlluar Prend Palucën, i cili ka marrë një plumb në brinjë që ka depërtuar thellë në trup. Ky i fundit iu nënshtrua një operacioni kirurgjikal në Spitalin e Traumës ku ndodhet në gjendje më të stabilizuar.

Gjatë atentatit me armë zjarri, e pranishme ka qenë edhe vajza 15- vjeçare e çiftit, të cilën po e dërgonin në shtëpi. Sulmi është organizuar menjëherë sapo bashkëshortët kanë hyrë në rrugicën për në banesën e tyre, të cilët janë ndeshur me një makinë me xhama të errët. Nga aty ka zbritur një person i armatosur dhe ka shkuar drejt mjetit të çiftit Paluca.

Sapo Preng Paluca ka hapur derën, autori ka vënë dorën te xhami dhe ka nxjerrë armën. Në këtë moment, mësohet se 50- vjeçari e ka shtyrë, ndërsa ai e ka qëlluar dhe e ka plagosur. Më pas, autori ka qëlluar edhe drejt Antoneta Palucës. Nga pamjet e kamerave të sigurisë që filmuan gjithë ngjarjen, Policia nuk arriti t’i identifikonte atentatorët për shkak se ata kishin vendosur maska silikoni në fytyrë si dhe në pjesën e kokës.

Më pas, ata u larguan nga vendi i ngjarjes, duke humbur kështu gjurmët. Vëllai i Prengës deklaroi për mediat në atë kohë se nuk kishte konflikte me askënd.

 “Nuk dimë t’i kemi borxh njeriu. Jemi shtatë vëllezër. Unë me Prengën jetojmë këtu, në këtë banesë, kemi ardhur nga Puka prej 23 vitesh, të dy kemi një firmë modeste materialesh ndërtimi në periferi të Kamzës, me atë merremi. Vëllezërit e tjerë i kam jashtë. Ndodhesha në banesë natën kur ndodhi ngjarja, nuk dëgjuam asgjë derisa autorët ikën. Pastaj dëgjuam një rrëmujë, ndodhi shumë shpejt sa nuk po kuptoja asgjë. Antoneta fatmirësisht nuk ka asnjë pasojë nga ajo që ndodhi, Prenda ende është në Spital, në situatë delikate por e ka kaluar rrezikun. Policia po heton, atyre ua kemi lënë, nuk duam media dhe ekspozim pasi nuk besoj se kjo është zgjidhja. As brez pas brezi s’kemi pasur hasmëri a konflikt me njeri”, tha Mark Paluca.

Ndaj banesës së vëllezërve Paluca u vendos lëndë eksplozive

Vëllezërit Paluca ishin shënjestër e një atentati edhe më herët. Rreth tre vite më parë, në banesën e tyre është vendosur një sasi e konsiderueshme tritoli, duke shkaktuar dëme materiale. Fatmirësisht nga ngjarja nuk pati persona të lënduar.

Pavarësisht kohës që kalonte dhe dy tentativave për eliminim e tyre, familja Marku dhe dhëndurët e tyre, nuk ishin tërhequr nga përpjekjet për të vrarë vëllezërit Paluca. Fatmirësisht, tentativën e tretë për vrasje, është parandaluar në kohë nga policia e Lezhës. Dyshohet se akti kriminal është një skenë e pastër hakmarrjeje për larje hesapesh të vjetra mes Prend Palucës dhe atentatorëve, megjithatë efektivët e policisë po gjurmojnë të gjitha pistat hetimore për të zbardhur plotësisht ngjarjet.

Edhe gjatë atentatit të 8 gushtit, vrasësi ende i pa identifikuar nga policia, ka pasur në shënjestër Prend Palucën, i cili në momentin e ngjarjes shoqërohej nga bashkëshortja e tij. Si pasojë e kërcënimeve të vazhdueshme për jetën, banesa e kësaj familje survejohej me të paktën katër kamera sigurie, pamjet e të cilave janë sekuestruar nga Policia, por që nuk arriti të identifikonte dot personin që qëlloi me armë zjarri silenciator mbi çiftin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura