Vizita e Sekretarit Blinken dhe pritshmëritë e shqiptarëve

Feb 15, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

arben-malaj

PROF. DR. ARBEN MALAJ

“Shtetet e Bashkuara qëndruan me ju për 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndrojmë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme, dhe për 100 të tjera pas tyre, dhe ato 100 pas këtyre.” Hillary Clinton.

Vizitat e Sekretarëve të Shtetit të SHBA-ve dhe të kolegëve të tyre nga vendet e BE-së janë një mundësi shumë e mirë për të konsoliduar, rritur dhe zgjeruar bashkëpunimi dhe impaktin pozitiv jo vetëm në sfidat kombëtare. Partneriteti strategjik me SHBA-të ka rrënjë të thella dhe është në përputhje me vullnetin e mbi 85 për qind të shqiptarëve. Shqipëria ka vite që angazhohet si kontribuuese efektive, duke filluar nga zhvillimet në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimorë.

SHBA-të mund të luajnë një rol më ndikues dhe të harmonizuar me BE-në në zgjidhje të situatës së trazuar midis Serbisë dhe Kosovës, situatë që ndikon negativisht edhe te vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Avantazhet tona historike duhet të mbrohen me fanatizëm nga jo vetëm prej politikanëve, por sidomos duhet të mbrohen nga shoqëria civile dhe opinioni publik. Opinioni publik nuk vepron sipas instinktit të zgjedhjeve politike të radhës, por në bazë të krenarisë dhe dashurisë për vendin e tyre dhe për perspektivën euro-atlantike të fëmijëve të tyre.

Avantazhe historike të vendit tonë përfshijnë: Shqipëria e shekullit të 20-të nuk ka pasur konflikte etnike; nuk ka pasur konflikte fetare dhe opinioni publik shqiptar është një mbështetës i qartë dhe i përkushtuar në orientimin dhe angazhimin e Shqipërisë drejt paqes dhe mirëqenies edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimorë. Shqipëria është aleat i besueshëm dhe efektiv për NATO dhe SHBA në arritjen dhe ruajtjen e paqes dhe për rritjen e mirëqenies në rajonin tonë historikisht problematik.

Efektet e ndikimit pozitiv të Shqipërisë në zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi janë të prekshme. Kërkohet ndoshta pak më shumë dhe më konkret angazhim nga Shqipëria, por sidomos nga SHBA dhe NATO në harmonizimin e qëndrimeve dhe angazhimeve të Kosovës në arritjen e paqes së stabilizuar me Serbinë, duke konkluduar në njohjen e Kosovës si shteti i pavarur dhe me lehtësimin dhe përshpejtimin e Serbisë si vend anëtar i BE-së. Në bashkëpunimin me Serbinë për të reduktuar barrierat e së kaluarës dhe për të përshpejtuar progresin drejt integrimit evropian, Shqipëria nxit bashkëpunimin efektive me vendet e tjera, në ruajtjen e paqes dhe rritjen e mirëqenies në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor. Një shembulli pozitiv vjen nga Maqedonia e Veriut, ku shqiptarët kanë status shtetformues. Shqiptarët po e mirëpërdorin këtë status për reduktimin e krizave politike në MV dhe krijimin e stabilitetit politike për të avancuar plotësimin e reformave të domosdoshme dhe të dobishme në avancimin e Maqedonisë së Veriut në integrimi euro-atlantik.

Nga këto procese demokratizuese dhe europianizuese të MV-u përfitojnë të gjithë, maqedonasit, shqiptarët dhe çdo entitet tjetër etnik apo kulturorë. Ky kontribut pozitiv dhe i spikatur konstatohet edhe në testet e Eurobarometrit të BE-së, ku shqiptarët mbështesin anëtarësimin në NATO dhe perspektivat evropiane më shumë se maqedonasit. Disa kriza politike që mund të dëmtonin të ardhmen euro-atlantike në Maqedoninë e Veriut janë zgjidhur prej bashkëpunimit jo të lehtë me partitë politike shqiptare, kryesisht nga BDI, por jo vetëm prej saj. I njëjti peizazh gjeopolitik konstatohet edhe në zhvillimet politike në Mal të Zi, ku edhe pse shqiptarët janë rreth 10% e popullatës angazhimi i tyre pro NATO-s dhe BE-së ka zbutur krizat politike dhe ka mbrojtur demokracinë në Malin e Zi nga provokimet dhe ndikimet negative të vendeve jomiqësore me SHBA dhe BEnë. Po kështu, në mbështetje të anëtarësimit NATO-s dhe në perspektivën evropiane të Malit të Zi, shqiptarët kanë qenë mbështetës më të mëdhenj se sa malazezët.

Shqipëria ka një statut të veçantë bashkëpunimi me SHBAtë në harmonizimin e plotë të qëndrimeve në Këshillin e Sigurimit, mbështetjen e Ukrainës, por edhe në lehtësimin e krizës të grave e vajzave afgane dhe muhaxhedinëve. Për këta të fundit, Shqipëria po paguan një kosto jo të vogël kryesisht në fushën e sigurisë kibernetike, sidomos pas sulmeve periodike të hakërave iranian të sponsorizuar nga qeveria iraniane. Në qoftë se ka një kërkesë që pala shqiptare duhet t’ia kërkojnë pa ndrojtje sekretarit Blinken është mbështetja e SHBA dhe NATO-s fushën e sigurisë kombëtare, duke filluar nga siguria kibernetike. Këtë funksion kaq kritik, ne duhet “t’iu dorëzojmë” partnerëve tanë strategjikë për një periudhë të ar syeshme. Çdo ambicie për të përdorur inteligjencën artificiale në funksionet dhe shërbimet publike “online”, çdo kërkesë ndaj bankave për të rritur aplikimin “open bank”, çdo ambicie për të luftuar informalitetin, korrupsionin dhe kapjen e shtetit – mund të mbeten thjesht dëshira të rrezikuara ndjeshëm nga lufta dhe sulmet kibernetike.

Vizita e Sekretarit të Shtetit ka nxitur shumë diskutime për thelbin e saj. Ndoshta kjo vizitë ka të paktën tri mesazhe kryesore.

I pari – do ta jetë rikonfirmimi i Shqipërisë si një partner i besueshëm strategjik për zhvillimet pozitive në rajon, por edhe për mbështetjen e NATO-s në sfidat e saj përballë luftës midis Rusisë dhe Ukrainës dhe rreziqeve të ripërtëritura të konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës. Rasti i dytë ka pak shanse të ndodhë. Por risqet e konflikteve mbahet të ndezura nga situata kritike në Bosnje-Hercegovinë, por edhe nga konfliktet e shtuara midis Kosovës dhe Serbisë.

I dyti – do të jetë mbështetja publike dhe pa rezervë e reformës në drejtësi dhe veçanërisht e SPAK për impaktin përcaktuese në reduktimin e një prej sëmundjeve më të rënda për vende si Shqipëria, që është kultura e pandëshkueshmërisë. Kjo reformë e domosdoshme, por jo e harmonizuar në tërësinë e saj, krijon jo pak kosto jo vetëm ekonomike. Rritja e dosjeve me vonesa të jashtëzakonshme në gjithë sistemin gjyqësorë të vendit ul vlerësimin publik për reformën dhe mban të bllokuara dhe jashtë qarkullimit ekonomikë miliarda dollarë.

Mesazhi i tretë – mund të jetë njoftimi publik i ndihmës direkte të SHBA-ve me projekte konkrete, veçanërisht në mbështetje të rritjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare. Ndihma për reformat strukturore, lehtësimi përputhshmërisë së legjislacionit me standardet e BE-së janë projekte të pritshme, që SHBA do të mund t’i realizojë në vendin tonë përmes USAID-it.

Vizita e Sekretarit të Shtetit Blinken mund të jetë një ditë ose disa orë. Ndërsa partneriteti strategjik mbetet i përhershëm. Kjo u shpreh qartë nga fjalët e ish-Sekretarit të Shtetit në Kuvendin e Shqipërisë më 8 nëntor 2012, kur theksonte se: “Jam sot këtu, në këtë çast historik në historinë tuaj, me një mesazh për popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara qëndruan me ju për 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndrojmë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme, dhe për 100 të tjera pas tyre, dhe ato 100 pas këtyre…”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura