Vendimi për pensionet para ’96, shtohen kategoritë që përfitojnë nga rritja

Mar 3, 2017 | 11:28
SHPËRNDAJE

Shtohen kategoritë e pensionistëve që preken nga rritja e pensioneve. Nisma për të cilin ka muaj që flitet u zyrtarizua dje, duke u dhënë mundësinë edhe 3 mijë të moshuarave të tjerë, që u është lidhur pensioni para 96-s, të përfitojnë nga shtesa, e cila varion nga 196 lekë deri në 3.737 lekë në muaj.

pensioniste1

Vendimi i ri i Qeverisë “Për ngushtimin e diferencave në masën e pensioneve të lidhura në periudhën nga viti 1993 dhe 1996” vjen pas atij të miratuar në muajin qershor të këtij viti, nga i cili përfituan rreth 19.655 pensionistë. Së fundmi, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka parë mundësinë për zgjerimin e mëtejshëm të fashës, duke bërë pjesë të skemës rishtazi edhe rreth 3 mijë të moshuar.

PËRFITUESIT

Vendimi parashikon shtesë në masën e pensionit jo vetëm për gratë e arsimit dhe kulturës, por edhe ato gra që kanë kryer punë të klasifikuara, si punë të vështira, konkretisht si tornitore, tezgjahiste dhe naftëtare. Gjithashtu është shtuar edhe ndryshimi i masës së pensioneve të llogaritura në harkun kohor 01.04.1996– 31.12.1996. “Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.4.1996 deri më 31.12.1996, me masë pensioni në këtë periudhë, pas rillogaritjes sipas ligjit nr.9588 “Për rillogaritjen e pensioneve”, nga 3.682 lekë deri në 5 420 lekë në muaj, shtohen me shuma fikse, duke arritur në masën 14.089 lekë deri në 23.640 lekë në muaj”, thuhet në vendim.

123456

MASA E PËRFITIMIT

Shtesa e miratuar për pensionet e lidhura para 1996-s nuk është fikse për të gjithë. Ajo përcaktohet në varësi të faktit se në cilin grup bëjnë pjesë përfituesit, po ashtu sipas datës kur kanë dalë në pension, si edhe masës fillestare të pensionit.

Burime nga ISSH bëjnë me dije se rritja e programuar që do të nisë të aplikohet që prej datës 1 qershor 2016, varion nga 196 lekë deri në 3.737 lekë në muaj. Për gratë që kanë punuar në punë të kategorisë së parë dhe të dytë, të cilat kanë plotësuar moshën për pension të plotë pleqërie si dhe minatorët e nëntokës, shtesa është më e lartë dhe shkon 4.400 lekë në muaj. Konkretisht, një pensionist në pension maksimal pleqë- rie në datën 1.12.1995 përfitonte 4.400 lekë në muaj.

Në datën 31.5.2016 masa e pensionit të tij të pleqërisë ishte 19.903 lekë në muaj. Nga data 1.6.2016, kjo masë pensioni do të marrë një shtesë prej 3.737 lekësh, për të arritur në masën 23.640 lekë në muaj dhe pas indeksimit të datës 1.8.2016 dhe atij që ka nisur prej 1 marsit, arrin në masën 24.738 lekë në muaj.

Ndërsa një minator i nëntokës, në pension të parakohshëm në datën 01.12.1995, që plotëson moshën për pensionin e plotë dhe pensioni i rillogaritur si i plotë, në datë 1.12.1995 rezulton 4.400 lekë në muaj, në datën 29.11.2016 do të përfitojë pensionin në masën 24.018 lekë në muaj, nga 17.580 lekë në muaj, që përfitonte më parë. E njëjta masë përfitimi shtesë do të aplikohet edhe për gratë që kanë kryer punë të kategorisë së parë dhe të dytë. Pra rritja e pensionit për to do të jetë rreth 4.400 lekë në muaj.

VENDIMI

Vendimi i parë për ngushtimin e diferencave në masën e pensioneve të lidhura në periudhën 1993-1996 u miratuar rreth 8 muaj më parë. Gjithsej ishin 19.655 të moshuar që përfituan. Pjesa më e madhe prej tyre janë nga radhët e atyre që kanë dalë në pension pleqërie, për të cilët shtesa ishte deri në 844 lekë në muaj.

Ndërkohë, për kategori të caktuara, sikundër janë arsimtarët, minatorët dhe ish-ushtarakët, rritja ishte më e lartë, duke variuar nga 4 mijë deri në 5 mijë lekë. Sipas ministrit të Mirëqenies Sociale, përmes kësaj nisme ligjore synohej që të korrigjohej një parregullsi, e cila daton nga koha e llogaritjes së pensioneve.

Këta të moshuar kanë qenë të penalizuar, pasi, edhe pse kanë qenë në kushte të njëjta me të tjerët, ata kanë përfituar një pension më të ulët. Për vite me radhë, ky dëm i krijuar nuk është korrektuar. Një gjë e tillë kërkohet që të realizohet përmes kësaj vendimmarrjeje.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura