Vdes në burg “Mile Çami”, vrau nënën e Lulzim Cakës

Dec 11, 2013 | 12:51
SHPËRNDAJE

Fatmir Emini i dënuari për vrasje që ndërroi jetë në spital
Mile Çami vdes në burg nga hemorragjia cerebrale. Fatmir Emini, i dënuar me 22 vjet për vrasjen e nënës së Lulzim Cakës në Lushnjë, si dhe me 25 vjet nga Apeli për vrasjen e inxhinierit Gjergji Halo në Fier, ka ndërruar jetë në Burgun e sigurisë së lartë të Peqinit. I njohur si “I forti i Fierit”, 54-vjeçari pësoi hemorragji cerebrale pasditen e së hënës, duke gjetur vdekjen në ambientet e neurokirurgjisë në Tiranë. Një vit më parë, ai ishte transferuar nga burgu i Krujës në atë të Peqinit, ku dhe u sëmur rëndë.
Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Emini kishte pësuar dy ditë më parë një tjetër goditje cerebrale. Në momentin që ka ndodhur goditja e dytë, të dënuarit i është ofruar menjëherë ndihma mjekësore pranë QSUT-së së Tiranës. Me gjithë konstatimin e shkakut të gjendjes së rënduar dhe shtrimit të 54-vjeçarit, ai ndërroi jetë rreth orës 17:20 të së hënës. Nga Burgu i Peqinit mësohet se prej kohësh ai vuante nga tensioni i lartë, çka dyshohet se ka sjellë dhe goditjet në sistemin nervor me pasoja fatale. Emri i Fatmir Eminit është bërë i njohur që në vitin 1997, kur u akuzua për vrasjen e Bujar Sulës, me nofkën “Loshi i Karbunarës”. Si pasojë e një përplasjeje të përgjakshme me grupin e Lul Cakës, i cili akuzohet për vrasjen e vëllait të Eminit, “Mile Çami” bashkë me vëllezërit Artan dhe Bledar Yzeiri vranë në verën e vitit 1999 nënën e Lul Cakës. Për këtë krim, në prill të këtij viti Gjykata e Fierit e dënoi Fatmir Eminin me 22 vite burg. Emini ishte akuzuar dhe për vrasjen e inxhinierit fierak, Gjergji Halo, e ndodhur në korrik të vitit 2000. Për këtë ngjarje, në shtator të këtij viti Apeli la në fuqi dënimin me 25 vjet burg. Vetë Emini nuk e ka pranuar asnjëherë krimin ndaj inxhinierit dhe hetimet për këtë çështje janë hapur dhe mbyllur disa herë. Vdekja në mënyrë natyrore e Fatmir Eminit shënon humbjen e tretë të meshkujve të familjes. Në vitin 1997, Loshi i Karbunarës qëlloi për vdekje vëllain e Mile Çamit, Pëllumb Emini. Për këtë ngjarje u akuzua dhe mori dënim me 25 vite burg Lulzim Caka. Në 22 janar të vitit 2011, një ditë pas demonstratës në Tiranë, u qëllua për vdekje vëllai tjetër, Ismet Emini. Ky krim ka mbetur pa autor, ndonëse Policia dyshoi se bëhej fjalë për një hakmarrje për shkak të ngjarjeve ku ishte përfshirë vëllai i tij i burgosur, Fatmir Emini.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura