Të velur nga Veliaj!

| 13:43
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja

Edmond-Tupja-1

“Fjalori i gjuhës shqipe” ( Tiranë, 2006) na mëson me një saktësi serioze të paqortueshme se folja “vel”, përveç kuptimit “ia pres dikujt dëshirën për të ngrënë duke i dhënë ushqime me shumë yndyrë ose shumë të ëmbla”, ka edhe kuptimin e figurshëm “e mërzit tepër dikë; i ngjall neveri: na veli me fjalë”. Rrjedhimisht, nën dritën e sinqertë të këtij përkufizimit të figurshëm, gjithnjë e më të shumtë janë miqtë e mi jo vetëm kryeqytetas, por edhe prej qyteteve të tjera të vendit tonë të vrerosur nga qeverisja ma(v)risocialiste e kryeministrit me emrin Edi Rama, të cilët janë haptas ose gjysmë haptas, ose edhe heshtazi kundër bëmave bombastike të kryebashkiakut me emrin Erion Veliaj, në veçanti kundër betonimit të pamëshirshëm të Tiranës si në rrafshin horizontal, ashtu edhe në atë vertikal. Sot do të quhej gënjeshtar ose mashtrues i përmasave monumentale ai ose ajo që do të thoshte, për shembull, “Oh, më ra celulari përdhe / përtokë” sepse, dhe apo tokë, rrugëve e shesheve të Tiranës, ka përherë e më pak ku  kalimtari ose kalimtarja në fjalë mund të vërë këmbën, aty, pra, ka përherë e më shumë beton, pllaka guri ose asfalt, kështu që atij ose asaj do t’i duhej, për të qenë i / e saktë, të thoshte: “Oh, më ra celulari përbeton / përasfalt!”; nga ana tjetër, kullat prej betoni, por të stolisura me metal apo me qelq mashtrues, po na e pakësojnë sa vjen e më shumë sasinë e oksigjenit, ashtu siç do të ndodhte në një dhomë gjumi të mbushur deng me mobilie që të pengojnë madje të hapësh dy kanatat e dritares, ndoshta të pengojnë ta hapësh krejtësisht edhe derën.

Këtij konteksti tronditës i duhet shtuar detyrimisht edhe cilësia e ajrit që thithim, të cilin na e bëjnë bujarisht dhuratë veturat, autobusët e motoçikletat, ajër ky që po rezulton përherë e më shumë i ndotur nga dioksidi i karbonit; këtij konteksti tronditës i duhet shtuar gjithashtu pashmangësisht edhe cilësia fort e dyshimtë e ujit të pishëm që vjen nga Bovilla, e cila, jo për fajin e saj, shtyn e pështyn një ujë të papastër deri te rubinetat e shtëpive të tiranasve të vjetër e të rinj.

Këto ditët e fundit, dëgjuam se Erion Veliaj, ky ambientalist e ekologjist tejet i lavdishëm (me “d” dhe aspak me ndonjë germë tjetër), që drejton Orkestrën Filarmonike të Betonit Ngadhënjimtar, do të mbjellë në Farkë, pra në rrethinat e afërta të kryeqytetit, një mijë rrënjë pemë me qëllimin e lartë, synimin e gjerë edhe objektivin e gjatë për të ndikuar fuqishëm (mos e lini të avullojë rrokjen e parë të kësaj fjale!) në pastrimin e ajrit të Tiranës që rëndon e rënkon nga ndotja. Por, sidoqoftë, qarkullojnë zëra se këto pemë do të mbillen sidomos për të pastruar ajrin e vilave të bosave pasunarë pikërisht në zonën e Farkës, sepse deri në kryeqytet oksigjeni i tyre do të tretej si kripa në ujë!

Përveç kësaj, për t’u përgëzuar kombëtarisht e ndërkombëtarisht është bashkia e Durrësit, që ka shpallur një tendër tundues për zbukurimin e qytetit me lule shumëngjyrëshe, falë aromave të të cilave do të mund të përfitojnë edhe hundët e mushkëritë e tiranasve të gjorë të tejveluar nga Veliaj, veçse me kusht që bashkia e Tiranës të bëjë një marrëveshje apo të lidhë një kontratë me detin Adriatik në mënyrë që ky t’i drejtojë erërat e tij drejt lindjes, d.m.th. drejt Tirana, përndryshe nga aromat e luleve durrësake do të përfitonin kryesisht banorët e bregut lindor të Italisë (ndoshta edhe ndonjë arbëresh aty-këtu); gjithsesi, do të duhet që kryeministri shqiptar me emrin Edi Rama të bisedojë automatikisht e aromatikisht me homologun e tij italian Conte lidhur me mundësinë e një koncesioni apo PPP-je në interes të të dy mafieve (oh, më falni) të të dy vendeve tona.

Së fundi, por jo më së paku, syvelur deri në neveri nga betoni veliajan, mushkërifryrë si tullumbace helmuese deri në neveri nga gazrat veliajane të makinave, veshëkumbues nga kori veliajan i zhurmave zhangëlluese të vinçave e të betonierave, pa llogaritur shijen e helmët që u kanë lënë shpronësimet veliajane aq të padrejta apo të pabesa, pa llogaritur zhdukjen e monumenteve historike të Tiranës, siç është mjerisht rasti i shembjes së Teatrit Kombëtar (të cilën Kryebosi i Madh Rama ia la kopilisht në derë kryebosit të vogël Veliaj) apo rasti i dramës që po luhet në kurriz të Kullës së Sahatit, tiranasit e vjetër e të rinj do ta kenë kuptuar më në fund se sa i vlen lëkura kryebashkiakut me emrin Erion Veliaj dhe, për pasojë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, nuk do të mund të ushqejnë as më të voglin iluzion lidhur me figurën e tij pandreqshmërisht zhgënjyese.

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.