Nga “Final 4” te “play out”, dueli Laçi-Tirana vendos… shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2024 | 9:56

Nga “Final 4” te “play out”, dueli Laçi-Tirana vendos… shumë

Edhe këtë sezon Laçi-Tirana e fazës së katërt do të jetë një ndeshje që do të vendosë shumë për sezonin e dy skuadrave.

TIRANA-LACI

Laçi kërkon të fitojë që të shpëtojë nga “play out”-i, ndërsa Tirana të futet në “Final 4” për të luajtur për titullin kampion dhe një vend në Europë. Sezonin e shkuar Tirana në Laç fitoi 1-3, teksa me atë triumf mbajti fort rrugën për vendin e parë, tri javë nga fundi.

Dy sezone më parë në sfidën mes Laçit dhe Tiranës, bardheblutë paraqiteshin në Kurbin si kampionë defakto dhe donin ta mundnin Laçin në shtëpi për t’u shpallur kampionë, por Laçi tregoi forcën dhe festa e titullit u shty për më vonë. Në sezonin 2020- 2021, Tirana dhe Laçi luajtën një ndeshje vendimtare për Europën. Ajo që fitonte shkonte në kupat europiane. Në “Air Albania” triumfoi ekipi kurbinas dhe la bardheblutë jashtë Europës.

KATËR SEZONE – Në 15 ndeshjet e fundit që i përkasin katër sezoneve, Tirana është në epërsi fitoresh kundër Laçit. Kurbinasit kanë fituar 5 herë, ndaj shtatë ndeshjeve ku kanë triumfuar bardheblutë. Tri takime janë mbyllur në barazim, dy prej të cilave sfidat e fundit. Po kështu, Laçi nuk fiton në shtëpi prej 29 prillit 2022, pra ka dy vite pa fitore në fushën e vet.

ÇUDIA – Tirana dhe Laçi kanë një rezultat, të cilin nuk e kapin dot prej shumë vitesh. Bëhet fjalë për barazimin 0-0. Një ndeshje mes dy skuadrave pa gola është shënuar 15 prillin e 2017-ës. Që prej asaj kohe ndeshjet janë mbyllur gjithmonë me gola.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"