VIDEO/ Partizani në finale! Fitorja e thjeshtë ndaj Skënderbeut çon “Demat” në ndeshjen për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2024 | 23:54

VIDEO/ Partizani në finale! Fitorja e thjeshtë ndaj Skënderbeut çon “Demat” në ndeshjen për titullin

Partizani është finalisti i parë i “Final Four”. Ashtu siç pritej, të kuqtë kanë kaluar Skënderbeun në ndeshjen e parë gjysmëfinale të këtij mini-turneu dhe tanimë presin të qetë emrin e skuadrës që do të kenë përballë më datë 26 maj.

WhatsApp Image 2024-05-17 at 9.14.44 PM

Të kuqtë kalonin në ndeshjen e sotme edhe me një barazim, por ata treguan që nga minuta e parë se dëshironin vetëm një sukses në këtë sfidë. Rastet nuk u munguan, teksa shpërdoruan shumë të tillë para portës në pjesën e parë. Goli do të vinte vetëm në fillimin e të dytës me Bintsuka, teksa korçarët thuajse nuk vendosën asnjëherë në vështirësi Qirkon,

Shehi i dha mundësinë lojtarëve të tij të stolit që të kishin minuta në këmbë, duke kthyer edhe një emër si Cara në fushë, me sulmuesin i cili krijoi disa raste të rrezikshme në fund. Por sfida u mbyll pa gola të tjerë dhe me Partizanin që me lehtësi shkoi kësisoj në finalen për titullin kampion.

PARTIZANI-SKËNDERBEU 1-0
47′ Bintsuka

NGJARJET KRYESORE

90’+6’ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Partizanit.

90’+4’ Cara nis një top për Rrapajn, por gjuajtja e këtij të fundit nuk gjen portën. (VIDEO)

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

87’ Juri mundohet me një gjuajtje nga jashtë zonës të gjejë golin, sfera nuk gjen portën e Qirkos i cili u tërheq vëmendjen mbrojtësve.

84’ Një gjuajtje e befasishme nga distanca vë në vështirësi Qirkon i cili pret në dy kohë. (VIDEO)

83’ Mehmeti dhe Preka hyjnë në fushë në vend të Muratajt dhe Bintsuka në radhët e Partizanit.

79’ Xhantu ndëshkohet me karton të verdhë pasi shtyn me bërryl në zonë Sembenen. (VIDEO)

78’ Janaqi dhe Nikaj i bëjnë vend Pecanit dhe Moses në radhët e Skënderbeut.

76’ Gërço provon nga distanca, por gjen Qirkon në pozicion në gjuajtjen e parë të mirëfilltë në kuadrat të korçarëve. (VIDEO)

72’ Cara merr vendin e Mba në radhët e Partizanit.

71’ Atanaskoski nga e djathta pason në qendër për Mensah i cili në mënyrë të pabesueshme nuk kthen sferën drejt rrjetës.

69’ Liço gjen hapësirën për të gjuajtur në pozicion ballor pranë zonës së Partizanit, shënjestra është plotësisht e gabuar. (VIDEO)

67’ Mensah ka mundësinë që të godasë portën, i vetëm në të majtën pas një dalje të gabuar të Gërços, por gjuan larg katërkëndorit të Aliajt (VIDEO)

64’ Pas një goditje nga këndi, Sota me kokë provon të gjejë portën por dërgon sferën jashtë katërkëndorit.

63’ Mensah dhe Rrapaj mundohen të çajnë në krahun e majtë për të gjetur hapësirë goditje brenda zonës, mbrojtja korçare largon me vështirësi rrezikun.

60’ Skuka i lë vendin në fushë Mensah në vijimin e ndeshjes.

58’ Protestat e shumta sjellin edhe kartonin e verdhë për drejtorin sportiv të Partizanit, Arbër Abilaliaj, i ulur në pankinë. (VIDEO)

56’ Xhantu dhe Shaqe hyjnë në fushën e lojës duke marrë vendin e Rabiu dhe Vangjelit.

54’ Qarkullim i gjatë i topit i Skënderbeut, por pa arritur të krijojë lojë ofensive në gjysmëfushën kundërshtare, me të kuqtë të vendosur mirë për të shmangur surpriza.

50’ Rrapaj mundohet përsëri që të depërtojë në zonë, këtë herë nga e majta, por gjen Rabiu në pozicion që i heq sferën nga këmbët.

47’ GOOOL PARTIZANI! Rrapaj nga e djathta driblon dy lojtarë dhe pason qetësisht në qendër ku Bintsuka me kokë mposht pa shumë vështirësi portierin Alia. (VIDEO)

46’ Nis pjesa e dytë pa zëvendësime mes dy skuadrave.

45’ Mbyllet pjesa e parë me barazimin pa gola.

45’ Aksion i gjatë i të kuqve nga e djathta, topi në fund devijohet nga Mba dhe përfundon në fundore.

42’ Drejtori sportiv i Partizanit, Arbër Abilaliaj shkon në kufijtë e fushës dhe komunikon me Jorgjin, duke protestuar për faullet ndaj të kuqve. (VIDEO)

40’ Murataj pason për Bintsukan në zonë dhe ky i fundit gjuan pas një kthese të shpejtë, por sfera shkon mbi traversë. (VIDEO)

34’ Momente tensioni në zonë pas një faulli të Skukës ndaj portierit Alia i cili proteston te sulmuesi. Në fund është Skuka i cili ndëshkohet me të verdhë dhe pastaj janë Alia, Gërço dhe Murataj të cilët ndëshkohen gjithashtu për protesta. (VIDEO)

33’ SKuka provon të shënoje më një goditje me “gërshërë” nga e djathta, sfera shkon larg portës.

28’ Partizani vazhdon të prodhojë raste të rrezikshme të njëpasnjëshme. Këtë herë është Atanaskoski ai që nis një top perfekt nga e majta në qendër, ku Bintsuka nuk ia del të devijojë para portës së boshatisur. (VIDEO)

27’ Mba mundohet të hyjë në zonë me driblime, Prençi i bllokon hapësirën dhe fiton rivënien fundore.

22’ Një harkim në zonë gjen Bintsukën, gjuajtja e të cilit me kokë është shumë e lehtë dhe nuk shqetëson korçarët.

21’ Kundërsulm i rrufeshëm i të kuqve me Mba i cili e tepron me gjuajtjen nga distanca në vend të pasimit për Bintsuka, me sferën që përfundon lehtë në duart e portierit të korçarëve. (VIDEO)

19’ Rrapaj merr topin pranë zonës kundërshtare dhe gjuan nga distanca, pa gjetur katërkëndorin e Aliajt.

15’ Goditje dënimi e Liços pranë kufijve të zonës së të kuqve, gjuajtja e tij devijohet nga muri mbrojtës.

13’ Mundësi e shkëlqyer e Partizanit për të shënuar me Rrapajn, i cili merr një pasim të shkëlqyer nga Mba dhe shfaqet para portës, por gjuan jashtë. (VIDEO)

11’ Një harkim në zonë kthehet nga Sota drejt qendrës, Alia me vështirësi largon rrezikun para katërkëndorit të tij.

9’ Hadroj në të djathtën nis Muratajn i cili harkon në zonë, por topi kontrollohet nga Alia i vëmendshëm.

8’ Goditje dënimi e Partizanit, topi i harkuar në zonë te Skuka nuk devijohet drejt portës. Më pas aksioni bëhet i pavlefshëm për pozicion jashtë loje.

5’ Aksione të shpejta të Partizanit, që kërkon të gjejë golin që do ia afronte më shumë kualifikimin. Mbrojtja e skuadrës korçare ka vështirësi të ndalë tre sulmuesit e hedhur në fushë nga Shehi.

2’ Rast i menjëhershëm i të kuqve që nisen me Skukën nga e majta, pasimi i tij në qendër gjen Mba por gjuajtja e sulmuesit devijohet mbi traversë nga Alia. (VIDEO)

1’ Nis dueli në “Air Albania”.

FORMACIONET ZYRTARE

PARTIZANI: Qirko, Atanaskoski, Sota, Sembene, Hadroj, Maget, Murataj, Rrapaj, Skuka, Bintsuka, Mba.
Trajner: Orges Shehi

SKËNDERBEU: Alia, Prençi, Dumfur, Vangjeli, Gërço, Janaqi, Rabiu, Juri, Liço, Rashica, Nikaj.
Trajner: Ivan Gvozdenoviç

WhatsApp Image 2024-05-17 at 7.39.52 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"