Kukësi-Devolli, planifikohet takim kokë më kokë për të vendosur të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2024 | 23:52

Kukësi-Devolli, planifikohet takim kokë më kokë për të vendosur të ardhmen

Sezonin e ardhshëm skuadra e Kukësit do të militojë në Kategorinë e Parë, aty ku rikthehet pas 12 vitesh qëndrimi në elitë. Mes më të mirave bëri histori, sepse fitoi një kampionat, dy Kupa dhe një Superkupë.

devolli

Për fat të keq, këtë sezon humbi mundësinë t’i shtonte vetes edhe një tjetër trofe para se të zbriste një kategori më poshtë, ku u mund në finale të kupës nga Egnatia. Tani për verilindorët do të nis një fillim i ri, ku shpresojnë që në të Parën të jenë thjeshtë kalimtarë dhe vitin tjetër të rikthehen sërish në Superiore. Burime të “Panorama Sport” pranë klubit verilindor pohojnë se ka nisur puna për përgatitjen e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

TRAJNERI – Çështja e parë që mbetet për t’u zgjidhur është ajo e trajnerit. Bledar Devolli u thirr në emergjencë për të mbyllur sezonin, teksa e mori skuadrën thuajse në një gjendje të pashpresë. Mirëpo, me aq pak javë sa qëndroi, rihapi garën për qëndrimin dhe preku nga afër trofeun e kupës, ku vetëm në finale e humbi përballë Egnatias. Paraqitjet nën drejtimin e tij i kanë rritur kredencialet për të marrë besimin edhe për vitin e ardhshëm, por për momentin këto diskutime nuk kanë nisur të bëhen në klubin blu.

Burimet e gazetës pohojnë se gjatë ditëve në vijim do të ketë një takim mes palëve për të parë nëse mund ta vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të Parën, ku patjetër synimi do të jetë ngjitja në Kategorinë Superiore. Nëse ky projekt do t’i bashkojë, atëherë do të vazhdojnë sërish bashkë, në të kundërt Kukësi do të vihet në kërkim të një trajneri të ri.

GRUPI – Kukësi pat ndjekur një politikë me kontrata afatgjata me lojtarët, çka nënkupton se nuk mund të largohen nga skuadra. Mësohet se rreth 80 % e skuadrës aktuale do të vijojë të qëndrojë edhe në Kategorinë e Parë, të paktën ky është synimi i klubit blu, ku duan që të mos bëjnë shumë ndryshime në skuadër. Diçka e tillë u është bërë e qartë edhe lojtarëve, ku do të mbahen me synimin e vetëm për ta rikthyer menjëherë ekipin në Superiore.

Sakaq, edhe atyre që u ka mbaruar kontrata në fund të këtij edicioni, klubi do të ulet të negociojë kushtet e qëndrimit, për ata lojtarë që do të shihen si pjesë e projektit. Nga ana tjetër, burimet theksojnë se kanë nisur edhe piketimet për të afruar të tjerë futbollistë, në mënyrë që të mos vihen në diskutim ngjitja dhe në këtë nivel të jenë thjesht kalimtarë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"