Historia kritike e 40-vjetorit të herës së parë Shqipëri-Itali (PJESA II)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2024 | 21:48

Historia kritike e 40-vjetorit të herës së parë Shqipëri-Itali (PJESA II)

Nga BESNIK DIZDARI
PJESA E DYTË
NJË NDIKIM GAZETARIE I FUTBOLLIT NË MARRËDHËNIET NDËRSHTETASE
Takimet e para të futbollit në rang Kombëtareje midis Italisë dhe Shqipërisë, të zhvilluara në kulmin e regjimit komunist, do të bëheshin shkas i një lloj jehone për vetë Shqipërinë në tanësi. Kjo vinte nga izolimi dhe ardhja shumë e rrallë e gazetarëve të huaj në vend. Duke qëndruar te “Guerin Sportivo” ajo nuk i ndahet Shqipërisë. Në prag të ndeshjeve gazetari Pino Montagna, boton një shkrim, që sa sportiv po aq ishte dhe jo sportiv.

* Breshia, 4 prill 1984. Stadiumi “Mario Rigamonti”. Italia U-21- Shqipëria U-21 1-0. Është çasti i golit të italianëve shënuar nga Vignola me goditje dënimi në minutën e 33-të. (Foto e marrë nga “Guerin Sportivo” e vitit 1984 dhe botohet për herë të parë në shtypin shqiptar).

* Breshia, 4 prill 1984. Stadiumi “Mario Rigamonti”. Italia U-21- Shqipëria U-21 1-0. Është çasti i golit të italianëve shënuar nga Vignola me goditje dënimi në minutën e 33-të. (Foto e marrë nga “Guerin Sportivo” e vitit 1984 dhe botohet për herë të parë në shtypin shqiptar).

Shkrimin e tij me titullin e figurshëm “Pushtimi i Lindjes”, ne e ribotojmë në gazetë vetëm nja 10 ditë para ndeshjes së parë, atë të Tiranës të 14 marsit. Montagna në këtë shkrim, natyrisht i ndikuar edhe prej takimeve tona, nuk ka asnjë kritikë për Shqipërinë të ashtuquajtur Socialiste. Sidoqoftë, plot aftësi profesionale, ai bën një histori të shpejtë të futbollit shqiptar, madje dhe me imtësi, që nga fillimet deri në ditët aktuale dhe duke përfunduar me një portretizim të “Shpresës” sonë.

Ndërkohë, vazhdojnë reportazhet e zgjeruara të gazetarit Marco Montanari. Mbasi boton një shkrim të parë, duke u marrë më tepër me Italinë e tij të 21-vjeçarëve, ai boton reportazhin e tij nga ndeshja në fjalë, ribotuar prej nesh më 26 prill, këtu në “Panorama Sport”. Dhe po në “Guerin Sportivo” pas ndeshjes së Breshias, ai boton një tjetër, një lloj interviste me trajnerin Azeglio Vicini, pa u marrë thuajse aspak me Shqipërinë. Do të shpërthejë në reportazhin e tij përfundimtar për Shqipërinë në plot 6 faqe të “Guerin Sportivo”! Ai ka objektivitetin e një gazetari të huaj, i cili nuk ka arsye të shfaqë një nostalgji për Shqipërinë, por vetëm të pasqyrojë me shumë paanësi jetën shqiptare, natyrisht edhe sportin, kushtet, “panoramën qytetare” nëse mund ta quajmë kështu. Duke titulluar “Planeti Shqipëri”, ai e çel shkrimin e tij me një pamje fantastike peizazhi të Krujës, i ndikuar nga lavdia e epokës së Skënderbeut. Ndonëse pa nguruar të vendosë diku aty poshtë edhe një karrocë të drobitur me kalë në mes të qytetit. Më tej shfaqet një portret i vogël i Enver Hoxhës dhe një foto e Spartakiadës me tribunën e “Qemal Stafës” të koreografisë së saj me parullën gjigande “Prina Parti”.

Tiranë, 14 mars 1984. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”. Shqipëria U-21-Italia U-21 0-1. Italia para ndeshjes. Në këmbë nga e majta: Galia, Batistini, Mauro, Renica, Bonetti, Rampulla. Ulur nga e majta: Icardi, Mancini, Galli, Vignola, Monelli.

Tiranë, 14 mars 1984. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”. Shqipëria U-21-Italia U-21 0-1. Italia para ndeshjes. Në këmbë nga e majta: Galia, Batistini, Mauro, Renica, Bonetti, Rampulla. Ulur nga e majta: Icardi, Mancini, Galli, Vignola, Monelli.

Por fotot që sundojnë janë ato sportive. “Shpresa” shqiptare; Partizani; Sulejman Demollari; një çast nga ndeshja Shqipëri-RFGJ me kapitenët Targaj e Rumenige; Panajot Pano me të birin e tij Ledio; foto e ndeshjes së parë të futbollit tonë të 1913-tës; foto të tre kampioneve të Europës, Elizabeta Karabolli, Ermira Dingu e Emanuela Kola; foto të rekordmenit të çekiçit Fatmir Bajraktari dhe të volejbollisteve të Dinamos si dhe pishinën e sapopëruruar në Tiranë. Ndonjë dialog me Gëzim Nushin si anëtar i Federatës Shqiptare të Futbollit; mandej, herë mbas here dialogët me mua për sukseset e sportit shqiptar e deri te bojkotimi i Olimpiadës nga Shqipëria.

Nuk ka dyshim se ishte aty edhe ndikimi i bisedave tona, të cilat i komandonte Partia. Por një gazetar i talentuar si Marco Montanari, të cilit nuk i mungon dashamirësia për popullin fqinjë përballë, është në gjendje të kuptojë qëndrimin tonë të nënshtruar ndaj regjimit. Sidoqoftë, ajo çfarë është më e rëndësishmja, shkrimi tij në thelb, hap mbas hapi, flet për zhvillimet e sportit shqiptar.

Ky pra është sporti, në këtë rast futbolli, i cili shndërrohet edhe në një dukuri gjeopolitiketë marrëdhënieve midis shteteve. Është suksesi i madh i Shpresës së Shqipërisë, në tetëshe të Europës, që bën të mundur këto kontakte e marrëdhënie tejettë dobishme midis shteteve. Në këtë rast, pavarësisht nga sistemet e regjimi shqiptar në fuqi, pra, ndryshimet e mëdha midis tyre, siç ishin këto ItaliShqipëri.

NJË PORTRETIZIM I “SHPRESËS” SË ITALISË…
Kuptohet, ka qenë një kohë krejt tjetër, madje sa për futbollin e Italisë po aq edhe për atë të Shqipërisë. Mbas embargos të viteve ’60, Italia i ishte kthyer përsëri prej kohësh pranimit të lojtarëve të huaj. Megjithatë, sundonte rinia e futbollit italian. Nëse sot do të përimtonim sado pak “Shpresën” e Italisë në këto dy ndeshje me atë të Shqipërisë, do të kuptojmë se gjithçka nuk qëndronte thjesht te synimi për kualifikim i saj, por te detyra parësore e trajnerit Azeglio Vicini për të përgatitur lojtarë për Kombëtaren e parë të Italisë. Duke hyrë kështu paksa te historia e ecurisë së kësaj Kombëtareje – Kampione e Botës në fuqi, do të “zbulojmë” se prej këtyre lojtarëve të përzgjedhur prej tij, fanellën e “Azzurve” të Kombëtares të rangut të parë do të arrinin ta vishnin këta lojtarë të kësaj “Shprese”, 1983- 1984: Mançini– 36 ndeshje, Galderisi– 10 ndeshje, Battistini- 4 ndeshje, Galia– 3 ndeshje, Bonetti- 2 ndeshje.

Pak? Nuk mund të thuhet kështu, kur kujton rivalitetet e mëdha që përherë ekzistojnë midis talenteve të pandalshme të futbollit italian. Siç dihet, Roberto Mançini do të mbërrijë deri trajner i Kombëtares së Italisë, përveçse te Interi, Mançester Siti, e deri te Arabia Saudite sot.

Nuk duhet harruar se pothuajse të gjithë këta lojtarë do të arrijnë të përvetësojnë edhe fanellën e Kombëtares B të Italisë, e cila i ka të shumta ndeshjet e saj ndërkombëtare. Nuk e arrin Kombëtaren Massimo Mauro, ndër më të mirët e skuadrës, duke ruajtur vetëm “rekordin” e 17 ndeshjeve me 21-vjeçarët e Italisë. E megjithatë, po e quaj “kombëtaras” të një lloji tjetër edhe atë. Tejet i spikatur në ndeshjet me Shqipërinë, Massimo Mauro, kampion me Juventus e Napoli, bashkëlojtar me Ziko, Platini e deri me Maradonën, është sot në “kombëtaren” e opinionistëve italianë të futbollit në një prej dy rubrikave më të rëndësishme të Serisë A, që është ajo “Pressing” e Italia 1. Do të mbërrinte deri deputet i Republikës Italiane (1996-2001) me Partinë e Demokratëve të Majtë (Ish-Partia Komuniste).

Fotot me tri pamje janë tri sekuencat e golit të Monelli-t në minutën e 90-të.

Fotot me tri pamje janë tri sekuencat e golit të Monelli-t në minutën e 90-të.

Ajo çka është gjithashtu fort e rëndësishme, ka të bëjë me të dhënën tjetër që na thotë se jo “Shpresë” e Italisë përbëhej nga lojtarë titullarë të klubeve të tillë si Milan, Juventus, Inter, Fiorentina e Roma. Një përfaqësuese e denjë e të famshmes Serie A.

Ndonëse nuk do të shkonte më tej katërshes. Në gjysmëfinale ajo humbet 3-1 me Anglinë në Mançester dhe 0-1 në Firence. Kishte të bënte me Anglinë, e cila do të fitonte titullin kampione e Europës, duke triumfuar në dy finalet, 1-0 dhe 2-0 me “Shpresën” e Spanjës.

I gjithë ky portretizim i këtushëm i kësaj Italie, të bind edhe më fort se humbjet me 0-1 i dy ndeshjeve prej Shqipërisë kishin qenë më se dinjitoze.

…DHE NJË PORTRETIZIM i “SHPRESËS” SË SHQIPËRISË
Kalojmë tashmë te Shqipëria. Këtu është diçka krejt tjetër. Nga 16 lojtarët e këtyre dy ndeshjeve, plot 13 kanë arritur te fanella e Kombëtares së parë të shqiptare, sipas këtyre kuotave;

Demollari– 45 ndeshje, Zmijani– 36 ndeshje, Kushta– 31 ndeshje, Josa– 26 ndeshje, Targaj– 22 ndeshje, Hodja– 21 ndeshje, Jera– 15 ndeshje, H.Ballgjini– 14 ndeshje, Ocelli– 11 ndeshje, Braho- 9 ndeshje, Mersini– 6 ndeshje, Vila– 2 ndeshje, Canaj– 1 ndeshje;

Siç shihet nga shifrat e ndeshjeve, na del se shumica e tyre kanë qenë deri titullarë, për shumë kohë të palëvizshëm të Kombëtares së Shqipërisë. Do të shpërthenin me ndeshjet e bujshme të Kupës së Botës, jo larg, por vetëm mbas 6 muajve: 2-2 në Poloni dhe në 2-0 me Belgjikën në Tiranë.

Këto janë të dhëna prej ku edhe pse pas 40 vjetëve, del mësimi i madh i historisë. Merita e trajnerëve Ramazan Rragami e Petraq Ikonomi është kaq i madh saqë sot iu takon të nderohen me titujt më të shquar presidencialë. Ata kanë meritën e madhe profesionale, sepse në kushte jo kushedi se çfarë, ia kanë arritur të formojnë një Shpresë që zë vendin e parë në grupin e saj, duke lënë mbrapa Gjermaninë, Austrinë dhe Turqinë. Hyn në 8 më të mirat e Europës dhe zhvillon dy ndeshje mjaft të mira me Italinë, shtet i cili ishte Kampion i Botës në fuqi. Sigurisht nuk mund të mos përmend këtu meritën që kanë edhe dy njerëzit e tjerë, të cilët qenë më të afërtit me këtë skuadër: kryetari i FSHF-së, Kristaq Miço, e më pranë sidomos specialisti Miço Papadhopulli.

Në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të futbollit tonë, disi institucionale, nëse mund t’i përcaktojmë kështu, ka një ngjarje të jashtëzakonshme. Më 1980 vijnë në Shqipëri për një seminar trajneri i Kombëtares së Italisë, Ferruçio Valcareggi, mjeku i saj prof. Leoardo Vechiett dhe specialisti i shquar i Covercianos, Lello Antoniotti. Ka qenë vërtet befasuese ardhja e tyre. Seminari me ta është zhvilluar në “Hotel Tirana” dhe pjesëmarrës të pranishëm kemi qenë edhe ne, disa gazetarë. Takimi ka dhe një episod emocionues kur Valcareggi do ta niste praninë e tij duke përshëndetur trajnerin tonë Loro Boriçi me këto fjalë: “Ndihem i lumtur që mbas kaq vitesh, unë lojtar i Fiorentinës po takoj lojtarin e Lacios, Loro Boriçin”. Dhe kalojmë te katër vjet më vonë, në vitin 1984, tek mbërrin në Shqipëri me “Shpresën” e Italisë, njëri nga kjo treshe fort e nderuar. Është Lello Antoniotti, asokohe truri i stafit teknik të Covercianos, i cili për shkrimin e gazetarit Marco Montanari jep këtë gjykim për futbollin e Shqipërisë:

“Katër vjet më parë, situata nuk ishte fort e gëzueshme, në kuptimin që shqiptarët nuk përdornin skema krejt të sakta dhe më tepër i besonin rastësisë. Duke ardhur në Tiranë me Kombëtaren tonë Under 21, gjeta disa ndryshime: teknika individuale është përmirësuar shumë, fushat po ashtu, trajnerët i vendosin lojtarët me shumë inteligjencë. Mund të them se ata zotërojnë të gjitha të dhënat për një të ardhme shumë të mirë të futbollit”.

Ky përcaktim i 40 vjetëve më parë, i një shkencëtari të huaj të futbollit, siç duhet konsideruar Lello Antoniotti, aq sa të duket disi “antik” nga që i përket shekullit të shkuar, po aq është edhe aktual. Madje, të fut shumë në mendime edhe për të sotmen e futbollit tonë. Kësisoj, edhe pse përjetojmë arritjen e madhe të brenda 8 vjetëve të Kombëtares së parë të Shqipërisë që shkon dy herë në 24- shen finaliste të Kampionatit Europian. Por, ja që nuk mund të harrojmë se këtë sukses të madh në tanësi ajo nuk e ka arritur me lojtarë të tokës së Republikës së Shqipërisë, forcën futbollistike të së cilës po rrezikojmë ta braktisim. Them e po rrezikojmë deri aty saqë “Shpresa” e sotme e Shqipërisë të shndërrohet në një përfaqësuese disi shëtitëse dhe vetëm kaq. I rëndë ky konkluzion? Do t’iu lutesha ta gjykoni me gjakftohtësi.

DY NETË TË PASHLYESHME ME SANDRO CIOTTI-N DHE KOLEGËT E TIJ…
Dhe “Shpresa” e Shqipërisë e cila ka edhe “meritën” tjetër: me kualifikimin e saj historik u bë shkas të sillte në Shqipëri rreth 35 gazetarë të Italisë. Është vërtet e çuditshme se si shteti komunist u bind për këtë pranim. Pothuajse të gjithë ishin gazetarë të të përditshmeve italiane. Sa ishin të interesuar për ndeshjen, po aq ishin të interesuar edhe për “diçka” tjetër. E kjo “diçka” tjetër ishte vetë “zbulimi” i kësaj Shqipërie, e cila sa e mbyllur që ishte, po aq sikur kërkonte të hapej përmes futbollit të skuadrës së saj të mrekullueshme që ishte kjo e 21-vjeçarëve të saj.

Shoqëruesit e gazetarëve italianë ishin autori i këtushëm dhe gazetari i paharrueshëm Napoleon Roshi, me të cilin më lidhnin jo vetëm miqësia e gazetës “Bashkimi”, por edhe gazetaria sportive, pjesë e së cilës me shkrimet e tij shumë profesionale, ai ishte i pranishëm prej gati 30 vjetësh. Njeri ishte për dukuritë apo informacionet e sportit shqiptar, tjetri për politikën e jashtme.

Dhe ja te na mbërrin befasia e madhe. Gazetari i “Il Tempo” të Romës i drejtohet Napoleonit me këto fjalë: “Zoti Roshi, a mund të na organizoni një takim me Enver Hoxhën për një intervistë, sepse me sa dimë qysh prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ai nuk ka dhënë asnjë intervistë. Do të jetë diçka shumë e mirë, kjo edhe për faktin se gazeta jonë ka marrëveshje me disa nga të përditshmet më të mëdha të Europës dhe Botës, e kështu intervista do të botohej edhe në faqet e tyre”.

Napoeloni heshti për një çast, mandej vuri buzën në gaz dhe tha: “Me sa di ju jeni një gazetar sportiv, apo jo?”. E çka t’i thoshte tjetër! Kolegu italian u ngrys dhe thuajse thërriti: “Unë jam thjesht gazetar, pavarësisht se për çfarë temash shkruaj!”. Prapë heshtje. Ne mbetem pak si keq, po mandej kolegu italian vuri edhe ai buzën në gaz dhe kaluam te futbolli. E gjithë kjo bisedë e shpejtë u bë kur sapo kishim lënë mbrapa selinë e Komitetit Qendror të Partisë dhe po i drejtoheshim “Hotel Dajtit”…

Dhe ja ku mbërrijmë në “Dajtin” tonë famëmadh, sot të denatyruar, pse jo “poshtërsisht”. Kaq pashpresë, kështu kanë flakur tej një histori të pamatë…

Kam si tash parasysh atë mbrëmje të para ndeshjes sonë në atë mars 1984, kur ashtu të hijshëm e shtatlartë. Trajnerët tanë Ramazan Rragami e Petraq Ikonomi, do të mbërrinin në një nga sallat e “Dajtit” për një intervistë me gazetarët italianë. Nuk e pyetën shumë, e të dukej më tepër një takim sy më sy për njohje se sa përnjë intervistë. Sapo Rragami e Ikonomi hynë sallë, radiokronisti Sandro Ciotti i vështroi me plot respekt dhe me buzagazi pyeti se çfarë kishin luajtur kur kishin qenë futbollistë. Iu përgjigjen duke i thënë se kishin qenë mesfushor e qendërmbrojtës. Sandro plot respekt përsëriti në italisht: “Centrocampista e centromediano. Bello!”. Duke shtuar se ky bashkim ishte ideal për një futboll, si të thuash, me mend, teksa përgëzonte me aq sinqeritet për mrekullinë që ata kishin arritur duke eliminuar Gjermaninë e Berti Vogts-it!

Sandro Ciotti dhe Besnik Dizdari në kabinën e transmetimit radiofonik të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” për ndeshjen e “Shpresave”, Shqipëri-Itali, 14 marsit 1984

Sandro Ciotti dhe Besnik Dizdari në kabinën e transmetimit radiofonik të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” për ndeshjen e “Shpresave”, Shqipëri-Itali, 14 marsit 1984

Të nesërmen Sandro Ciotti prapë do të vinte buzën në gaz kur e detyruan me të gjithë kolegët e tij gazetarë italianë, që të paguante edhe ai biletën për të hyrë në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” për të transmetuar ndeshjen!? Ka ndodhur edhe kjo. Ky episod duhet quajtur botëror në historinë e gazetarisë. Sandro Ciotti qëndroi me butësi jashtë çdo kritike antishqiptare, dhe përveç të tjerave, kurrë nuk mori vesh se brenda në kabinën e transmetimit të Radio Tiranës në praninë time, të Ylli Pepos e të Ahmet Shqarrit, qëndronte edhe një “kuadër” i mirënjohur i Sigurimit të Shtetit Shqiptar! Dhe “aventurat” e gazetarisë që nuk donin të mbaronin.

Do të mbërrinim te ngjarja mbase më e padëshirueshme. Sandro Ciotti nuk mundi të transmetojë më tepër se pesë minutat e fundit të ndeshjes për mungesë lidhjeje teknike me Romën. Ndonëse edhe kaq po na mjaftonte ne, që po aty pranë tij, të ndjenim kënaqësinë e radiokronistit të drejtpërdrejt italian, i cili plot art shtjelloi në ato pak minuta për dëgjuesit e RAI-t, aventurën e vetme të një Kombëtareje Italiane në Shqipëri, gjithnjë në kombinim me intervistat nga tribuna të kolegut të tij, radiokronistit tjetër të shquar, Ezio Luzzi.

Do të bisedoja gjatë në mbrëmje te “Dajti” me Sandro Ciotti-n. Përveç të tjerave, bashkëlojtar i Riza Lushtës dhe admirues i Naim Kryeziut e Loro Boriçit. Edhe pse në largësi, por tejet i afërt falë radios, edhe për ne ai qe si një mësues. Qoftë dhe jo drejtpërdrejt. Do të mbetet i këtillë, rrëqethës madje, edhe me këtë hyrje të përjetshme emblematike të radiokronikave të tij:

“Të nderuar dëgjues, jemi lidhur me stadiumin ‘San Siro’ prej ku Sandro Ciotti ju uron një mirëdita dhe një dëgjim të mirë. Dita është me diell, terreni është krejtësisht i praktikueshëm. Nuk fryn erë, ndërsa tribunat janë të mbushura përtej kapacitetit”.

Ky ishte Sandro Ciotti, “La Voce d’Italia”, siç e ka përcaktuar e çmueshmja e Bolonjës “Guerin Sportivo”.

Na e “kishte sjellë” në Shqipëri “Shpresa” shqiptare për ta admiruar nga afër. Ai hyri qetë-qetë në kabinën prej kompensato të Radio Tiranës për të transmetuar pesë minutat e tij të vetme të ndeshjes aq të rëndësishme të Europës, atë Shqipëri-Itali të 14 marsit 1984. Radio pra, ndryshe “la mia vecchiacara radio”, siç i thonë në Itali. Ajo Radio të cilën Italia ia kishte dhuruar dhe instaluar për herë të parë Shqipërisë më 1938. Duke këmbëngulur madje, që të përurohej me një transmetim radiofonik të një ndeshje futbolli: Sportklub Tirana-Iraklis Kavalla e Greqisë 7-0. Radiokronisti ka këtë emër: Anton Mazrreku! Lojtari kryesor golashënues ka emrin Riza Lushta! Më pas yll i Juventusit, i cili do ta mbyllë karrierën e tij me skuadrën e Forli, ku do të kishte bashkëlojtar pikërisht futbollistin Sandro Ciotti! I cili ishte mik i shqiptarit tjetër të madh të futbollit, Naim Kryeziut, të cilin vetëm disa muaj më parë e kishte intervistuar në radio, por dhe ish-lojtar i të rinjve te Lacio kur Loro Boriçi ishte titullar i të rriturve në këtë skuadër në vitet ‘40. Do të më fliste me pasion për ta, duke ma dridhur mua trupin, teksa për herë të parë po dëgjoja nga goja e një bashkohësi gazetar legjendar italian, përkufizime të rralla për këta tri yje të futbollit shqiptar. Sigurisht, në atë vit 1984 kurrë nuk do të më shkonte ndërmend se pas nja dy dekadash, do të përktheja e do të botoja për Institutin e Medias fragmente të librit të tij unikal “Dyzet vjet fjale”.

Ky ishte Sandro Ciotti (1928-2003) i legjendares “Tutto il calcio minuto per minuto”, por dhe drejtues i emisionit “La Domenica Sportiva” në TV. I dërguar special në 14 Olimpiada, në 15 Giro d’Italia e 9 Tour de France, në 40 Festivale të Sanremos si dhe në transmetimin e rreth 2500 ndeshjeve të futbollit, autori i fjalëve të këngëve “Ventiquatromilabaci” të Celentano-se “Volare” të Modugnos. “Vëlla i brezit unik dhe të humbur, të një epoke që është historike: ajo e Sergio Zavoli-t, Enzo Tortora-s, Lello Bersani-t, Alfredo Pigna-s, Tito Stagno-s”, siç e ka përcaktuar e çmueshmja “Guerin Sportivo”, që siç lexuat, nuk ndali me shkrimet e saj për “Shpresën” europiane të Shqipërisë 1983-1984.

Sa fort që deshtëm t’i njihnim, por sidomos të mësonim prej tyre, sidomos në vitet ‘60, qoftë dhe në largësi, pra edhe ne, “brezi i humbur idealist i gazetarisë sportive” nga Shqipëria. Jo tregtari, artificiali i një megalomanie në kotësi. Brezi më i rralluar pra, që nuk di a mund të numërohet vetëm me gishtat e njërës dorë…

EPILOGU PO “KRITIK” I KËSAJ HISTORIE…
Tash pa emocione, po e mbyllim me përmbledhjen e vetëm një fjalie e cila na “njofton”: deri më sot Shqipëria ka fituar vetëm 1 ndeshje me një Kombëtare të Italisë. Është ajo e qytetit Alatri më 12 mars 2015: Italia U-18-Shqipëria U-18 1-2. Dhe gjatë këtyre 40 vjetëve, qysh në takimin e parë të 21-vjeçarëve të 14 marsit 1984, kombëtaret e të gjitha rangjeve të tyre janë ndeshur plot 24 herë me këtë bilanc: 18 fitore italiane, 5 barazime dhe vetëm 1 fitore shqiptare, me golat 7-46 për Italinë.

Ndërsa në të vetmet 4 ndeshje që kemi midis Kombëtareve të para, Italia i ka fituar të katërta. A mund ta ëndërrojmë që këtij 40-vjetori të ndeshjes së parë midis nesh, çka e përshkruam në këto dy shkrime tonat, të guxojmë të shkojmë për te fitorja e parë kundër Kombëtares së Italisë?

Nuk po e zgjasim. Dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse të udhëtojmë për te mbrëmja e 15 qershorit 2024 për në Dortmundin e Gjermanisë te stadiumi i tij “Signal Iduna Park”, ku për Kampionatin Europian 2024 do të ndeshen Shqipëria dhe Italia. Vetëm aty do të përjetojmë zbërthimin e kësaj enigme Italo-Shqiptare…
FUND

* Për vazhdimësi shih pjesën e parë në “Panorama Sport” të 25 prillit 2024. Ribotimi është i rezervuar.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Historia kritike e 40-vjetorit të herës së parë Shqipëri-Itali

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"