Administratori Lleshaj skanon sezonin e Burrelit: Me trajnerin do të ulemi këto ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2024 | 20:43

Administratori Lleshaj skanon sezonin e Burrelit: Me trajnerin do të ulemi këto ditë

Pas përfundimit të kampionatit, Burreli u rendit në vendin e tetë të klasifikimit me 40 pikë. Sekretari i klubit matjan, Marjan Lleshaj, bën rezymenë e skuadrës së tij. Mes të tjerash ai thekson: “Me pak kujdes, skuadra do të kishte një vend më të mirë në renditje.

burreli fest

Kemi zhvilluar një edicion përgjithësisht të mirë, por disa hapa fals sidomos në fushën tonë na penalizuan, duke na mbajtur në ankth deri në javën e fundit të kampionatit”, thotë ai ku më tej tregon edhe për ndeshjet që i kanë lënë më shumë mbresa këtë sezon: “Ndeshjet me kryesueset mbeten gjithmonë të bukura. Fitoret në transfertë sidomos kundër Flamurtarit, janë ndeshje që s’duhen harruar. Tashmë kapitulli i këtij kampionati është i mbyllur dhe shpresojmë që ai i radhës të jetë më i bukur. Pse jo të guxojmë për një renditje më të mirë sezonin e ardhshëm”, shprehet Lleshaj. Ndër të tjera ai flet edhe për të ardhmen e trajnerit Klevis Hima:

“Në ditët në vazhdim do të ulemi për të vendosur për drejtimin e skuadrës të edicionit të ri futbollistik. Puna e trajnerit Hima është për t’u vlerësuar. Ai e mori skuadrën në momentet më të vështira. Me këmbëngulje dhe me profesionalizëm arritëm të kishim një pozicion më të mirë në renditje. Sikurse kemi lojtarë nën kontratë, ashtu kemi dhe lojtarë që i ka përfunduar afati kontraktual. Për çdo futbollist, dyert e Burrelit janë ta hapura. Çdo futbollist që e ndien peshën e bluzës të skuadrës sonë është i mirëpritur. Pavarësisht se kampionati ka përfunduar, ne si drejtues nuk e kemi ndalur punën për skicimin e skuadrës për edicionin e ri”, përfundon sekretari.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"