“Duam fitoren me Teutën”, Tetova: Llogaritë e vendit të parë s’janë mbyllur ende, kemi edhe tri ndeshje mjaft të forta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2024 | 11:40

“Duam fitoren me Teutën”, Tetova: Llogaritë e vendit të parë s’janë mbyllur ende, kemi edhe tri ndeshje mjaft të forta

Egnatia mbylli dje përgatitjet për ndeshjen me Teutën, në kuadër të javës së 34-t të Superiores. Rrogozhinasve u janë shtuar problemet nga dëmtimet e Gjatës dhe Montenegros, ndërkohë që mungojnë edhe Ndreca, Aleksi e Xhemajli. Trajneri Edlir Tetova gjithsesi është shprehur se skuadra e tij synon maksimumin kundër Teutës, pasi nuk duhet ta ulë ritmin për të qenë gati në “Final 4”.

edlir tetova

Tetova, si e prisni ndeshjen e radhës me Teutën?

Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Teuta vjen nga një moment pozitiv. Jemi përgatitur për të synuar maksimumin. Kanë mbetur edhe 3 takime dhe nuk duhet ta ulim kurrsesi ritmin. Kemi ende punë përpara për të siguruar vendin e parë, ky është objektivi kryesor. Për të arritur deri te ndeshjet teke kemi edhe 3 sfida që do mundohemi t’i mbyllim me rezultat pozitiv. Shpresoj të marrim atë që duam në Durrës.

Në “Niko Dovana” Egnatia nuk ka fituar asnjëherë…

Teuta në përgjithësi ka rezultuar një kundërshtar i vështirë për ne, edhe pse vitet e fundit jemi renditur më mirë në tabelë. Nuk jam supersticioz, por faktet janë fakte dhe duhet ta thyejmë këtë tabu. Përtej vështirësive që sjell kjo ndeshje, skuadra është stërvitur mirë dhe do të futemi në fushë për 3 pikët.

Luani pa disa titullarë, sa i vështirë është për ju ky rrotacion i detyruar?

Përgjatë gjithë sezonit kemi vuajtur dëmtime apo pezullime, prandaj kemi bërë shpesh ndryshime. Egnatia ka alternativa dhe besoj te çdo lojtar që luan titullar apo nga stoli. Nuk ka diferenca mes futbollistëve dhe çdokush kërkon momentin e tij për të treguar se vlen. Na mungojnë Xhemajli, Ndreca dhe Aleksi, por ata që do të luajnë me Teutën, do të japin maksimumin.

Diferenca prej 5 pikësh nga Vllaznia, a ju jep komoditet për ndeshjet e mbetura?

Nuk mendoj kështu. Kryesojmë, por llogaritë ende nuk i kemi mbyllur sa i takon vendit të parë, që është një nga objektivat tanë. Nuk është koha të ndihemi komodë. Kemi 3 ndeshje të forta me 3 skuadra që kanë objektiva ashtu si edhe ne. E vërteta është që nuk kemi siguruar ende asgjë.

Keni luajtur pothuajse çdo 3 ditë, si është gjendja e skuadrës?

Lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike, edhe pse jemi në fund të sezonit, ku ndihet lodhja. Shqetësime muskulore kanë Gjata, Montenegro dhe Ndreca. Për Gjatën dhe Montenegron do të shohim, nëse do të jenë gati për Teutën. Vijojmë të luajmë çdo 3 ditë dhe mendoj se do të kemi alternime për t’u dhënë të gjithë lojtarëve ngarkesën e duhur fizike, pa rrezikuar askënd. Objektivi është të shkojmë në formë optimale në finalen e Kupës dhe ndeshjet e “Final 4”.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"