Devolli s’bën eksperimente: Kukësi ka krijuar identitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2024 | 11:47

Devolli s’bën eksperimente: Kukësi ka krijuar identitet

Ndonëse Kukësi i ka dhënë lamtumirën Superiores, kjo nuk do të thotë se në tri ndeshjet e mbetura hyn i dorëzuar në fushë.

devolli 1

Në Ballsh, ku luhet ndeshja e sotme me Erzenin, do të tentojë të marrë maksimumin. Të paktën kështu shprehet në prononcimin e tij për “Panorama Sport” tekniku i bluve, Bledar Devolli, i cili ndër tjera thekson se nuk do të bëjë eksperimente, për më tepër që e ka krijuar tanimë një identitet.

DEVOLLI – “E presim si një ndeshje kampionati që duam ta fitojmë. Ne nuk bëjmë eksperimente, e kemi krijuar tanimë një identitet si ekip. Thjesht do të respektojmë punën tonë dhe kampionatin”, u shpreh fillimisht tekniku i Kukësit. Ky ekip mund të arrijë vetëm Erzenin dhe ta lërë pas vetes, ndonëse kjo gjë në fund ka vetëm vlerë morale. Për Devollin, në 3 ndeshjet e fundit do hyhet për të fituar dhe nëse nuk e mbyllin të fundit, do ishte diçka pozitive. “Synimi ynë është t’i fitojmë të tria këto ndeshje që na kanë mbetur dhe të vazhdojmë të bëjmë lojëra të mira, siç kemi bërë këtë periudhë nën drejtimin tim. Pastaj, po e kaluam Erzenin, do të ishte diçka pozitive”, shtoi trajneri gjirokastrit. Ai kërkon gjithnjë maksimumin nga skuadra e tij, ku edhe pse e rënë nga kategoria.

KUPA – Kuptohet që objektivi i vetëm i Kukësit është finalja e Kupës me Egnatian, çdo ndeshje kampionati është në shërbim të 14 majit. Devolli shpreson të rikuperojë lojtarët. “Aktualisht kemi katër lojtarë me probleme, që shpresojmë t’i rikuperojmë sa më shpejt për finalen e Kupës. Kundër Erzenit do të luajnë lojtarët bazë dhe ata që nuk kanë luajtur shumë këtë periudhë. Ne duam t’i mbajmë të gjithë në tonus, sepse kemi nevojë për të gjithë më 14 maj”, e mbylli prononcimin për kreu i stolit verilindore.

Kukësi do të mundohet të marrë fitoren e parë në transfertë për 2024-ën. Në sfidat që ka pasur larg shtëpisë, ka dalë gjithmonë i mundur. Mbetet për t’u parë, nëse ky ters do të thyhet apo sot në stadiumin e Ballshit.

V. MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"