Dëmtimet e shumta tek Flamurtari, trajneri Memushi: Shpresoj të na rikuperohen lojtarët për “play off”-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2024 | 10:59

Dëmtimet e shumta tek Flamurtari, trajneri Memushi: Shpresoj të na rikuperohen lojtarët për “play off”-in

Flamurtari luan sot një tjetër test që i shërben “play off”-it. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, trajneri Eqerem Memushi, pavarësisht se Luzi është një skuadër për mbijetesë, kërkon përqendrim dhe karikim. Këtë mesazh e ka edhe për futbollistët me eksperiencë, që t’i dalin për zot skuadrës. E shqetësojnë dëmtimet e shumta, pasi janë futbollistë që cilësohen si shtylla për takimet finale. Memushi ka një falënderim për tifozët që e kanë mbështetur Flamurtarin në çdo situatë.

memushi

Memushi, me Luzin e shikoni si një test për ndeshjet e “play off-it?

Të gjitha ndeshjet tona teste janë para “play off”-it. Skuadra në Ballsh e tregoi që është e gatshme për të shkuar në “play off” dhe për të mbajtur ritmin, pavarësisht situatës që ndodhi në atë takim. Megjithatë, kemi bërë një ndeshje dinjitoze. Kemi problemet tona. Kemi shumë lojtarë të dëmtuar. Megjithatë, pjesën e shëndoshë të skuadrës e kemi të gatshme.

Çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Mendoj se do të jetë një takim shumë interesant, pasi përballemi me një skuadër që luan për mbijetesë. Duhet të jemi të karikuar dhe të përqendruar për të ecur përpara. Ne duhet të shikojmë se si t’i shkojmë “play off”-it, që të jemi sa më të përgatitur dhe sa më të gatshëm për ndeshjen e parë.

E thatë edhe vetë se keni shumë probleme nga mungesat, do të jenë gati lojtarët e dëmtuar për ndeshjet e “play off”-it?

Janë shumë mungesa, janë edhe shumë lojtarë që janë kryesorët, dhe që do të ishin baza e skuadrës për ndeshjen e “play off”-it. Urojmë që të kthehen sa më shpejt. I kemi shpresat që kushdo që të kthehet është i mirëpritur për skuadrën, për të dhënë kontributin. Shpresojmë që të bëhet më e mira.

Ndoshta e keni mbyllur edhe analizën. Çfarë mendoni se ndodhi në Ballsh ku u përmbys rezultati?

Ndikoi edhe kartoni i kuq. Në një ndeshje të tillë, një lojtar mangët është shumë. Por, e gjithë skuadra dha maksimumin. U ndëshkuam me episode personale dhe gabime individuale, në pësimin e golave. Nuk është se ishte meritë e kundërshtarit. Ata krijuan pak epërsi territoriale dhe numerike pasi ne kishim kartonin e kuq. Kur ka një lojtar më pak, atëherë duket edhe karakteri i skuadrës dhe lojtarët me përvojë që e marrin “për dore” skuadrën.

Mendoni se lojtarët me eksperiencë duhet që të marrin më shumë përgjegjësi?

Patjetër, sidomos në këto situata tani…Ne brenda skuadrës kemi edhe lojtarë me përvojë. Por, ata janë mungesa shumë të forta. Janë disa pika kyçe që i duhen me domosdoshmëri skuadrës për ndeshjet e “play off”-it.

Keni një mesazh për tifozët për ndeshjen me Luzin?

Ne i falënderojmë tifozët. Gjithmonë i kemi pasur përkrahë edhe në situatat ku kemi kaluar. Ta mbështesin sa më shumë skuadrën, t’i qëndrojnë sa më afër. I falënderoj për ndeshjen me Elbasanin se krijuan një atmosferë shumë të bukur. Ne jemi të detyruar që çdo gjë dhe çdo shfaqje ta japim për bukurinë e tifozit.

ERMAL SIKAPANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"