Sot negociatat. Qeveria e re, Rama: Konsulta me LSI, ministrat jo deputetë

Jun 28, 2013 | 9:23
SHPËRNDAJE

Rama duke mbajtur fjalimin e fitores
Kreu i PS paralajmëron ndryshim radikal të modelit qeverisës: Mësuesit dhe biznesi
të denoncojnë drejtorët dhe tatimorët, në bazë të dëshmive do ndëshkohen.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se do të ketë një ndryshim radikal në qeverisjen e vendit. I ftuar në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, në Top Channel, Rama tha se do të qeverisë me aleatët që i fitoi zgjedhjet, ndërsa u shpreh i vendosur për të ndarë ministrat nga mandati i deputetit.

Folët për zgjedhje të lira, por këtu ka një bindje që, përjashto ngjarjet e Laçit dhe disa incidente, përfshirë edhe pak incidente në fushatë, kemi pasur fushatën më të lirë dhe të mirë ndonjëherë. Nuk i njihni qeverisë aktuale ndonjë meritë?
Për mua, kur flas për zgjedhje të lira, flas për vendosjen e rezultatit nga vullneti i popullit, kurse për sa i përket lirisë së gjithë procesit mendoj se ka ende shumë për të bërë akoma, sepse nuk mund të quhet proces i lirë ku njerëzit realisht u dhunuan psikologjikisht, për të marrë pjesë me pahir në fushatën e partisë në pushtet dhe në këtë aspekt, kur them që ka shumë për të bërë, do të fillojmë atë që kemi premtuar, duke mbledhur të gjitha dëshmitë e të gjithë atyre që pa dëshirën e tyre, duke qenë pjesë e administratës, janë detyruar të bëhen pjesë e fushatës e do të ndëshkojmë sjelljen e të gjithë drejtorëve që kanë shpërdoruar detyrën duke i bërë njerëzit pjesë të diçkaje që nuk donin të ishin. Mbylljet e shkollave dhe shërbimeve të ndryshme nuk mund të mos ndëshkohen, kur janë bërë në funksion të mitingjeve, jo për të marr ndonjë hak, por për të mos lejuar që kjo të ndodhë përsëri edhe më vonë.

Folët se fitorja është e një modeli mbi një model tjetër dhe kërkohet një model i ri qeverisjeje. Në librin tuaj “Kurban”, duke bërë analizën e ndryshimeve kushtetuese, pranoni me tone autokritike se për disa nga ato ndryshime, në vend që të vinim vetulla nxorëm sytë. Çfarë planifikoni të bëni për të riparuar atë dëm që është bërë për rivendosjen e balancës së pushtetit?
Kjo është një çështje e hapur dhe më lejoni që t’iu përgjigjem shumë thjesht: Ne i fituam zgjedhjet me një mandat shumë të fortë, për të ndërtuar një realitet të ri dhe natyrisht që jam i vetëdijshëm se zgjedhjet i fituam duke ndërtuar një koalicion që udha mundësi njerëzve të ndihen të mbrojtur e shkuan në votime pa droje, me bindjen që koalicioni ynë do të garantonte shprehjen e vullnetit të tyre siç rezultoi. Ky koalicion, i përbërë me shumë parti, por i vendosur mbi boshtin strategjik PS-LSI, do të vijë në pushtet me një reflektim për të shkuarën në shumë aspekte dhe gjëja që më takon të them është se për të gjitha këto çështje do të konsultohen në mënyrë të ngushtë dhe intensive me partnerin tonë, e vendimmarrja do të jetë fryt i konsultimit. Pra, nëse deri dje kemi pasur një qeveri me një Kryeministër që i anonçonte në TV vendimet, e të shumtën e herës vendime tërësisht arbitrare, kjo nuk do të ndodhë më. Vendimet që do të më takojnë të anonçoj do të jenë të konsultuara dhe për këtë çështje do të konsultohemi, e vullneti i dyanshëm ekziston. Që nesër ne do të nisim konsultimet me LSI-në jo vetëm për qeverinë, por dhe reformat që do të zhvillojmë.

Ka njëfarë situate agonie në administratë ç’është e vërteta, pasi nisur edhe nga deklaratat e aleatëve se të gjithë të hequrit nga detyra do të kthehen, nisur nga këto që ju thatë në pjesën e parë, e duke pasur parasysh mosbesimin që ekziston, cili është mesazhi juaj?
Në Tatime për shembull, ka njerëz që ka arsye të forta që tani duhet të ndihen jo mirë dhe të kërcënuar nga ndëshkimi sepse organet tatimore, me një drejtim arbitrar, kanë bërë dëme të mëdha mbi kompanitë, e mbi njerëzit që në këtë vend kanë vendosur të merren me një sipërmarrje. Pse dhe si ka ndodhur që këta drejtues i kanë bërë këta dëme, ku e gjetën këtë forcë? Në mbështetjen politike dhe brenda një modeli abuziv, që sidomos në vitin e fundit nuk ka njohur asnjë cak. Ashtu si në rastin e shkollave, administratës, do të kërkojmë që të gjithë ata që kanë një dëshmi për të dhënë, për marrjen me pahir në fushatë, të dëshmojnë, ashtu siç do të jenë të mirëseardhura dëshmitë e kompanive. Mbi bazën e këtyre dëshmive do të ketë njerëz që do të ndëshkohen. Nga ana tjetër, për sa i përket riformatimit të administratës, ne shumë shpejt do të startojmë një program që bazohet në ftesën për të gjithë njerëzit me kapacitet dhe gatishmëri për të shërbyer shtetin, që të aplikojnë dhe mbi bazën e aplikimeve të marrin sa më shumë burime njerëzore të përgatitura për të ndërtuar një administratë që të jetë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve, që do të thotë se të gjithë atyre që i dukej e pamundur t’i shërbehej shtetit sepse do të kalonin nga zyra e kuadrit në partinë që drejtonte ministri i Brendshëm, sot ta kenë të hapur për të ofruar kapacitetin e tyre në shërbim të shtetit. Kthimi i njerëzve në punë ka të bëjë me vendime gjyqësore që kanë përcaktuar se heqja e tyre është bërë arbitrare, ka pasur arbitraritet në heqjen e njerëzve, vetëm për t’i zëvendësuar me besnikë të këtij modeli, që shqiptarët e rrëzuan me një votë absolutisht të padiskutueshme.

Zoti Meta në qeverisjen e mëparshme ka pasur Ekonominë dhe Shëndetësinë, që janë dy nga ministritë më të sulmuara për korrupsion, në kabinetin tuaj si do t’i kufizoni, sepse nuk do t’i shmangeni dot logjikës së shqiptarëve, si do t’i mbroheni oreksit të partisë së Metës?
Ndarja e Legjislativit nga Ekzekutivi ka qenë parakusht për bashkëpunimin me LSI. Shqipërinë në 4 vite s’e ka qeverisur Meta, por dikush tjetër dhe përgjegjësitë se si kanë shkuar sektorët nuk janë asnjëherë të një partie me 4 deputetë sa kishte LSI, por të partisë që ka marrë mandatin për të qeverisur. Unë s’besoj se sektorët vuajnë për shkak se dikush i kap dhe i çon në shtëpi. Sektorët vuajnë se s’ka vizion dhe strategji të atilla që çdo njeri të vendoset në kushtet i realizon apo jo. Nëse nuk bëjmë këtë kapërcim të madh, do mbetemi po aty. Nëse lidershipi nuk mbështetet mbi një projekt politik, kjo çon në autokraci në mënyrën më të natyrshme, edhe sikur të jesh burri më i mirë në botë. Ne kemi fituar zgjedhjet si aleancë dhe boshti është PS-LSI. Ju siguroj që nuk do vendosim peshoren e përqindjeve për të bërë ndarje postesh dhe sektorësh, do vendosim peshoren e kapacitetit që kemi në dispozicion dhe asaj që ofrojnë gjithë përfaqësuesit tanë për t’i vendosur në detyrat e duhura. Kjo nuk do thotë që nuk do ketë raport, do ketë, por ama gjithçka të konsultuar dhe nuk do konsiderojmë sektorët si sinore dhe as ministrat si ushtarë, siç ishim deri dje, edhe sot kështu jemi, por s’po e quajmë.

Shumë burra dhe gra duhet të lënë mandatin për të qenë në qeveri. Duket pasur asetet më të mira njerëzore në Parlament, do gjeni rezistencë në emërimin e ministrave?
Edhe kjo është në konsultim me secilin, por në instancë të fundit, aq më tepër me këtë votë, jemi të dënuar të modernizojmë Shqipërinë, ose t’i japim shqiptarëve atë ndryshim që kanë pasur në kokë, që është radikal, ose jemi të dënuar të presim të përfundojmë kështu siç përfunduan këta që ndërtuan këtë model. Duhet të mbyllet kapitulli që ministri bën çfarë i teket dhe s’ke se çfarë t’i bësh. Ne duhet të hapim kapitullin që çdo ministër duhet ta meritojë me punë 24 orë detyrën që ka. Raporti ministër- Kryeministër me Parlamentin duhet të jetë një raport tensioni pozitiv. Ministri duhet të rrijë në detyrë me prova dhe rezultate dhe jo me balet, midis Kryeministrit dhe favoreve që i bën poshtë e përpjetë. Deputetët do të jenë shumë më vigjilentë për ta mbajtur qeverinë në kushtet e tensionit që është i domosdoshëm për të dhënë rezultat. Sigurisht kjo ide që mund të përfundojë jashtë politikës, kjo s’ka bazë sepse bëhet fjalë për figura që kanë një karrierë politike. Ne jemi të vendosur për ta çuar deri në fund projektin tonë që ministrat të mos jenë deputetë.

Rama kur flet për mandatet, ka vendosur ç’do bëjë me veten?
Ne do të paraqesim një dokument që do të jetë kodi etik i qeverisë dhe deri në atë moment, do ta zgjidhim edhe këtë çështje. Unë jam i gatshëm të pranoj qoftë njërën, qoftë tjetrin opsion, por këtu ka një diskutim.

Aleatët e vegjël, pa përmendur emra, do kenë poste ministrore, ju keni pranuar se zoti Ngjela do jenë pjesë e kabinetit?
Qeverinë do ta ndërtojmë ashtu siç duhet dhe jam i bindur që do t’i japim vendit një skuadër qeverisëse premtuese.

Malaj njihet si një ekspert financash, vërtet doli përballë në Vlorë, por në fund uroi qeverinë e re, do ishte një gjest civil shtrirja e dorës për Malajn në qeveri?
Në funksion të gjithëpërfshirjes dhe modelit të ri që kërkojnë shqiptarët, shtrirja e dorës nuk do t’i mungojë as kryetarit të opozitës aktuale, jo më Malajt.

Do t’i shtrini dorën Lulzim Bashës?
U nisa nga fakti që në krye të PD-së është Sali Berisha, është i ftuar ditën e hënë në festën e Partisë Socialiste që ne kemi shtyrë pas zgjedhjeve dhe nuk diskutohet që kushdo që do ta pasojë do të jetë kryetari i opozitës dhe do të respektohet ashtu siç nuk është respektuar deri më sot. Ftesa për Berishën është bërë, jo vetëm për PD, por për gjithë kryetarët e partive të opozitës.

Sipërmarrës të ndryshëm, sidomos të ndërtimit, kanë përfituar tendera publike, sidomos rrugësh dhe për shkak se shteti nuk ka pasur burime financiare ka ndodhur që ata kanë marrë një kredi në bankë dhe sot ndodhen në një situatë kur paguajnë këstet e kredive të marra, ndërkohë që nuk marrin ende nga shteti atë që u takon. Shifrat që përfliten janë 500 mln euro dhe problem është edhe lista e shërbimeve të kryera nga privatët. Gjithë këto borxhe që shteti u ka privatëve, si ndreqet e gjithë kjo?
Shkop magjik ne nuk kemi. Ajo që do ndryshojë në mënyrë radikale do të jetë qasja me të vërtetën në raport me publikun. Publiku nga unë do dëgjojë të vërtetën dhe pjesë e kësaj është edhe që Shqipëria është në krizë dhe krizën do ta përballojmë të gjithë bashkë. Jemi të gjithë në një anije dhe të gjithë do ta përballojmë. Të gjithë do mbajnë përgjegjësinë e tyre, qeveria e para. Në Kryeministri do instalohet një zyrë e biznesit dhe marrëdhëniet e biznesit dhe qeverisë nuk do kalojnë në korridore dhe linja telefonike, as në zyra ryshfetesh, por një marrëdhënie institucionale që do ndërtohet në mënyrë të qartë. Do bëjmë çmos që t’i heqim biznesit lakun e këtij borxhi. Është një situatë dramatike dhe do duhet ta shohim. Do bëjmë një revolucion. Duhet ta marrë dikush përsipër këtë risk politik dhe unë jam i vendosur ta bëj këtë: INSTAT nuk do jetë më INSTAT i shifrave të Kryeministrit, INSTAT do jetë i pavarur. Do t’i adresohemi BE-së për të marrë sa më shpejt përfitimin e një programi binjakëzimi mes INSTAT dhe një vendi të BE-së që të kalojë në menaxhim të Institutit të Statistikave të vendit të BE-së. Kjo do sjellë realitetin rrëqethës sa mund të rrezikojnë qeverinë, por kjo duhet bërë sepse shqiptarët boll u frynë me realitete që s’janë.

Ka zëra që parti të tjera mund t’i bashkohen koalicionit qeverisës, sa qëndrojnë këto zëra?
Koalicioni qeverisës është përcaktuar nga shqiptarët. Ne mirëpresim bashkëpunimin e të gjitha partive të opozitës në procesin administrativ dhe do ishim të kënaqur që në këtë proces të ishin edhe partitë e opozitës. Bashkëpunim qeveri-opozitë. Ne do të qeverisim me LSI dhe me aleatët që u vunë në dispozicion të 1 milion shqiptarëve që u votuan, por do të qeverisim edhe për ata që nuk na votuan. Asnjë që nuk na ka votuar nuk do ndjehet keq për shkak të qeverisjes sonë.

Çfarë ka bërë të mirë Berisha për ty?
Thashë që e falënderoj për çdo gjë të mirë që ka bërë dhe që mbase historia ia vlerëson me një objektivitet që unë s’e kam. Mendoj që në dy vitet e para të qeverisjes 2005-2007 ka bërë disa gjëra të mira duke i hapur një luftë krimit, por që degradoi, ka bërë gjëra të mira në luftën kundër korrupsionit në dogana dhe tatime, gjithmonë në atë periudhë, dhe pastaj rrënimi. Rruga e Kombit ka qenë një projekt i rëndësishëm, por nuk ka qenë një arsye për të vjedhur gjithë ato para që u vodhën, ashtu sikundër dhe mbështetja dhe lobimi për projektin TAP, sigurisht hyn tek gjërat e mira.

Mendoni se në katër vite do përçaheni me Metën? A do të ketë çarje mes dy partive?
 Nuk e parashikoj dot të ardhmen, por besoj që në politikë ata që ribashkohen nuk ndahen.

Do sakrifikonit veten dhe postin tuaj si Kryeministër për t’ia lënë atë Ilir Metës?
Kam kohë që kam hequr dorë nga përgjigja e pyetjeve me “nëse”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura