“Shërbimet për qytetarët 94% online! Turizmi si përpara pandemisë ”/ Ahmetaj ftesë opozitës: Buxheti më i mirë i 30 viteve! Hajde diskutojmë çfarë mund të bëjmë më mirë, pa fyerje

Nov 15, 2021 | 13:15
SHPËRNDAJE

Zëvendësministri Arben Ahmetaj ka renditur disa prej sektorëve të ekonomisë të cilat kanë pësuar një rritje pozitive. Teksa diskutohej për buxhetin e vitit 2022, nga foltorja e Kuvendit, ai e konsideron buxhetin si më të mirin në 30 vite.

Arben ahmetaj_Edi-RAma

Një ftesë, Ahmetaj e ka për opozitën për të diskutuar se çfarë mund të bëjnë më mirë për këtë buxhet dhe se ku mund të orientohen investimet.

“A po rritet ekonomia. Të gjitha çfarë po marrim referencë ne, OJF apo organizata ndërkombëtare, thonë që ekonomia rritet 17.8% në 6 mujorin e parë. Përgjigja është po. A po rriten pensionet dhe pagat. Pagat janë rritur dhe do rriten. Në vazhdim do rriten për të gjithë.

Investimet dhe reformat vazhdojmë. Kush është këtu ekonomist, Spaho, Tabaku apo Leskaj e kuptojnë se çfarë do të thotë balancë koherente. Balanca koherente është diferenca midis investimeve dhe deficitit është në favor. Ju e keni pasur borxhin 1/128. Shërbimet publike, ka vend për të përmirësuar, por 94% e shërbimeve janë online. Financat publike po stabilizohen. Ne besojmë që buxheti është më i miri i 30 viteve. Nuk ulëm investimet publike dhe në kohë pandemie. Ku e keni parë konsolidimin fiskal sa i kujdesshëm. A është rritur eksporti, eksportet u rritën me 130%. Janë njësi që çojnë mall jashtë dhe marrin para të huaj. Lëviz ai vendi që thahet apo ai që gjallëron.

Hajde të diskutojmë se çfarë po bëjmë mirë dhe çfarë po bëjmë keq. Turizmi, kapëm nivelin e para pandemisë. Falë politikës që ndoqëm. Kryetari juaj thotë mos e krahasojmë me 2013. Kredia për sektorin privat. Më në fund u rrit kredia, mbi 9%. Keni parë ndonjë vend që termat e kredisë të kapin nivelin e para pandemisë. Vendi ka nevojë për shumë kujdes dhe para që të rritet. Po niveli i kredive të këqija, ka zbritur në 6.5%. Keni parë ndonjë vend që të varfërohet kur kursimet rriten. 250 mln dollarë janë rritur kursimet. Ndërkohë kur flasim për çmimet, ka shumë luhatje. Por në shportën e qytetarit, ka shkuar inflacioni në 2%. Janë 2.6 mld indeksimi i pensioneve. E rrisim pensionin vitin tjetër me 5%. Taksat i kemi zeruar, digjitalizimin e kemi bërë. Hajde diskutojmë se çfarë të bëjmë më mirë. Më duhen syzet Mondo se u bëra si ty. Nuk ua kërkoj që të votoni Buxhetin e shtetit. Do t’ju lutesha të bëni një gridë statistikore, që të diskutojmë paqësisht, të ndihmojmë njëri-tjetrin për ata përjashtë” – tha Ahmetaj.

Arben Ahmetaj- Parlament-Kuvend-Foltorja-Seanca-zv.kryeministri

 

Fjala e plotë e Zëvendëskryeministrit:

Të nderuar kolegë,

Është e rëndësishme që kur fillojmë debatin politik, të vendosim një platformë statistikash mbi të cilën të fillojmë të inovojmë nëse doni, apo t’i qëndrojmë besnikë të vërtetës.

A po rritet ekonomia? Të gjitha çfarë merrni ju apo ne referencë, edhe OJF e OJQ, thonë që ekonomia rritet 17.89% në tremujorin e dytë, apo 11.6% në 6-mujorin e parë. Pra pyetjes a po rritet ekonomia apo jo, përgjigja është po.

Punësimi dhe pagat po rriten? Pavarësisht se çfarë thuhet politikisht edhe nga kryetari juaj apo nga kushdo nga ne, e vërteta është që pagat janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten edhe këtë vit, për kategori apo për të gjithë. U rritën 40% për mjekët dhe infermierët këtë vit dhe në vazhdim 6% në 2022  e do shkojnë me 30% deri në fund të mandatit.

Investimet dhe reformat vazhdojnë? Po. Kush është këtu ekonomist e kupton çfarë do të thotë balancë korrente. E dini çfarë është? Po ja them për qytetarët, se do flasim me statistike dhe realitet, balanca korrente është diferenca mes investimeve dhe deficitit. Dhe është pozitive në favor të investimeve.

Kur bëni diskutimin e borxhit, ajo që diskutojmë se çfarë ndodh për çdo 100 lekë të marra borxh dhe ju themi që ju e keni pasur raportin për çdo lekë të marrë borxh, keni investuar 128 lekë kurse ne e kemi raportin 1 me 2, pra për çdo 100 lekë të marra borxh, investojmë 200 lekë në ekonomi. Është e vërtetë, është statistikë, ja ku e keni ish-ministrin e financave, mund t’jua bëjë llogarinë.

Shërbimet publike po përmirësohen? Ka vend për përmirësim? Pafund. Po janë 94% e shërbimeve online, përdorini dhe tregojuni të tjerëve si përdoren se asnjëherë s’kemi lindur të ditur dhe nuk do vdesim më të diturit, kjo është e sigurt.

Financat publike po stabilizohen? Patjetër. Referojuni FMN se çfarë ndodhi me pandeminë dhe tërmetin, gjëma ishin. U detyruam të shkonim në 80% borxh, po, pse po e mohojmë ne po bëjmë debat nuk është 80% po është 79%? Jo. Por ku shkoi borxhi? Cilat ishin arsyet? Ata që e kuptojnë, ia thonë drejt qytetarëve. Në kohë si këto, e thonë financat publike e dinë të gjithë ata që kanë lexuar e lexojnë, gjëja e parë në këto raste është zgjerimi se nuk mund t’i lesh njerëzit dhe investimet copë në mënyrë që gropa të jetë e pamundur për t’u mbushur.

Çfarë thamë kur e nisëm këtë histori? Thamë do t’i marrim këto masa që të ngrihemi shpejt. A po ri ngrihemi shpejt? Po, mund të ishim më shpejt, jemi të parët në rajon, mund të ishim më të shpejtë akoma.

Cila është kryefjala e këtij buxheti?

Shërbimi ndaj qytetarëve, që nga zyrat lokale e deri në çdo zyrë qendrore. Ka ndryshuar logjika e shërbimeve dhe mandati i tretë më shumë se një mandat politik, është një mandat i shërbimit për qytetarët dhe sipërmarrjet. Debati që ne bëjmë është si ta largojmë punonjësin e shtetit nga ajo derë e dritare ku shkon qytetari dhe sipërmarrja, për t’i mundësuar atyre që të marrë shërbime online, drejtpërsëdrejti, sa më të shpejta dhe sa më cilësore. Ky është debati. Mund të bëjmë debat a jemi duke përdorur sistemet e duhura, a jemi duke përdorur metodologjitë e duhura, mirë se të vini, ndoshta mund të dalim në konkluzion që ju keni ide shumë të mira.

Po s’mund të flasim këtu për koncesione e PPP, të heqim këtë apo atë. Çfarë do hiqni? Do i lini ata që kanë nevojë për shërbimin e dializës? Ata që kanë nevojë për mjete të sterilizuara do t’i lini pa strelizimi? Do t’i thoni qytetarëve të Peshkopisë ju nuk meritoni rrugë?

Kryefjalë është dixhitalizimi gjithashtu. Po kalojmë në një faqe të re të historisë ekonomike dhe shoqërore. Jam dakord me ju që sot është dita kur diskutohet, por me statistika, jo me inovacion mbi statistikat dhe emocion politik. Patjetër që buxheti është politik se ndan dy botë të ndryshme, një botë që i referohet qytetarit dhe një botë tjetër si juaja, që bën debat dhe nuk del kurrë në konkluzion.

Çfarë oligarkësh thoni? E kemi taksën e biznesit të vogël zero. A keni parë ju ndonjë vend që komandohet nga oligarkët që ta kenë taksën për njerëzit në nevojë zero? Keni pare ndonjë vend që t’i rrisësh tatim fitimin biznesit të madh dhe të komandohet nga oligarkët? Po për rindërtimin pse thoni vetëm 5 veta kanë marrë projekte? 400 kompani! E keni zakonin e Komisioneve hetimore, bëjeni një komision hetimor për Rindërtimin. 400 kompani. 400 oligarkë paskemi ne?

E treta, është infrastruktura kritike. Jam dakord ta debatojmë, pse nuk e kemi bërë dot edhe ju edhe ne unazën e Tiranës? Po, do mbyllet unaza e Tiranës, është mushkëria e Tiranës, patjetër. Po të më thoni pse nuk e keni bërë, do t’ju thoja s’na kanë lejuar financat publike, tani na lejojnë financat publike, fokusi është tek Tirana, se sigurisht shtimi i popullsisë, shtimi i makinave, rritja e trafikut, krijojnë atë ngërç në trafik. Dhe po e drejtë, do duhet ta kishim mbaruar më parë, edhe ju, edhe ne. Por tani janë të gjitha paratë, edhe në 2022, edhe në 2023-2024 të programuara në buxhetin afat-mesëm.

Llogaraja. Bashkon dy Shqipëri. Bashkon rivierën me Shqipërinë tjetër. Po. E kishit menduar? Jo, por përfitoni edhe ju dhe ata që votojnë për ju, edhe ata që votojnë për ne. Shtohet vlera e jugut të Shqipërisë në favor të gjithë shqiptarëve dhe qytetarëve të jugut.

Po projektet e tjera të infrastrukturës, aeroporte, porte, hekurudha? Hajdeni t’i diskutojmë nëse mund të bëhen më mirë, mund të keni ide shumë të mira se nuk është se jeni pa gjë një pjesë e mirë juaja, por nëse vini këtu diskutoni për qytetarët me postera, kjo nuk na çon askund.

Ne besojmë që buxheti 2022 është buxheti më i mirë i 30 viteve. Ia arritëm të mos ulim investimet publike edhe në kohë pandemie.

Ia arritëm mbi të gjitha të kemi paketa të reja sociale. Po 15 mijë familje të ndihmës ekonomike që do marrin 3-fishin e ndihmës? Familje me 3 fëmijë, që patjetër kanë nevojë për më shumë, patjetër. E keni parë konsolidimin fiskal sa i kujdesshëm është? Po pse është ashtu? E para të ulet borxhi, e dyta të mos thahet ekonomia.

Disa statistika për qytetarët:

Eksportet, sidomos ato të shërbimeve u rritën në T2 me 130 %; janë njësi ekonomike të Shqipërisë që çojnë mall jashtë dhe marrin monedhë të huaj, 130%.

Transporti, është rritur volumi i transporti për 9-mujorin 2021 me 18,8% krahasuar me një vit më parë. Kush lëviz? Lëviz ai vendi që thahet apo lëviz ai vendi që gjallëron? Ku keni parë ju të rritet transporti në një vend që varfërohet? Hajde diskutojmë çfarë jemi duke bërë mirë e çfarë jemi duke bërë jo-mirë.

Bujqësia, duhet t’i themi të vërtetat për bujqësinë. Ka shkuar 7.1 miliardë mbështetja në buxhet dhe 12 miliardë me gjithë pjesën indirekte të saj. Çfarë po diskutoni, që po heqim 1.7 miliardë të cilat nuk shkuan aty ku duheshin? Efektiviteti i financave publike është të shkojnë paratë aty ku duhet dhe nuk është çështje vote, është çështje racionaliteti.

Eksportet bujqësore, pavarësisht se kryetari juaj thotë mos u krahasoni me 2013, po do krahasohemi edhe me 2103, edhe 2019, edhe 2020, se këtu jemi. Janë rritur 323% në vlerë dhe 320% në volum me 2013.

Turizmi, kapëm nivelin e para-pandemisë, falë politikës së kujdesshme që ndoqëm.

Kredia për sektorin privat, e ka biseduar me njërin nga ju që e respektoj për dijen, pavarësisht se e mban kokën ulur se e di që ndan shumë mendime njësoj me mua. Më në fund po rritet kredia, 8.9%, do kalojë 10, do vejë tek 12%, aty ku duhet. Keni parë ju ndonjë vend që quhet i varfër, që termat e kredisë të kapin nivelet e para-pandemisë me rritje të menjëhershme? Vendi nuk është i pasur, vendi ka nevojë për shumë kujdes, për shumë maturim, për para dhe reforma që të rritet.

Niveli i kredive të këqija ka zbritur në një rekord 6.5%

Kursimet, keni parë ju ndonjë vend që të varfërohet ndërkohë që rriten kursimet? E dini sa janë rritur kursimet në gusht? 250 mln dollarë.

Pastaj kur flasim për çmimet, patjetër që ka luhatje të çmimeve edhe në tregun ndërkombëtar ama aty në shportën e madhe të qytetarit, inflacioni shkon tek 2% në mesatare.

Po ju them dhe për pensionet, se dua ta ritheksoj. Janë 2.6 miliardë lekë indeksimi i pensioneve dhe 3.5 miliardë lekë paketa e fundvitit, që praktikisht janë 60 milionë dollarë. E dini sesa e kemi të gjithë shumën e fondit të pensioneve, pa subvencionet? 1.2 miliardë dollarë. Që do të thotë, e rrisim pensionin vitin tjetër 5%.

Mbani vesh për këto, se pagat i rrisim, pensionet i rrisim, taksat i kemi zeruar, sërish po lirojmë taksa për të ardhurat personale, investimet po i bëjmë, dixhitalizimin po e bëmë, paketat sociale po i bëjmë. Hajde diskutojmë çfarë mund të bëjmë më mirë.

Para se ta mbyll, po ju lexoj gjithë listën e investimeve:

  • Përfundimin e  Rrugës së “Arbrit”;
  • Ndërtimin e Rrugës “Milot – Balldren”;
  • Përfundimin e Rrugës “Milot – Morinë”;
  • Ndërtim Tuneli i Llogarasë;
  • Ndërtimin e Rrugës “Orikum – Dukat, By Pass – Porti i Jahteve”;
  • Përfundimi i punimeve në rrugën Kardhiq – Delvinë
  • Unaza e Tiranës;
  • Aeroporti i Vlorës dhe Sarandës
  • Segmentit hekurudhor Tiranë – Durrës si dhe ndërtimi i linjës së re hekurudhore Tiranë-Rinas
  • Ndërtimi i Marinave në Durrës, Vlorë dhe Sarandë
  • Portet e mallrave në Durrës dhe Vlorë
  • Skavica, përveç gjenerimit edhe optimizim i përdorimit të kaskadës së Drinit
  • Investimet fotovoltaike dhe eolike etj.

 

Bonusi i bebeve është gjithashtu një politikë që nuk dua ta lë pa përmendur, sepse ka të bëjë me atë politike të re që kemi ritheksuar tashmë në buxhet, ka të bëjë me paketën e familjes. Jo më kot, iu referova 15 mijë familjeve. Jo më kot iu referova edhe rritjes së pagesës së papunësisë, është një vëmendje shtesë ndaj shtresave në nevojë.

Po për energjinë që nuk flisni më? Deri kur nxorëm paketën thatë do rrisni çmimet. Ne nuk i rritëm çmimet. Dhe kur ne themi që 4.5 miliardë lekë, ose 45 milionë dollarë do t’i subvencionojmë që biznesit të vogël dhe familjeve të mos iu rritet çmimi, ju thoni po me të tjerët çfarë do bëni?

Edhe me ata të tjerët do merremi, është pjesë e paketës.

Unë nuk do t’ju kërkoj që ta votoni buxhetin, sepse e di që nuk do ta votoni edhe pse në traditë opozita e voton gjithmonë kundër buxhetin, por do t’ju lutesha ta bënit një matricë statistikore mbi të cilën të diskutojmë paqësisht, pa fyerje, pa sharje sepse kur ikën ajo idea që mban ekuilibrin, nuk dihet çfarë themi ne e çfarë thoni ju, dhe të ndihmojmë njëri tjetrin të bëhemi më të mirë për ata jashtë kësaj salle, edhe për ata që protestojnë, edhe për ata që nuk protestojnë, edhe për ata që përfitojnë, edhe për ata që duhet të përfitojnë më shumë.

Faleminderit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura