Secili prej tyre është njëri nga ne!

Aug 16, 2021 | 9:30
SHPËRNDAJE

blendi_fevziu

BLENDI FEVZIU

Duke ndjekur lajmet e orës 15:30 ngela tejet i befasuar nga debati lidhur me ardhjen në Shqipëri të një kontingjenti afganësh që kërcënohen nga regjimi i talibaneve që sot hyri në Kabul. U befasova akoma më shumë nga fakti që klasa politike shqiptare justifikohet me idenë se këtë e ka kërkuar NATO dhe SHBA; apo që rrjetet sociale po mbushen me foto denigruese të talibanëve me kallashnikovë në dorë.

Personalisht, unë besoj se Shqipëria e ka detyrim jo nga NATO, jo nga SHBA, por nga historia e saj mikpritjen e afganëve apo çdo kombësie tjetër të kërcënuar. Me emigracionin ne jemi një komb në borxh dhe kemi pjesën tonë të borxhit për të shlyer.

Ne duhet t’i presim afganët e kërcënuar sepse duke vuajtur nën një regjim ndër më kriminalët në botë, siç ishte ai komunist, e dimë shumë mirë se cila është e ardhmja e tyre nëse mbeten aty. Ata janë elita e sotme e Kabulit. Ne e kemi më të qartë se kushdo fundin e atyre pak njerëzve të shkolluar e të emancipuar, që ngjan me fatin e shumë intelektualëve në vitin 1945 e deri në 1990-ën në Shqipëri.

E dyta, Perëndimi ka strehuar me vite emigrantë politikë shqiptarë dhe ky është një detyrim i të gjitha vendeve demokratike të civilizuara.

Ne i kemi ende të freskëta eksodet e vitit 1990 apo 1991, kur bota na mirëpriti me gjithë problemet që solli ai eksod.

Ne kemi qenë më shumë se kushdo popull në Europe viktima të politikave antiemigrante. Ndaj, të perkrahësh sot këto ide në Shqipëri do të thotë të justifikosh racizmin dhe përbuzjen që kanë vuajtur në 3 dekada emigrantët shqiptarë.

Së fundmi, ne jemi pjesë e një bote të integruar, në të cilën jep dhe merr. Ideja që vetëm të marrim pa dhënë kurrë është më shumë se neveritëse.

Ç’do të kishte ndodhur nëse ne, Maqedonia dhe Perëndimi s’do të kishin hapur dyert për emigrantët shqiptarë të Kosovës, por do t’i kishin lënë në dorën e Millosheviçit.

Ndaj, për mua e këdo që mendon si unë, afganët janë të mirëpritur, tranzit, ose për t’u bërë shtetas të këtij vendi, siç shumë shqiptarë janë bërë shtetas të vendeve të tjera të botës.

Për të gjithë ata që tallen me fotografitë e emigranteve, po ju sjell në kujtesë me këto foto eksodin tani. Secili prej tyre është njëri nga ne

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura