Rusia: Centrali në Zaporizhja mbetet nën kontrollin e Moskës

Nov 28, 2022 | 10:33
SHPËRNDAJE

Centrali bërthamor në Zaporizhja, qytet jugor në Ukrainë, mbetet nën kontrollin e Rusisë, kanë thënë autoritetet e instaluara nga Moska në qytetin e afërt, Enerhodar, pasi një zyrtar ukrainas ka sugjeruar që forcat ruse janë duke u përgatitur për t’u larguar.

Capture

“Mediat janë duke përhapur vazhdimisht lajme të rreme që Rusia është duke planifikuar tërheqjen nga Enerhodari dhe largimin nga centrali. Ky informacion nuk është i vërtetë”, ka thënë administrata e instaluar nga Rusia.

Udhëheqësi i kompanisë shtetërore të energjisë në Ukrainë ka thënë se ka shenja që forcat ruse mund të jenë përgatitur për t’u larguar nga pjesa më e madhe e centralit në Zaporizhja, të cilin e kanë pushtuar në mars, pak pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Ukraina, e cila është përballur me aksidentin më të rëndë bërthamor në Çernobil më 1986, dhe Rusia, në anën tjetër, kanë fajësuar njëra-tjetrën për bombardimet në kompleksin në Zaporizhja javë më parë.

Të dyja kanë paralajmëruar për rrezikun e një katastrofe bërthamore.  Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike dëshiron që të krijojë një zonë mbrojtëse rreth centralit bërthamor.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura