Rritja e çmimeve/ Rekord i ri i vlerës së inflacionit, arrin në 3.9 në muajin shkurt! Më shtrenjtë transporti dhe produktet e shportës

Mar 9, 2022 | 9:41
SHPËRNDAJE

Përkundrejt pritshmërive, çmimet për produktet e shportës, jo vetëm nuk janë frenuar, por kanë vijuar të njohin rritje. 

produktet eshportes

Këtë e dëshmon edhe vlera e inflacionit, e cila përgjatë muajit shkurt ka arritur një tjetër nivel rekord. Sipas Institutit të Statistikave, muajin që lamë pas inflacioni shkoi në 3.9 për qind, duke regjistruar rritje, jo vetëm në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por edhe me muajin janar, kur vlera e inflacionit ishte 3.7 për qind.

TË DHËNAT

Kështu, referuar të dhënave të INSTAT, rritja më e lartë e çmimeve është shënuar në grupin transport, me gati 10,4 për qind, kjo e lidhur edhe me rritjen e çmimit të hidrokarbureve.

Më pas renditen çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, të cilat u rritën me 6,9 për qind. Këtu përfshihen buka, mishi, peshku, qumështi dhe nënproduktet e tij, futat dhe zarzavatet, pijet joalkoolike, si dhe ëmbëlsirat.

“Krahasuar me muajin shkurt 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin ‘Transporti’, me 10,4 për qind, pasuar nga grupet ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’, me 6,9 për qind, ‘Komunikimi’ me 3.3 për qind, ‘Hotele, kafene dhe restorante’ me 3.2 për qind, ‘Argëtim dhe kulturë’ me 2.7 për qind, ‘Pije alkoolike dhe duhan’ me 2.1 për qind, ‘Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji’ me 1.8 për qind, ‘Veshje dhe këpucë’ me 1.1 për qind, ‘Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë’ me 0.8 për qind, ‘Shërbimi arsimor’ me 0.5 për qind, ‘Mallra dhe shërbime të ndryshme’ me 0.4 për qind. Ndërsa grupi ‘Shëndeti’ shënoi një ulje me 0.1 për qind.

Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit ‘zarzavate përfshirë patatet’ u rritën me 16.4 për qind, pasuar nga nëngrupet ‘vajra dhe yndyrna’ me 10.1 për qind, ‘fruta’ me 7.0 për qind, ‘bukë dhe drithëra’ me 6.8 për qind, ‘sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira’ me 6.7 për qind, ‘mish’ me 3.9 për qind, ‘qumësht, djathë dhe vezë’ me 3.3 për qind etj.”, thuhet në raport.

Gjasat janë që edhe përgjatë këtij muaji inflacioni të vijojë të njohë rritje. Kjo për shkak të shtrenjtimit të vazhdueshëm që kanë pësuar produktet e shportës. Një peshë të konsiderueshme pa diskutim zë edhe rritja me mbi 60 lekë e çmimit të naftës dhe benzinës.

Kompanitë e tregtimit nuk janë menduar dy herë për të rritur çmimet, duke bërë që një litër naftë në vendin tonë të tregtohet 260 lekë (çmimi i ndryshuar një natë më parë, më shtrenjtë se kudo tjetër).

NDRYSHIMI

Por si kanë ndryshuar çmimet në raport me muajin janar? “Krahasuar me muajin janar 2022, çmimet e grupit ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’ u rritën me 3.2 për qind, pasuar nga grupet ‘Transporti’ me 1.8 për qind, ‘Mallra dhe shërbime të ndryshme’ me 0.6 për qind, ‘Pije alkoolike dhe duhan’ me 0.4 për qind, ‘Hotele, kafene dhe restorante’ me 0,3 për qind dhe ‘Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë’ me 0.2 për qind.

Ndërsa grupi ‘Argëtim dhe kulturë’ shënoi një ulje me 1.4 për qind pasuar nga grupet ‘Veshje dhe këpucë’ me 0.5 për qind dhe ‘Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji’ me 0.1 për qind”, theksohet më tej në raportin e INSTAT.

tabelainflacioniinstatcmimetekonsumit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura