Rrëfimi i ish-kryehetuesit: Si u thur legjenda makabre e vrasjes së Pal Mëlyshit! Pse u cilësua si eliminim nga diversantët për të ushtruar terror mbi…

Oct 22, 2020 | 15:10
SHPËRNDAJE

Pasi kanë kaluar më shumë se 40 vjet nga ngjarja, ish-prokurori i çështjes, më vonë i emëruar kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, u kërkon ndjesë viktimave të gjyqit të Sabotatorëve të Kombinatit të Tekstileve në Berat.

Pal Melyshi-Qemal-Lame-historia

Ai përpiqet të sqarojë pozicionin e tij, teksa thotë se “Seanca e parë e gjykimit u ndërpre, pasi unë lashë të pandehurit të flisnin lirisht për akuzat në ngarkim të tyre dhe nuk ndërhyra për t’i demaskuar, nuk mbajta qëndrim të rreptë, siç pritej nga drejtuesit e partisë e të pushtetit.

Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Pëllumb Kapo, u ankua te sekretarja e parë e Komitetit ë Partisë, Emine Guri, dhe në udhëheqjen e KQ-së, Hysni Kapo dhe Enver Hoxha. Në emër të tyre, mua m’u tërhoq vëmendja në komitetin e partisë së rrethit”.

Ky rrëfim vjen për herë të parë përmes një reflektimi, në gazetën “Panorama”.

   QEMAL LAME


                Vijon nga numri i kaluar

Në veprimtarinë shtetërore dhe në organet e drejtësisë kërkohej zbatimi me rreptësi i ligjshmërisë. Theksoj se falsifikimet kanë qenë për proceset më të rëndësishme politike e komplotet. Ato janë orientuar nga udhëheqësi në “Pallatin e Ëndrrave” dhe janë realizuar me verbëri nga më të besuarit e tij: ministri i Brendshëm, drejtori, zëvendësdrejtori, kryetari e oficerët e Degës së Parë të Sigurimit të Shtetit, kryetarët e degëve e punëtorët operativë në rrethe, drejtorët e Hetuesisë, sekretarët e parë të rretheve. Këta janë përgjegjës edhe për realizimin e legjendës makabre të vrasjes së Pal Mëlyshit.

Me hipokrizi e cilësuan si vrasje nga diversantët për të ushtruar terror mbi popullin e pafajshëm. Edhe një poshtërsi tjetër! Djalin e Palit e trajtuan me kujdes, u bë oficer i Sigurimit të Shtetit dhe hetues në Drejtorinë e Hetuesisë!

Në çështjet që njihen nga opinioni publik, si filmi: “Gjykimi i Sabotatorëve të Kombinatit Tekstileve, në Berat”, në 7-8 janar 1978, por edhe ato që akoma nuk janë bërë të njohura, ka diskutime apo paragjykime të ndryshme në opinionin publik, vlerësoj me ndërgjegje edhe përgjegjësinë time profesionale, politike, shtetërore e morale. Për gjyqin e sabotatorëve të Kombinatit të Tekstileve të periudhës së socializmit, ritheksoj me ndërgjegje përgjegjësinë time si prokuror i çështjes.

U kërkoj falje viktimave të këtij procesi dhe familjarëve të tyre. Pa nënvleftësuar këtë përgjegjësi, mendoj se në opinionin publik dhe në media është e nevojshme të njihen edhe disa rrethana për t’u kuptuar më në gjerësi ato politike e ligjore të gjykimit, si dhe veprimtaria e prokurorit e gjyqtarit të çështjes. Pasi mora detyrën për të përfaqësuar si prokuror këtë çështje në gjykim, kam kërkuar nga prokurori i përgjithshëm, kryetari i Gjykatës së Lartë dhe nga ministri i Brendshëm, të dhëna sqaruese, por nuk u dhanë.

Të pandehurit pranonin fajësinë për sabotim dhe diversion, lirshëm jepnin vetë shpjegime, shumica kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit, pranonin akuzat e rënda dhe theksonin me bindje se ishin fajtorë. Në ato kushte nuk mund të mendohet se do të kishte ndonjë prokuror apo gjyqtar që të kundërshtonte akuzat e rënda të dokumentuara ligjërisht në dosje dhe të pranuara publikisht nga vetë të pandehurit. Edhe për këtë çështje është me rëndësi të njihet metoda e paligjshme e manipulimit të proceseve të rëndësishme politike.

– Para gjykimit kërkova të takohesha me të pandehurit në dhomat e izolimit, por nuk u pranua nga ministri i Brendshëm dhe nga prokurori i Përgjithshëm. – Kur filloi gjykimi, ishin në radhën e parë kryetari i degës, nënkryetari, punëtorët operativë, shefi i Hetuesisë e hetuesit që ishin pjesë e Sigurimit të Shtetit, drejtues të komitetit të partisë, komitetit ekzekutiv, ndërmarrjeve ekonomike etj.

– Seanca e parë e gjykimit u ndërpre pasi unë lashë të pandehurit të flasin lirisht për akuzat në ngarkim të tyre dhe nuk ndërhyra për t’i demaskuar, nuk mbajta qëndrim të rreptë, siç pritej nga drejtuesit e partisë e të pushtetit. Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Pëllumb Kapo, u ankua te sekretarja e parë e Komitetit ë Partisë, Emine Guri, dhe në udhëheqjen e KQ-së, Hysni Kapo dhe Enver Hoxha. Në emër të tyre, mua m’u tërhoq vëmendja në komitetin e partisë së rrethit. Pastaj gjykimi vazhdoi dhe përfundoi me vlerësime nga populli.

– Pas përfundimit të gjykimit, një vajzë e fejuar me një nga të dënuarit me vdekje, të cilit më vonë iu fal ky dënim, më kërkoi të takohesh me të dashurin. Urdhërova të takoheshin, me gjithë kundërshtimin kërcënues nga kryetari i degës. Të gjithë personat që kishin ndjekur këtë çështje në rrugë operative, arrestuar, hetuar e gjykuar u dekoruan, përveç meje.

Nuk prisja të dekorohesha për shkak të qëndrimit që kisha mbajtur. Megjithëse zbatova ligjin dhe nuk kisha si të veproja ndryshe, nuk ndihesha i qetë në ndërgjegje për viktimat që dyshoja, por nuk mund t’i vërtetoja se ishin manipuluar nga Sigurimi i Shtetit.

Me ndërgjegje e vë në dukje këtë ndjenjë edhe në kushtet e sotme. Filmi për Gjyqin e Sabotatorëve të Kombinatit të Tekstileve në Berat është publikuar në vitin 1978 në kinematë e më pas nga cilido që ishte i interesuar shihej në Muzeun e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ky gjykim ka pasur si qëllim që të shtohej presioni psikologjik, frika në popull dhe kërcënimi ndaj cilitdo që mund të fliste qoftë edhe një fjalë kundër partisë e udhëheqësit, vështirësive që kishin filluar të rriteshin pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, mungesën e lëndëve të para e burimeve financiare për ekonominë, uljen e mëtejshme të nivelit të jetesës sidomos në fshat, ku fshatari nuk kishte të drejtë të prodhonte apo mbante as edhe një lopë, dhi, pula etj.

Do të ishte e dobishme që në emisionin “Opinion”, TV Klan, më 15 korrik 2015, të ishte kërkuar edhe mendimi im dhe të jepja shpjegime në interes të njohjes më gjerë të së vërtetës. Besoj se edhe këto të dhëna përmbledhëse i shërbejnë së vërtetës dhe ndihmojnë edhe opinionin publik për qëllimin e këtij gjyqi të periudhës së socializmit. Komunizmi mbetet një teori, por nuk u arrit të bëhet doktrinë për arsye se nuk u praktikua as në Shqipëri dhe as në shtetet e tjera të Europës Lindore, në Kinë, Amerikën Latine etj.
qemal lame

 DISA EPISODE PËR QËNDRIMET E MBAJTURA NDAJ MEJE

Prokurori i Përgjithshëm, në janar 1982, më anuloi vendimin e emërimit sekretar i parë i ambasadës në Paris. Pas dy muajve, në mars 1982, me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm më emëruan prokuror ushtarak në Tropojë. Ky emërim u anulua pasi Kadri Haziu akuzoi Ramiz Alinë tek Enver Hoxha për transferimin pa dijeninë e tij. Papritur dhe pa më marrë mendim, në prill 1982 më emëruan në Drejtorinë e Hetuesisë, në Ministrinë e Brendshme etj. Për trajtimin tim është me vend të njihet se në Shkollën “Skënderbej” flinim në një kapanon 150 persona.

Pasi u emërova oficer, flija në repartin ushtarak. Në kohën si prokuror ushtarak flija në bibliotekën e Prokurorisë së Rrethit të Tiranës e më pas në një dhomë 2m x 2,5m në Prokurorinë e Përgjithshme. Prokurori i Përgjithshëm nuk interesohej që unë të merrja një hyrje sipas mundësive dhe si gjithë të tjerët, megjithë kërkesat e mia të vazhdueshme. Në vitin 1981, Spiro Koleka, anëtar i Byrosë Politike dhe zëvendëskryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, u vu në dijeni për gjendjen time rastësisht nga ndihmësi i tij, Xhorxhi Konomi.

Ai kritikoi me rreptësi prokurorin e përgjithshëm për papërgjegjshmërinë në trajtimin e kuadrove. Me interesimin e drejtpërdrejtë të Spiro Kolekës, mora autorizimin për një hyrje në Lagjen “Ali Demi”, ku banova deri më 10 maj 1991. Bashkë me familjen time, bashkëshorten e tre fëmijë, banonte edhe motra me tre fëmijët e saj, një motër tjetër e një vëlla, gjithsej 10 persona. Megjithë kërkesat e vazhdueshme dhe premtimet nga Komiteti Ekzekutiv, nga kryetari Llambi Gegprifti, nuk arrita të marr shtëpi sipas nevojave të domosdoshme.

Disa raste që isha interesuar vetë dhe më ishte dhënë autorizimi, u anuluan me urdhër nga udhëheqja dhe hyrjet iu dhanë fëmijëve dhe të afërmve, krushqve të Ramiz Alisë, fëmijëve të anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike etj. Më 20 prill 1991, një javë para mbledhjes së Kuvendit, ku u vendos largimi nga detyra, nga ndarja e vilave të Bllokut të vëna në dispozicion të familjeve në nevojë, m’u dhanë tri dhoma e një kuzhinë në katin e parë, ku kishte banuar Haki Toska.

Nuk doja të merrja këtë shtëpi. Pas largimit nga detyra, u detyrova të shkoj, më 11 maj 1991, pasi ishte shansi i fundit. Haki Toska më garantoi se ajo shtëpi nuk kishte pronarë. Ishte ndërtuar nga familja Leka në vitin 1935. Pastaj i ishte shitur konsullatës së Italisë. Ishte shtetëzuar pas çlirimit. Vajza e pronarit, inxhiniere në kadastrën e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, falsifikoi dokumente e pronësisë në vitin 1991 dhe e rimori në mënyrë të kundërligjshme këtë pasuri shtetërore. Për të mënjanuar rrezikun e përgjegjësisë së saj, u prish vila dhe u ndërtua një pallat tetëkatësh.

Në librat e botuar “Kur shembeshin themelet”, “Dritëhijet e Kohës”, etj., nga unë jepen të dhëna më të plota. Botimet e librave të shkruara janë vonuar për shkak të situatave që kam përballuar, shqetësimeve në familje, vonesave në gjetjen e shtëpisë botuese etj. Kam pasur edhe probleme që të mos botoja për shkak të propagandës zyrtare së bëhej padrejtësisht ndaj meje, si dhe të presioneve, linçimeve e fyerjeve në forma të ndryshme ndaj familjarëve e të afërmve tanë. Librat e botuar kohët e fundit janë vonuar nga shtëpia botuese, pasi kishte ndërhyrje nga familjarët e mi që të mos botoheshin. Librin e fundit që u publikuar në muajin maj 2020, e mbajti shtëpia botuese për katër vjet, pastaj e dërgova në një tjetër dhe u botua brenda tre muajve. Pagova 1700 Euro.

Botimet i kam financuar vetë dhe nuk kam pasur përfitime. Vazhdoj të punoj deri edhe 10-12 orë në ditë. Nuk jam në krijimtari letrare apo studimore. Kur kam pak kohë të lirë, ulem të shkruaj me dëshirën që të publikoj dhe të ndihmoj sa mundem për të kaluarën e të tashmen. Publikoj me vetëdije këto përfundime në reflektim të së kaluarës e të sotmes. Mendoj se është e domosdoshme të reflektojmë e të mënjanojmë me forcë politikën e përçarjes kombëtare. 45 vjet u zhvillua lufta e klasave, u akuzuam dhe dënuam me faj e pa faj tradhtarët nacionalistë, por që ishte në fakt luftë për mbrojtjen e pushtetit absolut. U ndryshua sistemi politik diktatorial dhe u kalua në demokraci.

Vazhdohet gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit po me të njëjtën metodë të akuzave për të kaluarën. Antikomunistët luftojnë me metodat e komunistëve!? Shemben e ngrihen monumente! Shpesh kërkohet të rishkruhet historia me idetë e njëanshme të disa grupimeve politike apo individëve!? Jemi të bindur se kemi nevojë të shohim përpara, pa harruar, por duke nxjerrë mësime nga e kaluara. Është e domosdoshme të ndërtojmë një shtet të fortë, t’u dalë zot fateve të popullit e të kombit, të kemi shtetarët të aftë e të të pavarur në marrjen e vendimeve, të dëshmojnë sovranitetin e shtetit, të mbrojnë integritetin territorial dhe të bashkëpunojnë në pozita të barabarta me partnerët strategjikë. Të mbajnë në vëmendje shembullin e partnerit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Donald Trump vlerësoi protestat për respektimin e të drejtave e lirive pa dallime dhe me gjithë pushtetin e tij të fuqishëm ndaloi dhe bëri të qartë përgjegjësinë e rreptë për cilindo që shkatërron monumentet e personalitete të njohur dhe kërkon të imponojë ndryshimin e njëanshëm të historisë së suksesshme për liri e drejtësi të popullit amerikan. Është koha që secili të thotë me forcë, me fakte e prova dhe me përgjegjësi të vërtetën, të dëshmojmë etikën e kulturës së lashtë të shqiptarëve, dashamirësi e mirëkuptim, kritikë të rreptë e të drejtë, të kërkojmë falje për përgjegjësitë, të tregojmë besim e respekt ndaj njëri-tjetrit, të jetojmë e kontribuojmë sa mundim e sa na lejojnë kushtet, në unitet e të bashkuar në interes të kombit.

VIJON

LEXO EDHE:  “Jam akuzuar hapur si spiun i CIA-s”- Ish-kryehetuesi tregon prapaskenat: Si falsifikoheshin provat për gjyqet e bujshme në komunizëm. Ramiz Alia më kërcënoi për…

 

Ish-kryehetuesi tregon prapaskenat: Ramiz Alia dhe Fatos Nano janë fajtorë për vrasjet e 2 prillit në Shkodër! Si u dha urdhri për të qëlluar mbi demonstruesit

 

Polemika për arrestimin e Ismail Kadaresë, ish-kryehetuesi bën ‘mea culpa’: Roli im në hetimet për ‘komplotin’ e Mehmet Shehut

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura