“Jam akuzuar hapur si spiun i CIA-s”- Ish-kryehetuesi tregon prapaskenat: Si falsifikoheshin provat për gjyqet e bujshme në komunizëm. Ramiz Alia më kërcënoi për…

Oct 19, 2020 | 19:19
SHPËRNDAJE

I larguar në Gjermani si azilant politik, ish-kreu i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, i është rikthyer së shkuarës, si një reflektim për rolin që ka luajtur gjatë disa proceseve me rëndësi. Lame përpiqet të “pastrojë” figurën e tij përkundër të gjitha akuzave si “bashkëpunëtor” i regjimit, duke numëruar të gjitha rastet kur ka kundërshtuar krerët e shtetit socialist dhe të gjitha ato herë kur e kanë kërcënuar apo kanë kryer atentat kundër tij.

Po ashtu, ai gjen rastin t’u kërkojë ndjesë viktimave të njërës prej çështjeve, në të cilën ai ka pasur rolin e prokurorit. Bëhet fjalë për çështjen e sabotimit të Kombinatit të Tekstileve në Berat.

Enver Hoxha-gjyqet-politike

QEMAL LAME

Vijon nga numri i kaluar

Më 2 korrik 1990, ndërhyra dhe ndalova dhunën shtetërore dhe gjakderdhjen në ngjarjet e ambasadave të huaja, urdhërova zëvendësministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Policisë të mos përdoreshin armët ndaj popullit dhe i paralajmërove për përgjegjësinë e tyre penale, lirova e më shumë se 5000 persona të ndaluar etj.

– Jam distancuar në kohë dhe hapur nga politika antikombëtare dhe kam mbajtur qëndrime zyrtare, publike dhe në median shqiptare dhe atë ndërkombëtare si CNN, Zëri i Amerikës, Deutsche Welle, etj.

– Pasi u emërova në Hetuesi, kam vepruar sa kam mundur për forcimin e ligjshmërisë në hetime, në Sigurimin e Shtetit e në gjithë veprimtarinë shtetërore. Nga më shumë se 470 të arrestuar për krime kundër shtetit në vitin 1981 (kur fillova punë në Hetuesi, në vitin 1982, hetuesia drejtohej nga ministri i Brendshëm), dhashë ndihmesë që të ulej numri i të arrestuarve.

Janë arrestuar nga Sigurimi i Shtetit 23 persona të akuzuar për komplotin, me miratimin e prokurorit të përgjithshëm, pa u analizuar më parë provat ligjore. Nga viti 1983 e në vazhdim kanë qenë të rralla arrestimet për krime kundër shtetit derisa në tri vitet e fundit deri në vitin 1991 nuk u bënë arrestime, me përjashtim të çështjeve në flagrancë, ku Sigurimi i Shtetit inskenonte me bashkëpunëtorë ngjarje në flagrancë dhe në fshehtësi, pa dijeninë time, merrte mendimin paraprak nga disa kryetarë të Hetuesisë që kishin qenë më parë punëtor operativë. Prokurori i miratonte pa kontroll arrestimet.

– Në tetor 1990 kërkova me shkrim dorëheqjen nga detyra, duke rrezikuar për këtë akt, rasti i parë në periudhën e socializmit. Arsyet bazoheshin në moszbatimin e Kushtetutës dhe shkeljet ligjore nga udhëheqja e partisë-shtet, reformave formale për demokratizim, ndërsa në praktikë zbatohej me rreptësi politika e vjetër etj.

– Mendimet e mia kundërshtuese janë të dokumentuara edhe për proceset e dyshuara për manipulime nga Sigurimi i Shtetit si: tentativat për terror kundër Ramiz Alisë në Kukës e në Tropojë, sabotimin në Minierën e Bulqizës, sabotimin në Industrinë e Naftës e të Gazit etj.

– Jam i pari që zyrtarisht dhe me shkrim kam propozuar pluralizmin politik, shtetin e së drejtës, ndryshimin e Kushtetutës – artikull, më 24 nëntor 1990, diskutimi në Aktivin e Partisë, më 24 dhjetor 1990, Plenumet e Komitetit Qendror në janar, shkurt, mars etj. – Në një mbledhje me kuadrot drejtues të Sigurimit të Shtetit, të Ministrisë së Brendshme, në korrik 1983, kam kërkuar të zbatohej ligjshmëria e objektiviteti në veprimtarinë agjenturore.

Për këtë qëndrim që demaskonte e dënonte veprimtarinë e paligjshme, mungesën e objektivitetit dhe rritjen artificiale të personave në veprimtari armiqësore, pata reagime të fuqishme kundërshtuese. Jam akuzuar hapur menjëherë nga zëvendësministri Zylyftar Ramizi si spiun i CIA-s, sabotator, tradhtar.

– Pas rrëzimit të Monumentit të Enver Hoxhës, më 20 shkurt 1991, vetë Ramiz Alia më kërcënoi me arrestim për tradhti. Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar te Ramiz Alia të arrestohesha pasi lirova 34 personat e ndaluar për monumentin. Ministria e Mbrojtjes dërgoi një peticion me 15 000 firma te Ramiz Alia që të arrestohesha. Peticione kanë dërguar edhe Dega e Punëve të Brendshme Burrel, Shkodër etj. Edhe komitetet e partisë të rretheve dërguan peticion që të arrestohesha. Këto u përsëritën edhe pas 2 prillit 1991.

– U hetuan me përgjegjësi ngjarjet e fillimit të lëvizjes për demokraci në Shkodër. Priftërinjtë e arrestuar nga Sigurimi i Shtetit me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm, ishin akuzuar si truri i kundërrevolucionit. Bëra hetimin e nevojshëm, vendosa me përgjegjësi të lirohen si të pafajshëm dhe me makinat e hetuesisë i çova në shtëpitë e tyre në Shkodër. Nuk mund të gjenden një rast i tillë i ngjashëm jo vetëm në vendin tonë, por as në shtetet e tjera. Me iniciativën time bisedova me priftërinjtë hapur edhe për Gjergj Fishtën dhe u dhashë mendimin se ai mbetet klasiku i letërsisë shqiptare i dënuar padrejtësisht. Ndaj meje, pati reagim të ashpër nga Ramiz Alia dhe nga Sigurimi i Shtetit.

– Në hetimin e çështjes së 2 prillit 1991, urdhërova hetimin e gjithanshëm dhe evidentimin e fajësisë së cilitdo që kishte dhënë urdhër për t’u qëlluar ndaj demonstruesve para komitetit të partisë së rrethit. Kërkova të dhëna edhe nga Komiteti Qendror, Këshilli i Ministrave, Presidiumi i Kuvendit Popullor.

– Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Fatos Nano, etj., në prill 1991, në mbledhjen e Këshillit Presidencial, kërkuan të shkarkohesha dhe të ndiqesha penalisht.

– Kam mbajtur qëndrim publikisht në intervistën televizive, radio dhe shkrime në gazeta për ngjarjen në Shkollën e Bashkuar.

qemal lame

LARGIMI JASHTË SHTETIT

Nuk më kishte shkuar ndonjëherë në mendje dhe nuk kam pasur arsye të largohesha nga atdheu ku u linda, u edukova dhe punova deri në moshën afro 42 vjeç. Mendimi im dhe përvoja ime dëshmon se largimi nga atdheu pa dëshirë dhe në kushtet e rrethanave imponuese për të marrë një vendim të tillë ekstrem, është njëlloj me vdekjen. Njeriu vdes në vendin e tij. Largohet si njeri tjetër dhe me sakrifica ndërton një jetë të re.

Me mendje e ndërgjegje mbetet në vendin ku la një jetë dhe me trup ndodhet i integruar në një vend tjetër, i përkushtuar si edhe më parë, punon me nder dhe i barabartë me shtetasit ku ka krijuar identitetin e ri. Rrethanat politike më detyruan, më 2 shtator 1992, të largohem nga Shqipëria, me dhimbje dhe traumë të rëndë mendore, ndërgjegjësore e familjare.

Rrezikohej jeta ime dhe e familjes. Nuk doja të dënohesha pa faj dhe me padrejtësi, kur unë për 25 vjet luftova sa munda për drejtësi. Nuk kisha arsye dhe nuk më kishte shkuar ndërmend që një ditë, nën kërcënimin për jetën, të detyrohesha të merrja arratinë. Koha tregoi se në rast se nuk do të isha larguar në çastet e fundit nga Shqipëria, do të isha viktima e radhës e partisë-shtet dhe e drejtësisë ku bëja pjesë.

I jam mirënjohës qeverisë së Gjermanisë dhe personalisht Bundeskanzelarit Helmut Kohl për interesimin, verifikimin, analizën e detajuar e vlerësimin e veprimtarisë time dhe dhënien e azilit politik me motivacionin “i përndjekur nga diktatura dhe demokracia e brishtë”. Jam i vetmi që kam marrë statusin e azilit politik, në bazë të nenit 52 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Punoj shumë, kam të ardhura të mira, paguaj taksat sipas ligjit. Nuk kam kërkuar pension, rentën, për 25 vjet në Shqipëri dhe afro 30 vjet në Gjermani, megjithëse prej gjashtë vjetëve kam të drejtë sipas ligjeve përkatëse. Jetoj me ndershmëri i integruar si shtetas gjerman duke ruajtur e nderuar dhe dhënë shembullin pozitiv për origjinën dhe identitetin shqiptar.

SQARIM I NEVOJSHËM PËR VEPRIMTARINË E PALIGJSHME TË SIGURIMIT TË SHTETIT

Kam pasur dyshime për paligjshmëri në hetimet për krimet kundër shtetit, por nuk kam pasur mundësi të njihja konkretisht metodat e hetimit nga Sigurimi i Shtetit. Pas vitit 1944 e deri në vitin 1982, nga Sigurimi i Shtetit kishte funksionet e agjenturës së zbulimit e të kundërzbulimit, sipas Kodit të Procedurës Penale ushtronte edhe funksionet e hetimit të krimeve kundër shtetit.

Fakt është se në të gjithë veprimtarinë agjenturore dhe hetimore të proceseve të bujshme e të komploteve, zbatohej një praktikë e kundërligjshme. Komplotet e proceset e bujshme fillimisht ideoheshin, inskenoheshin e miratoheshin nga diktatori dhe manipuloheshin nga Sigurimi i Shtetit. Punëtorët operativë, që ishin njëkohësisht edhe hetues, falsifikonin provat me bashkëpunëtorë, duke i akuzuar apo paraqitur si dëshmitarë, u bënin premtime se nuk do të dënoheshin, nuk u lexonin e nuk u tregonin nenin dhe masat e rënda të dënimit deri me vdekje.

Këto përfundime i kam nxjerrë pasi fillova punën në Hetuesi dhe kisha mundësi të njihesha më konkretisht me procedurën e hetimeve për krime kundër shtetit. Është e nevojshme të njihet e të bëhet diferencimi i Sigurimit të Shtetit e Policisë me Hetuesinë, Prokurorinë e Gjykatën. Për krimet e së kaluarës, ata nuk duhen bërë njëlloj përgjegjës. Në radhë të parë janë fajtorë punëtorët operativë e drejtuesit e tyre që kanë vepruar me ndërgjegje në kundërshtim me ligjet për të realizuar skenarët e komploteve e çështjeve të tjera më të bujshme për krime kundër shtetit.

Duhet bërë dallim për punëtorët operativë që zbatonin ligjin, u depolitizuan dhe punuan me korrektësi sipas rregullave ligjore. Është e drejtë të kërkohet përgjegjësi për punonjësit e drejtësisë në shtetin diktatorial. Mendoj se nuk është me vend që organet e drejtësisë të barazohen me përgjegjësinë e rëndë të veprimtarisë së paligjshme të drejtuesve militanë të organeve agjenturore. Nuk është efektive që hetuesit pas vitit 1982, si dhe prokurorët e gjyqtarët që kanë gjykuar çështjet, të akuzohen pa prova dhe pa pasur dijeni për falsifikimet e qëllimshme të proceseve nga agjentura e fshehtë e Sigurimit të Shtetit.

Vijon…

LEXO EDHE: Ish-kryehetuesi tregon prapaskenat: Ramiz Alia dhe Fatos Nano janë fajtorë për vrasjet e 2 prillit në Shkodër! Si u dha urdhri për të qëlluar mbi demonstruesit

Polemika për arrestimin e Ismail Kadaresë, ish-kryehetuesi bën ‘mea culpa’: Roli im në hetimet për ‘komplotin’ e Mehmet Shehut

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura