Ish-kryehetuesi tregon prapaskenat: Ramiz Alia dhe Fatos Nano janë fajtorë për vrasjet e 2 prillit në Shkodër! Si u dha urdhri për të qëlluar mbi demonstruesit

| 17:26
SHPËRNDAJE
 

I larguar në Gjermani si azilant politik, ish-kreu i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, i është rikthyer së shkuarës, si një reflektim për rolin që ka luajtur gjatë disa proceseve me rëndësi.

Lame përpiqet të “pastrojë” figurën e tij përkundër të gjitha akuzave si “bashkëpunëtor” i regjimit, duke numëruar të gjitha rastet kur ka kundërshtuar krerët e shtetit socialist dhe të gjitha ato herë kur e kanë kërcënuar apo kanë kryer atentat kundër tij.

Po ashtu, ai gjen rastin t’u kërkojë ndjesë viktimave të njërës prej çështjeve, në të cilën ai ka pasur rolin e prokurorit. Bëhet fjalë për çështjen e sabotimit të Kombinatit të Tekstileve në Berat.

Fatos nano-Udhri-Qemal-Lame-Alia-masakra-2prill

QEMAL LAME

Vijon nga numri i kaluar

Më 2 korrik 1990, ndërhyra dhe ndalova dhunën shtetërore dhe gjakderdhjen në ngjarjet e ambasadave të huaja, urdhërova zëvendësministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Policisë të mos përdoreshin armët ndaj popullit dhe i paralajmërove për përgjegjësinë e tyre penale, lirova e më shumë se 5000 persona të ndaluar etj.

– Jam distancuar në kohë dhe hapur nga politika antikombëtare dhe kam mbajtur qëndrime zyrtare, publike dhe në median shqiptare dhe atë ndërkombëtare si CNN, Zëri i Amerikës, Deutsche Welle, etj.

– Pasi u emërova në Hetuesi, kam vepruar sa kam mundur për forcimin e ligjshmërisë në hetime, në Sigurimin e Shtetit e në gjithë veprimtarinë shtetërore. Nga më shumë se 470 të arrestuar për krime kundër shtetit në vitin 1981 (kur fillova punë në Hetuesi, në vitin 1982, hetuesia drejtohej nga ministri i Brendshëm), dhashë ndihmesë që të ulej numri i të arrestuarve.

Janë arrestuar nga Sigurimi i Shtetit 23 persona të akuzuar për komplotin, me miratimin e prokurorit të përgjithshëm, pa u analizuar më parë provat ligjore. Nga viti 1983 e në vazhdim kanë qenë të rralla arrestimet për krime kundër shtetit derisa në tri vitet e fundit deri në vitin 1991 nuk u bënë arrestime, me përjashtim të çështjeve në flagrancë, ku Sigurimi i Shtetit inskenonte me bashkëpunëtorë ngjarje në flagrancë dhe në fshehtësi, pa dijeninë time, merrte mendimin paraprak nga disa kryetarë të Hetuesisë që kishin qenë më parë punëtor operativë. Prokurori i miratonte pa kontroll arrestimet.

– Në tetor 1990 kërkova me shkrim dorëheqjen nga detyra, duke rrezikuar për këtë akt, rasti i parë në periudhën e socializmit. Arsyet bazoheshin në moszbatimin e Kushtetutës dhe shkeljet ligjore nga udhëheqja e partisë-shtet, reformave formale për demokratizim, ndërsa në praktikë zbatohej me rreptësi politika e vjetër etj.

– Mendimet e mia kundërshtuese janë të dokumentuara edhe për proceset e dyshuara për manipulime nga Sigurimi i Shtetit si: tentativat për terror kundër Ramiz Alisë në Kukës e në Tropojë, sabotimin në Minierën e Bulqizës, sabotimin në Industrinë e Naftës e të Gazit etj.

– Jam i pari që zyrtarisht dhe me shkrim kam propozuar pluralizmin politik, shtetin e së drejtës, ndryshimin e Kushtetutës – artikull, më 24 nëntor 1990, diskutimi në Aktivin e Partisë, më 24 dhjetor 1990, Plenumet e Komitetit Qendror në janar, shkurt, mars etj. – Në një mbledhje me kuadrot drejtues të Sigurimit të Shtetit, të Ministrisë së Brendshme, në korrik 1983, kam kërkuar të zbatohej ligjshmëria e objektiviteti në veprimtarinë agjenturore.

Për këtë qëndrim që demaskonte e dënonte veprimtarinë e paligjshme, mungesën e objektivitetit dhe rritjen artificiale të personave në veprimtari armiqësore, pata reagime të fuqishme kundërshtuese. Jam akuzuar hapur menjëherë nga zëvendësministri Zylyftar Ramizi si spiun i CIA-s, sabotator, tradhtar.

qemal lame

– Pas rrëzimit të Monumentit të Enver Hoxhës, më 20 shkurt 1991, vetë Ramiz Alia më kërcënoi me arrestim për tradhti. Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar te Ramiz Alia të arrestohesha pasi lirova 34 personat e ndaluar për monumentin. Ministria e Mbrojtjes dërgoi një peticion me 15 000 firma te Ramiz Alia që të arrestohesha. Peticione kanë dërguar edhe Dega e Punëve të Brendshme Burrel, Shkodër etj. Edhe komitetet e partisë të rretheve dërguan peticion që të arrestohesha. Këto u përsëritën edhe pas 2 prillit 1991.

– U hetuan me përgjegjësi ngjarjet e fillimit të lëvizjes për demokraci në Shkodër. Priftërinjtë e arrestuar nga Sigurimi i Shtetit me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm, ishin akuzuar si truri i kundërrevolucionit. Bëra hetimin e nevojshëm, vendosa me përgjegjësi të lirohen si të pafajshëm dhe me makinat e hetuesisë i çova në shtëpitë e tyre në Shkodër. Nuk mund të gjenden një rast i tillë i ngjashëm jo vetëm në vendin tonë, por as në shtetet e tjera. Me iniciativën time bisedova me priftërinjtë hapur edhe për Gjergj Fishtën dhe u dhashë mendimin se ai mbetet klasiku i letërsisë shqiptare i dënuar padrejtësisht. Ndaj meje, pati reagim të ashpër nga Ramiz Alia dhe nga Sigurimi i Shtetit.

– Në hetimin e çështjes së 2 prillit 1991, urdhërova hetimin e gjithanshëm dhe evidentimin e fajësisë së cilitdo që kishte dhënë urdhër për t’u qëlluar ndaj demonstruesve para komitetit të partisë së rrethit. Kërkova të dhëna edhe nga Komiteti Qendror, Këshilli i Ministrave, Presidiumi i Kuvendit Popullor.

– Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Fatos Nano, etj., në prill 1991, në mbledhjen e Këshillit Presidencial, kërkuan të shkarkohesha dhe të ndiqesha penalisht.

– Kam mbajtur qëndrim publikisht në intervistën televizive, radio dhe shkrime në gazeta për ngjarjen në Shkollën e Bashkuar.

ramiz alia

“Ramizi e Nano, fajtorë për vrasjet e 2 prillit në Shkodër”

– Kam akuzuar publikisht, në qershor 1991, në gazetën “Rilindja Demokratike”, Ramiz Alinë e Fatos Nanon si fajtorët kryesorë për urdhrin për forcat e Policisë që të qëllonin mbi demonstruesit. Insistova për zbulimin e së vërtetës për vrasjen e 4 dëshmorëve, më 2 prill 1991, të cilët më pas i propozova për t’u shpallur dëshmorë.

– Largimi nga detyra, shkarkimi nga Kuvendi Popullor, ka pasur si qëllim që të mos zbulohej dhe dokumentohej fajësia e Ramiz Alisë dhe e Fatos Nanos, dy autorët kryesorë të urdhrit për përdorimin e armëve nga forcat e policisë, më 2 prill 1991. Kjo çështje u zgjat afro dy vjet dhe përfundoi me rezultatet që u arritën gjatë kohës që unë drejtova hetuesinë. U jam mirënjohës 16 deputetëve të Partisë Demokratike që votuan kundër shkarkimit tim.

Fakt është se pasi u shkarkova, u bënë hetime për të më vënë para përgjegjësisë penale me pretekstin absurd për moshetimin në kohë të çështjes. Unë isha i pari dhe i vetmi dhe pa asnjë mbrojtje e garanci për jetën që shkova menjëherë në Shkodër, vizitova dhe u shpreha ngushëllimet drejtpërdrejt në shtëpitë e tyre familjeve të viktimave, dhe u angazhova për hetimet e drejta e të shpejta.

Zëvendëskryetari që kisha caktuar si përgjegjës të grupit të hetuesve bashkëpunonte në fshehtësi me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Degën e Punëve të Brendshme për t’u drejtuar hetimi te demonstruesit dhe larguar përgjegjësinë e fajtorëve kryesorë. Me paramendim, ai arriti të largohet pa leje, u justifikua për analiza për zemrën në Spitalin Civil dhe braktisi detyrën duke mos u paraqitur më, megjithë kërkesat e mia.

– Në tri raste është tentuar të më vrasin. Çështjet janë pezulluar për moszbulimin e autorëve dhe i janë dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndjekjen e mëtejshme në rrugë operative për zbulimin e autorëve. Qeveria, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Jashtme e Republikës së Shqipërisë kanë kërkuar tri herë ekstradimin tim nga Gjermania: për Çështjen e 2 prillit 1991 e Grupin e Gjenocidit ku të dënuarit më vonë deklaruan të pafajshëm me ligj dhe u dëmshpërblyen.

Institucionet e larta shtetërore, Kuvendi, Qeveria, Presidenti dhe në veçanti Prokuroria e Përgjithshme, Gjykata e Lartë, Ministria e Drejtësisë dhe Gjykata kushtetuese, mendoj se kanë detyrimin ligjor e moral të deklarohen në masën dhe në formën e mundshme për qëndrimin e tyre për veprimtarinë time. Kërkoj që institucioni i Dosjeve të Sigurimit të Shtetit të publikojë dosjen për ndjekjen time agjenturore nga Sigurimi i Shtetit.

Shpreh mirënjohje për komisionin e hartimit të Enciklopedisë së Tepelenës, Bashkisë, popullit të Tepelenës e gjithë Labërisë, banorëve të Luftinjës, Buziz, Salarisë e Lopsit nga ku familja ime ka origjinën, të cilët më vlerësuan dhe më bënë pjesë të Enciklopedisë së Tepelenës.

VIJON…

LEXO EDHE: Polemika për arrestimin e Ismail Kadaresë, ish-kryehetuesi bën ‘mea culpa’: Roli im në hetimet për ‘komplotin’ e Mehmet Shehut

 

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.