Polemika për arrestimin e Ismail Kadaresë, ish-kryehetuesi bën ‘mea culpa’: Roli im në hetimet për ‘komplotin’ e Mehmet Shehut

Oct 15, 2020 | 13:30
SHPËRNDAJE

Qemal Lame-Mehmet-Shehu-Enveri

Botimi i librit të ish-kreut të Hetuesisë së Përgjithshme dekadën e fundit të regjimit diktatorial, Qemal Lame, nuk kaloi pa u vënë re dhe pa pasur oponenca të forta. Në librin “Dritëhijet e kohës” (botimet “Neraida”) tregon se si përndiqej shkrimtari Ismail Kadare, për urdhrat e arrestimit të tij, nën kujdesin e vetë Enver Hoxhës dhe si arriti ta bindte këtë të fundit që të mos vepronte kundër Kadaresë.

Sigurisht, pretendimet e fundit hedhin drita dyshimi, duke pasur parasysh karakterin gjakësor të Enver Hoxhës, por, nga ana tjetër, edhe për vetë pozicionin e Lames, i cili, teksa distancohet nga regjimi dhe krimet e kryera asokohe, e nxjerr veten me duar të lara nga i gjithë ai proces. Pas një interviste të analistit Fatos Lubonja në gazetën “Panorama” dhe reagimeve të tjera në drejtim të tij, Lame boton një reflektim mbi rolin e tij gjatë diktaturës, duke i mëshuar sërish faktit se ai ka qenë i papërlyer në ngjarjet e mëdha të atij dhjetëvjeçari.

NGA QEMAL LAME

NË NDERIM TË POPULLIT SHQIPTAR DHE TË SË VËRTETËS,
RITHEKSOJ DISA MENDIME PËR GJYKIME OBJEKTIVE

Me ide reale dhe botëkuptim objektiv për të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen, jemi në gjendje të ndryshojmë e përparojmë Shqipërinë dhe ta bëjmë jetën e secilit dhe të kombit të bashkuar më të mirë. Arritjet pozitive meritojnë njohje. Të metat dhe pasojat e rënda është e domosdoshme të kritikohen e dënohen me rreptësi. Vlerësimet për sistemimin politik dhe veprimtarinë e funksionarëve të lartë e nëpunësve të periudhës së socializmit përbëjnë një përgjegjësi të lartë dhe kërkojnë objektivitet e ndërgjegje me bindje të drejta. Me dëshirën për të mësuar, afirmuar si profesionist dhe karrierë të ndershme sipas aftësive dhe jo si dhuratë, mbarova studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike, në Fakultetin e Ekonomisë, Shkollën e Lartë të Oficerëve dhe Shkollën e Lartë të Ministrisë së Brendshme.

Kam qenë i bindur në idealet e vërteta të marksizëm-leninizmit dhe të Partisë së Punës. Në bindjet e mia politike jam udhëhequr nga interesat kombëtare, të mbrojtjes së atdheut e të rendit, të drejtave e lirive të shtetasve. Në veprimtarinë politike dhe shtetërore veproja me korrektësi dhe kam qenë i distancuar nga solidarizimet pa kushte dhe nga shfaqjet e militantizmit. Militantizmi ka qenë një dukuri negative si një ves i ndërgjegjes së njerëzve që donin të përfitonin me çdo mjet nga pushteti i hyjnizuar i udhëheqësit. Për vlerësimet që më janë bërë kam qenë mirënjohës dhe më kanë shërbyer për t’u motivuar dhe punuar akoma më shumë e me ndershmëri. Jam dekoruar vetëm një herë, me “Urdhrin e Flamurit”, me rastin e 40-vjetorit të lindjes, për punë të ndërgjegjshme në realizimin e detyrave.

Detyrat shtetërore dhe partiake më krijuan mundësitë të njihem më nga afër me vendimet e direktivat e Partisë së Punës dhe udhëheqjen. Me kohë verifikova edhe dyshimet e mia mbi ndryshimet midis parimeve politike dhe prapaskenave që nuk mund të kuptoheshin më parë. Kështu u zhgënjeva, reflektoja dhe mundohesha sa mundesha të ndikoja për të ndryshuar gabimet që bëheshin e të parandaloja pasojat e rënda, sidomos në politikën penale, zbulimin e parandalimin e krimeve dhe të dënimeve. Nuk mund të them se arrita të bëhem opozitar e disident. Por, pas ndryshimeve në Kushtetutë, në vitin 1990, luftova sa munda për reformimin e Partisë së Punës dhe demokratizimin e shtetit dhe së drejtës. Ka qenë e vështirë për t’u afirmuar e emëruar në detyra shtetërore në bazë të kërkesave për besnikëri, etikën morale, aftësi profesionale dhe rezultate konkrete efektive në punë. Sa më lart ngriheshe në detyrë, aq më konkrete bëhej edhe përgjegjësia konkrete.

Për këto arsye, punoja me korrektësi, nuk bëja lëshime me pasoja për ligjshmërinë. Kisha në vëmendje kurdoherë faktin se besnikët e partisë ishin pikërisht personalitete të njohura, të vlerësuar për punën e tyre dhe që ishin ndëshkuar me rreptësi kur kishin ndryshuar rrethanat dhe nuk ishin më të besuar të udhëheqësit. Edhe më e vështirë ka qenë të dëshmoje vlerat individuale, të mbroje parimet politike e ligjore mbi bazën e interesave kombëtare, të ruaje korrektësinë në respektimin e zbatimin e detyrave dhe të lije gjurmë pozitive në përshtatje me rrethanat, situatat e qëndrimet personale e zyrtare në vendimet që merrje, me qëllim që edhe në të ardhmen të mbeteshin aktuale e me mesazhe motivuese.

qemal lame

Cilido që e ka përjetuar atë periudhë, e kupton mirë ligjësinë, por edhe vështirësinë për të punuar me nder dhe mbetur i ndershëm e i nderuar. Në mbrojtje të interesave të larta kombëtare, në të gjithë veprimtarinë me shumë përgjegjësi dhe të vështirë si Kryeprokuror i Forcave të Armatosura dhe më pas si Kryehetues i Shtetit, jam udhëhequr nga parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të shtetit, mbrojtjes së rendit juridik, edukimit me normat ligjore, parandalimit në kohë të veprave penale në bazë të Kushtetutës, Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale, ligjeve e akteve nënligjore. Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë, e miratuar në vitin 1946, sanksiononte pushtetin popullor të dalë pas Luftës Nacionalçlirimtare. Ndërsa Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e vitit 1974 sanksiononte partinë-shtet me mekanizmin e diktaturës së proletariatit, luftën e klasave në shkallën më të lartë, eliminonte pronën private, etj. Prandaj, edhe kuptimi dhe zbatimi i Kushtetutës lidhet me të drejtë me pushtetin absolut. Përgjegjësia e organeve të rendit dhe të drejtësisë si organe të diktaturës dhe e punonjësve të tyre është më e rëndë. Përgjegjësia është ligjore, kolektive dhe individuale. Ka përgjegjësi secili që ka vepruar me dashje në kundërshtim me ligjet. Është me vend të njihet e të respektohet politika e demokracisë europiane për të kaluarën e shteteve diktatoriale.

Në Kartën Europiane të Parisit për të Drejtat e Liritë, është sanksionuar se ata që kanë zbatuar Kushtetutën e ligjet nuk kanë përgjegjësi, veçse kur i kanë shkelur ato me ndërgjegje. Ky rregull është respektuar në të gjitha shtetet e Europës Lindore që kaluan nga socializmi diktatorial në kapitalizmin demokratik. Në reflektim të rrethanave politike të kohës së kaluar si dhe të dimensioneve të sotme të mendimit politik, juridik e filozofik, të krijuara me ndryshimin e sistemit politik nga socializmi në kapitalizëm, nga shteti diktatorial në shtetin e së drejtës, nga diktatura në demokraci, nga partia-shtet në pluralizmin politik, shpreh me ndërgjegje se njoh përgjegjësinë personale dhe atë të përbashkët, jam i bindur në arritjet për aq sa kam mundur dhe aq sa më lejonin klishetë e sistemit dhe vë në dukje rrethanat, në të cilat kam vepruar me ndërgjegje për zbatimin e detyrave në bazë të ligjit. Unë kam qenë një zyrtar i asaj periudhe. Kam punuar me përkushtim e korrektësi për zbatimin e Kushtetutës, të ligjeve dhe të drejtave e lirive të shtetasve, përfshirë edhe personat e hetuar e gjykuar, në kohën kur nuk kishte institucion të avokatisë.

Regjimin e përbëjnë dhe e përfaqësojnë udhëheqja e partisështet që ka drejtuar luftën e klasave dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë deri edhe brenda radhëve të veta. Fajësinë kryesore e të drejtpërdrejtë para popullit e kombit shqiptar për luftën e klasave dhe persekutimin politik e kanë ata që ishin në udhëheqje, në Byronë Politike, sidomos udhëheqësi kryesor, diktatori Enver Hoxha, bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Hysni Kapo, që drejtonte organet e diktaturës, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatën e Lartë, e më pas Ramiz Alia, Kryeministri Mehmet Shehu etj.

Me ndërgjegje e përgjegjshmëri të lartë ligjore, politike dhe morale për të kaluarën e të sotmen, theksoj dhe publikoj me sinqeritet se njoh përgjegjësinë për të kaluarën në periudhën e socializmit, për aq sa më takon, për detyrat shtetërore e politike që kam pasur, si dhe bindjen e përkushtimin e ndërgjegjshëm për të mbrojtur Kushtetutën e të vërtetën për interesin kombëtar. Me këtë rast, edhe një herë, me ndërgjegje theksoj: “Më vjen shumë keq për pasojat e rënda të përjetuara nga të dënuarit dhe të përndjekurit politikë. Nderoj me respekt viktimat e diktaturës“.

E kaluara ime mbetet ashtu siç ka qenë. Vlerësoj se kam dëshmuar se cili jam, nuk kam motiv të ndryshoj apo të ndikoj për të krijuar artificialisht një përfytyrim e vlerësim për t’iu përshtatur kohës së tanishme. Nuk ka qenë dhe nuk është në moralin tim të ndikoj për vete ose për të tjerët për të rikompozuar të kaluarën dhe të tashmen. Dëshiroj të mbeten si jam dhe si më kujtojnë bashkëkohësit dhe mbarë opinioni shoqëror mbarëkombëtar. Vlerësimi ligjor, shtetëror, politik e moral mbeten gjykime e përcaktime për figurën e veprimtarinë e secilit në kohën dhe kushtet, në të cilat është edukuar, ka punuar dhe ka dhënë kontributin e tij të mundshëm.

Prandaj, kërkohet përgjegjësi në qëndrimet personale e kolektive, sidomos për të kaluarën në socializëm, në shtetin e diktaturës së proletariatit, që është akoma temë e nxehtë e medias dhe opinionit publik. Për këto arsye, mendoj se ka vend të theksoj se në deklarimin e sinqertë për përgjegjësinë time në të kaluarën, marrin rëndësi parimet e ndërtimit të shtetit e të drejtës, analiza e rrethanave politike e juridike, veprimtaria konkrete e zhvilluar dhe mundësitë e pakta për pavarësi në marrjen e vendimeve. Në dokumentet në Arkivin e Shtetit, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme etj., janë të arkivuara dokumentet ku vërtetohet veprimtaria dhe qëndrimet si Kryeprokuror i Forcave të Armatosura e më pas Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme në politikën penale, zbulimin e parandalimin e krimeve e uljen e dënimeve për krimet kundër shtetit dhe ato të rënda, ka kërkuar zbatimin e Kushtetutës e të ligjeve:
1. Kam qenë i përkushtuar për drejtësi e ligjshmëri në hetime e gjykime sipas ligjit dhe në bazë të provave ligjore. Jam interesuar personalisht dhe kam kërkuar saktësinë e të dhënat për objektivitetin e dyshuar të dokumenteve, provave e të dhënave të Sigurimit të Shtetit.
2. Në çdo çështje penale, për çdo kallëzim, për çdo masë penale për marrjen si të pandehur, në gjendje të lirë ose me arrestim të personit të akuzuar me prova konkrete ligjore, kam kërkuar më parë mundësinë ligjore për të shpëtuar personin nga dënimi, duke zbatuar masat edukuese e mënjanimin nga dënimi penal. Masat penale, arrestimi dhe dërgimi në gjyq janë zbatuar vetëm kur nuk kishte mundësi për ta parandaluar dhe shpëtuar personin nga përgjegjësia penale. Janë me mijëra persona të shpëtuar nga përgjegjësia penale.
3. Kam punuar për forcimin e rendit dhe zbatimin me rreptësi të ligjeve. Rendi juridik ka qenë i fuqishëm. Kriminaliteti ka qenë në nivele të ulëta. Hetoheshin rreth 2000 çështje penale në vit, kur popullsia ishte 3,2 milionë banorë. Hetimet realizoheshin përgjithësisht brenda ditë, javës e muajit. Pa nënvleftësuar përgjegjësinë si drejtues i Hetuesisë. si organ i drejtësisë me funksionin kushtetues të akuzës, mendoj se veprimtaria ligjore e Kryeprokurorit dhe e Kryehetuesit, nuk është e drejtë të mjegullohet, të njësohet e të vihet pa vend në fokusin e së kaluarës, me qëllim për ta paragjykuar ose edhe nga padijenia për punën e tij, duke vënë në fokus vetëm faktin e emërtimit të detyrës shtetërore dhe radhitur padrejtësisht me fajet tipike të udhëheqjes së Partisë së Punës dhe të Sigurimit të Shtetit.

Për këto arsye është e nevojshme dhe e dobishme të njihet konkretisht puna ime dhe të mbahet qëndrim objektiv me arritjet e përgjegjësitë për Kryeprokurorin e Forcave të Armatosura dhe më pas Kryetarin e Hetuesisë së Përgjithshme, si dhe për të gjithë personalitetet e asaj kohe. Në periudhën e socializmit bëheshin emërimet nga organet e partisë e të shtetit. Kërkohej të punoje në shërbim të atdheut dhe të ishe mirënjohës. Në moshën 18 vjeç u titullova oficer tankist dhe u emërova në Brigadën e Tankeve në Tiranë. Pas një viti e gjysmë më emëruan në Prokurorinë Ushtarake, pa më marrë mendimin, pas dënimit të Komplotit të Beqir Ballukut për të forcuar ligjshmërinë në Forcat e Armatosura. Edhe në Hetuesi më emëruan pa më marrë mendim.

Ishte koha e gjendjes së rëndë politike pas vrasjes së Mehmet Sheut, kishte filluar skenari për komplotin dhe duhej një person me garanci morale, aftësi profesionale, vlerësime nga opinioni shoqëror e punonjësit e drejtësisë, si dhe të ishte jashtë kuadrove të Sigurimit të Shtetit e të Policisë.
Këto janë arsyet që më kanë emëruar në Hetuesi dhe më besuan detyrën shumë të rëndësishme dhe tepër me përgjegjësi për drejtimin e këtij institucioni që u riorganizua si organ i drejtësisë, jashtë strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme e të Sigurimit të Shtetit. Kam qenë dhe mbetëm mirënjohës për vlerësimet që më janë bërë. Kam mbrojtur parimet kushtetuese e etikën profesionale e morale, kam ruajtur korrektësinë, nuk jam udhëhequr nga dëshira për karrierë me çdo mjet, nuk kam lënë mundësi që të përdoret devotshmëria ime për t’u toleruar apo legjitimuar veprime të paligjshme nga udhëheqja politike e shtetërore apo cilido tjetër që mund të kishte qëllim të përfitonte apo shpëtuar nga përgjegjësia ligjore.

Vlerësoj Ligjin për Dekriminalizimin. Ai është i domosdoshëm për shtetin e së drejtës, politikanët dhe punonjësit shtetërorë e të drejtësisë. Për një gjykim më objektiv, mendoj se komisioni që hartoi ligjin kërkohej të analizonte konkretisht kriteret, veprimtarinë, përgjegjësinë e diferencimet e domosdoshme të personave që kishin pasur funksione të larta në institucionet shtetërore e në drejtësi. Janë bërë të njohura publikisht kritikat e përsëritura për përjashtime për persona të veçantë të akuzuar konkretisht në median dhe në opinionin publik?! Në kushtet që institucionet e larta shtetërore, për arsye të qëndrimeve të njëanshme politike, nuk arrijnë apo nuk marrin iniciativën të bëjnë vlerësimet e domosdoshme, detyrohem të bëj të njohur disa fakte konkrete të dëshmuara e të njohura publikisht në realizimin e funksioneve që kam pasur:

– Kam riorganizuar Hetuesinë si organ kushtetues i pavarur i drejtësisë. Hetuesia u riorganizua dhe veproi e pavarur jashtë sistemit të Sigurimit të Shtetit, Policisë e strukturave të tjera të Ministrisë së Brendshme. U krijua për herë të parë në botë Hetuesia si organi kushtetues i pavarur i drejtësisë. Vendosa regjimin e rreptë të zbatimit të ligjshmërisë, objektivitetit në hetime për vënien e fajtorëve para përgjegjësisë penale për akuza konkrete dhe me prova ligjore konkrete të përgjegjësisë individuale. Mënjanova dhe ndalova ndërhyrjet e Sigurimit të Shtetit në hetime. Miratova urdhra që ndalonin konkretisht dhe efektivisht dhunën fizike apo psikike, si dhe sugjestionimin e të pandehurve në hetime. Kam reaguar me forcë dhe kam marrë masa ligjore e administrative për çdo rast të dyshimit për shfaqje të dhunës, fyerjeve apo sugjestionimit nga hetuesit.

Siguroj se në veprimtarinë time, në çdo çështje, kam zbatuar ligjin dhe kam respektuar të drejtat dhe identitetin e të pandehurve, të ndaluarve, të arrestuarve. – Kam qenë iniciator dhe anëtar aktiv i komisionit të Reformës Kushtetuese në vitin 1989-1990 për ndryshimin e rendit shoqëror e të sistemit politik, demokratizimin e shtetit e të legjislacionit, hartues e bashkautor konkretisht i ligjeve kryesore: ndryshimit të Kushtetutës, Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale etj., të miratuara në Kuvend, më 8-9 maj 1990. – Iniciator dhe hartues i ligjeve për ndryshimin e neneve të Kodit Penal, heqjen e dënimit me vdekje, heqjen e internimeve e dëbimeve, të amnistisë në vitin 1981 e në vazhdim deri më 1991 etj.

– Kam kundërshtuar me forcë vrasjet në kufi. Kam kërkuar dhe janë vënë para përgjegjësisë penale oficerët dhe ushtarët që kanë realizuar vrasjet në kundërshtim me ligjin. Kam kërkuar llogari dhe kam marrë masa disiplinore ndaj kryetarëve të Hetuesisë së rretheve Shkodër, Durrës, Vlorë, Sarandë, që, pa dijeninë time, ranë nën presionin e Ministrisë së Brendshme dhe të kryetarëve të Degëve të Brendshme dhe u organizuan demonstrimet makabre të kufomave të viktimave para popullit për t’u futur frikë dhe kërcënuar hapur me pasojat me vdekje. Urdhërova që kufomat e viktimave t’u jepen familjarëve dhe ndalova praktikën antiligjore e antinjerëzore të varrimeve të koduara, pa vënë në dijeni familjet e viktimave. Edhe në rastet që kanë ndodhur fatkeqësi me humbje jete në dhomat e izolimit, çështjet janë hetuar me përgjegjësi ligjore, janë bërë ekspertime për shkaqet e vdekjes dhe kufomat u janë dhënë familjarëve. – Komploti i Mehmet Shehut, i cilësuar si kryekomploti, ishte një çështje shumë sekrete. Veprimtaria e grupit operativ agjenturor dhe e grupit të hetimit drejtoheshin vetëm nga ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai.

Sipas porosisë së Enver Hoxhës, unë kisha për detyrë të jepja mendime për zbatimin e ligjshmërisë në dokumentet e dosjes hetimore, kur më kërkohej nga Hekurani. Kjo kushtëzohej me domosdoshmërinë e ndihmës për shkak të nivelit të tij arsimor dhe mungesës së njohurive juridike e administrative. – Në mbrojtje të interesave kombëtare dhe sa kam pasur mundësi, kam dhënë mendime që komploti të mos zgjerohej në fushën e artit e të letërsisë, në Forcat e Armatosura, në organet e partisë e të pushtetit: – kam dhënë mendimin në dy raste për të mos u arrestuar shkrimtari Ismail Kadare; – të mos përfshiheshin në komplot grupi i gjeneralëve: Rrahman Hanku, Sadik Bekteshi, Abaz Fejzo, Spiro Shalësi etj.;

– në çështjen në ngarkim të Thoma Dine, sekretar i parë i Komitetit të Partisë, në Pukë, dhe Bogiç Mataj, kryetar i komitetit ekzekutiv, në maj-qershor 1982, u kërkua të akuzohen si sabotatorë të ekonomisë dhe bashkëpunëtorë të komplotit, por u dërguan për gjykim vetëm raportime të rreme, për falsifikimin me ndërgjegje të treguesve ekonomikë e financiarë, për shpërdorim detyre. – pas arrestimit të Kadri Hazbiut, të mos arrestoheshin kuadrot drejtuese të Ministrisë së Mbrojtjes dhe disa komandantë të korpuseve e grupimeve: Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Veli Llakaj, zëvendësministrat e Mbrojtjes, Alfred Mojsiu, Nazar Berberi; drejtori i Zbulimit Ushtarak, Eqerem Osmai, komandantët e korpuseve, Tefik Ruçi, Vehbi Alikaj etj. Mehmet Shehu, pas vetëvrasjes

Vijon…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura