Vllaznia ka gati trajnerin e ri, Tomas Bërdariç drejt zyrtarizimit në stolin kuqeblu

Apr 26, 2024 | 10:06
SHPËRNDAJE

Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë e ka tronditur fort klubin shkodran, kjo dukej qartë, por jo aq sa të merrte vendimin për të mbyllur bashkëpunimin me trajnerin Qatip Osmani dhe ndihmësin e tij Livoreka.

Brdaric

Me një njoftim në orët e vona të mbrëmjes klubi kuqeblu ka zyrtarizuar ndarjen me trajnerin nga Maqedonia e Veriut. Në njoftim shkruhet se mbyllja e bashkëpunimit është bërë me mirëkuptim, por kuptohet që rezultatet e fundit kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në këtë situatë. Një vendim pak i pritshëm ky, duke qenë se Vllaznia mban vendin e dytë në kampionat dhe është plotësisht në garë për titullin kampion. Qatip Osmani erdhi në Shkodër pasi kishte nisur sezoni, duke pasuar Migen Memellin. Nën drejtimin e tij, skuadra shkodrane ka pasur një rritje të madhe, pavarësisht rezultateve të fundit.

NJOFTIMI – “Vllaznia njofton gjithë opinionin sportdashës se ka mbyllur me mirëkuptim bashkëpunimin me profesor Qatip Osmanin dhe me zëvendëstrajnerin Bashkim Livoreka. Klubi i falënderon për gjithë kontributin e dhënë për skuadrën tonë dhe i uron shumë suksese në karrierën e tyre të mëtejshme”, shkruhet në njoftimin e klubit shkodran.

BËRDARIÇ – Tomas Bërdariç, gjermanokroatin që e ka drejtuar Vllazninë pak kohë më parë dhe ka lënë përshtypje shumë të mira, është çështje orësh që të marrë drejtimin sërish të ekipit skodran. Tani mbetet të shihet si do të veprojë klubi i Vllaznisë. Nëse Bërdariç e merr tani drejtimin e skuadrës, kuptohet që do të firmosë edhe për sezonin e ri. Ndoshta mund të ketë ndonjë lëvizje surprizë, por Bërdariç duket vërtet shumë pranë rikthimit në Shkodër dhe pritet të zyrtarizohet që sot dhe të debutojë ndaj Egnatias të dielën në kampionat.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura