Lidershipi i helmatisur i SHISH

May 6, 2024 | 7:53
SHPËRNDAJE

EVARIST BEQIRIEVARIST BEQIRI

Menjëherë pas ndryshimit të regjimit politik në Shqipëri, u ngrit sipas modeleve të vendeve demokratike Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK) ose siç njihet tashmë, Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH). Për hir të së vërtetës, pavarësisht momenteve të vështira në këto vite të tranzicionit, SHISH ka arritur që të shquhet ndër institucionet shqiptare, duke realizuar arritje pozitive të vlerësuara ndërkombëtarisht. Pavarësisht vështirësive, ai ka arritur që t’i bëj ballë edhe infektimit nga sëmundja e korrupsionit endemik që ka kapluar vendin tonë. Por sot do të ndalem pak posaçërisht vetëm tek Instituti i SHISH-it. Sepse siç shkruante Martin Luther King: “Padrejtësia diku është një kërcënim për drejtësinë kudo”. Me organizimin e ri institucional pas rënies së sistemit monist, u krijua Instituti i SHISH-it me VKM nr. 410, datë 15.09.1992 “Për krijimin e Institutit të Shërbimit Informativ Kombëtar”.

Kjo strukturë i ka shërbyer në këto dekada të gjithë komunitetit të inteligjencës dhe sigurisë në vendin tonë. Në këto vite tranzicioni, pavarësisht problematikave, Instituti i SHISH-it ka vendosur një traditë të mirë, e cila vlen të respektohet. Veprimtaria e Institutit normohet nga VKM nr. 1400, datë 17.10.2008, “Për organizimin e kurseve në SHISH dhe trajnimin e pjesëmarrësve”, e ndryshuar. Misioni i Institutit të SHISH-it synon përgatitjen profesionale dhe formimin bazë të punonjësve të rinj të SHISH-it; kualifikimin dhe specializimin e vazhdueshëm të punonjësve të SHISH-it në funksion të sigurisë kombëtare. Instituti i SHISH-it i ka shërbyer të gjithë komunitetit të inteligjencës dhe sigurisë në vendin tonë, duke u ofruar trajnime edhe punonjësve të institucioneve të tjera si: AISM (Ministria e Mbrojtjes); AMP-së dhe Policisë së Shtetit (Ministria e Brendshme), SHKBB (Ministria e Drejtësisë) etj. Kaq sa i përket memories historike të Institutit të SHISH, të vetmes strukturë që realizonte trajnime profesionale në fushën e inteligjencës në vend. Pasi tanimë fatkeqësisht si pasojë e vendimeve të gabuara të lidershipit të helmatisur, statusi i Institutit ka degraduar. Ai ekziston vetëm në letra sepse i është vendosur dryni.

Në një kohë kur në të gjithë vendet e zhvilluara po i kushtohet një kujdes i posaçëm trajnimit dhe zhvillimit profesional të punonjësve, për lidershipin e helmatisur të SHISH-it kjo duket e panevojshme. Kjo ndikon negativisht të gjithë komunitetin e inteligjencës dhe sigurisë në vend. Dhe ky është vetëm një nga vendimet e mbrapshta të lidershipit të helmatisur, që patjetër do të lerë pasoja negative për të ardhmen… Dikur një shkrimtar i madh ka shkruar se: “Mbas çdo karriere të pamerituar fshihet një maskarallëk i madh.”. Dihet se një nga treguesit më domethënës të karakterit të lidershipit janë njerëzit me të cilët rrethohet. Nuk duhej vendosur në krye të SHISH një analfabeti funksional, që nuk ka as formimin kulturor të inspektorit më të dobët në SHISH. Vendosja në krye e një individi të tillë është ofendimi më i madh që një kryeministër i ka bërë këtij institucioni.

Pikërisht në një moment vendimtar, kur ky shërbim kishte nevojë të reformohej më tej për të realizuar një hop cilësor drejt konsolidimit të mëtejshëm institucional, kryeministri ynë vendosi në krye të tij një njeri të pazotin për t’iu përgjigjur sfidave të kohës. Kur shkelen parimet thelbësore si ai i meritokracisë dhe ai i ligjshmërisë, punonjësit automatikisht demotivohen. Çdo ditë e më shumë që individi në fjalë kalon në krye të institucionit, do të sjellë gjithmonë e më tepër dëme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Një tjetër fakt skandaloz është shkelja me të dyja këmbët e parimeve kushtetuese në Republikën e Shqipërisë. Me vetëdije nuk është respektuar hierarkia e akteve normative në Republikën e Shqipërisë, duke ndërhyrë tek fusha e veprimit të VKM nr. 410/ 1992, me anë të një urdhri të kryeministrit.

Nga pikëpamja juridiko-kushtetuese, referuar nenit 116 të Kushtetutës, urdhri i kryeministrit në hierarkinë e normave renditet nën vendimin e Këshillit të Ministrave. Vendimi për të asgjësuar Institutin e SHISH cenon sigurinë kombëtare. Lideri vendos një balancë midis pikave të forta të së shkuarës me ato të së tashmes, me qëllim përballimin e sfidave të së ardhmes. Por, kur lidershipi është i helmatisur, atëherë lulëzon mediokriteti. Kryeministri ynë i kapluar tashmë në paranojën e pushtetit të tij të gjatë personal, po vendos në postet kyçe njerëz që janë më shumë besnik ndaj tij personalisht sesa të zotë dhe me integritet. Patjetër që besnikëria është një kriter i nevojshëm, por i pamjaftueshëm për të drejtuar këtë institucion. Kryeministri ka dështuar në sfidën e madhe për të ndryshuar praktikën klienteliste të administratës tonë publike, ku vazhdon që të mos t’i gjendet punës njeriu, por njeriut t’i gjendet puna. Prandaj, pyetja retorike që ngrihet natyrshëm për kryeministrin tonë në majën e lartësive të pushtetit, nga ku ai aktualisht po përpiqet që të dirigjojë punët e botës mbarë është: Quo Vadis Shtet!?

*Ish-drejtor i Institutit të SHISH

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura