Regjimet vrasin ngadalë…

Feb 17, 2024 | 12:28
SHPËRNDAJE

NGA LUÇIANO BOÇI auto_Luciano_Boci1657319924

Vdekja e Navalnit, opozitarit të Putin, nuk ishte diçka e papritur. Udhëtimin e tij drejt përjetësisë Putini kishte kohë që e kishte përgatitur dhe thjesht priste në qetësi fundin e rivalit të tij stoik.

Ndërkohë liderët evropianë në një gjest abstrakt duartrokisnin fjalimin e të vejës së Navalnit, duke larë kështu duart për përgjegjësinë morale për vdekjen e opozitarit themelor dhe fijes së vetme të shpresës për pak demokraci, në një vend kyç për fatet e botës, me kulturë autokrate.

Me putrën e tij goditëse ndaj Navalnit, përfundimisht ai u shpall Tsar i Rusisë, falë dhe dështimit spektakolar të perëndimit dhe i dha një  mësim fatal sjellësve të demokracisë.

Rasti Navalni diskretiton në sy të gjithë botës solidaritetin demokratik perëndimor dhe  dekurajon përpjekjet e opozitave në vende me probleme autoritare.

Apatia e elitës perëndimore dhe vaniteti demokratik i tyre është spektakolar.

I mplakur në parime e standarte perëndimi ka rrëshqitur drejt një korruptimi politik dhe ulitlitarizmi politik ekstrem në raport të drejtë me humbjen e fuqisë së tij ndikuese.

Për hir të politikës së ditës ai vazhdon të tolerojë ringjalljen e regjimeve që ekzekutojnë opozitat.

Tanimë jo me mjete në dukje brutale, por me mjete në thelb brutale.

Vërtet regjimet nuk përdorin më togat e pushkatimeve, apo varjet në litar për zhdukjen e kundërshtarëve politikë.

Metodat e tyre janë më të rafinuara, por në pasojë e rezultat më kanibaleske se të paraardhësve.

Këto metoda përfshijnë një arsenal të tërë veprimesh që nisin me akuza false, burgosje, grabitje zgjedhjesh, përdorim esencial të skalioneve të krimit, sulme të papushuara mediatike, faza të përshkallëzuara për gjunjëzim etj… brenda një kornize të florinjtë demokratike.

Historia e Navalnit dhe jo vetëm e tij e dëshmon qartë brutalitetin ekzekutues të regjimeve sot ndaj opozitave.

Brutaliteti shpaloset më therës kur me cinizëm regjimi deklaron se ai ishte i burgosur sipas ligjeve dhe drejtësisë se lartë demokratike të shtetit demokratik.

Vdekja e ngadaltë e opozitave është rruga nëpërmjet të cilës regjimet afirmojnë veten.

Madje ka vdekje të ngadaltë në vdekje, por dhe vdekje të ngadaltë në gjallje.

E para ngjan dhe heroike megjithatë.

Ndërsa kjo e fundit është akoma më e ndyrë dhe e poshtër dhe këtu buzëqeshjet dhe duartrokitjet e vanitozëve të demokracisë janë më të forta dhe të dukshme.

Kjo po ndodh në shumë vende me aspirata europiane përfshirë Shqipërinë.

Madje shoqërohen me vizita e samite pompoze dhe me zhurma mediatike të parapërgatitura.

Dhe shkalla e neverisë ndaj atyre që duartrokasin sa vjen e rritet.

Rasti i Navalnit nuk është vetëm afirmim i metodave që përdorin regjimet.

Ai është një alarm për demokracitë e opozitat.

Kjo duhet të nxisë reagimet e forta të shoqërive që këto të mos vdesin ngadalë bashkë me opozitat e tyre, për ta lënë vendin në duar të aventurierëve që sot pëlqehen si misset e pasarelave e konkubinat e shtëpive publike, për shkak të sharmit korruptues që mbajnë e përcjellin.

Perëndimi duhet të zgjohet dhe të reagojë. Tolerimi i regjimeve po e rrudh dhe po e vdes dhe atë ngadalë.

I vetmi shpëtim është rigjallërimi i demokracisë, i vlerave konservatore të familjes, besimit e kombit.

Regjimet duhet të shemben e opozitat duhen shpëtuar në emër të lirisë por dhe si thelb i fuqisë dominuese të perëndimit.

Megjithatë Shqipërinë e shpëtojnë shqiptarët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura