Raporti i KLSH/ Ilaçet në Shqipëri të pasigurta. Prej tetorit të 2019-ës nuk janë analizuar barnat në treg

Aug 19, 2021 | 14:22
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Kriza shëndetësore e shkaktuar nga COVID-19 bëri që  kërkesa për medikamente të rritej ndjeshëm, por siguria për to, jo.

ilacet

Pikërisht në vitin kur shitja dhe importi i produkteve farmaceutike kapi vlerën më të lartë në dy dekadat e fundit, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore nuk ushtroi asnjë kontroll mbi to. Ky është rezultat i auditimit të Kontrollit të Lartë të  Shtetit, i cili, pasi ka analizuar punën disavjeçare të këtij institucioni, vë në dukje se numri i analizave laboratorike të medikamenteve ka ardhur në tkurrje vit pas viti (shiko tabelën përbri) deri në pikën kur për 11 muaj rresht nuk është kryer asnjë analizë.

“Për periudhën 2017- 2018, institucioni ka kryer vetëm 12% të barnave që duhet të analizonte. Në vijim të problematikave të trajtuara janë lënë dhe rekomandimet përkatëse, por pavarësisht tyre, situata nuk duket e përmirësuar, por ka pësuar ulje deri në moskryerje të tyre. Prej muajit tetor 2019, në të cilën është bërë analiza e fundit, institucioni për 11 muaj nuk ka nxjerrë asnjë analizë çka nuk ka mundësuar analizimin e barnave në treg me cilësi dhe efikasitet për popullatën”, citohet në raportin e auditimit që shtron si emergjencë vijimin e kryerjes së analizave si qëllimin bazë, përpos nevojës për përmirësimin e infrastrukturës.

Për këtë mungesë flagrante, gishti i akuzës drejtohet jo nga titullarët e institucioneve, por dukuritë natyrore si tërmeti i 2019-ës që dëmtoi laboratorët e ISHP-së dhe situata pandemike, e cila në vend që të rriste kontrollet në pikun e pandemisë, i zeroi. “Ngjarjet e jashtëzakonshme si tërmeti i 26 nëntorit, por edhe pandemia COVID-19 shpallur në fund të muajit mars 2020 kanë pasur gjithashtu ndikimin e tyre negativ në këtë situatë.

Megjithatë, mungesa e analizave në afatgjatë ka ndikime të rëndësishme në ruajtjen e shëndetit  të popullatës”, thuhet në raportin e audituesëve, të cilët nënvizojnë gjithashtu se transferimi i laboratorit të kontrollit pas tërmetit ka qenë një lëvizje e pastudiuar dhe  me ndikim afatgjatë në ruajtjen e shëndetit.

Thënë ndryshe, është vënë në rrezik shëndeti i popullatës duke iu ofruar barna të pakontrolluara. Laboratori i Kontrollit është ai që përmes analizave garanton vendosjen në treg të  barnave të sigurta, cilësore dhe efikase. Ai kryhen analizat fiziokimike dhe mikrobiologjike të disa doza barnash  që importohen a prodhohen në vend, të lëndëve të para  farmaceutike, analizë të mostrave që shoqërojnë dokumentacionin për dhënie autorizimi për tregtim të tyre, si dhe në çdo rast kur ka import të tyre lëshon certifikatën e analizës.

Me pak fjalë, siç audituesit e KLSH-së e përshkruajnë, ky laborator është jetik për procesin e garantimit  të ilaçeve që prodhohen në vend apo importohen nga jashtë. Pavarësisht se nuk  janë kryer analiza, në laboratorin e kontrollit, edhe pse jo- funksional, figurojnë 18 të  punësuar, ndërsa kostoja për laboratorët kap shifrat e më shumë se 26 milionë lekëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura