Rama zbulon rolin e izraelitëve për anti-KÇK: Gati task-forca për zyrtarët, ja si do funksionojë

| 9:52
SHPËRNDAJE

Rama OFL aksionetKryeministri Rama tha dje se ligjet e fundit anti-KÇK apo dhe njësia e re antikorrupsion janë hartuar nga ekspertët izraelitë dhe antimafia italiane.

I ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, Rama tha se, “Në njësinë e re, arsyeja e vetme pse nuk është formalizuar akoma, është se unë kam kërkuar një grup ekspertësh që vijnë nga terreni, nga tri shtete, të cilët do të na bashkohen dhe që unë do të kërkoj nga ata që të bëjnë përzgjedhjen e fundit të personave që do të zgjidhen nga të gjitha këto struktura, do të vetohen brendapërbrenda, do zgjidhen prej tyre dhe do të jenë një qendër e mbyllur komplet, e cila nuk do të komunikojë as majtas dhe as djathtas dhe do merret me kravatat”.

Ai sqaroi gazetarët e ftuar në studio se makina, për të cilën akuzohet se është e blinduar, nuk është e tillë dhe se ia ka sjellë i vëllai, Olsi Rama, nga SHBA në 2009 kur ai ishte në opozitë dhe jo Kryeministër. Kryeministri Edi Rama edhe një herë ka mbrojtur ish-kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Këtë të enjte, në emisionin “Opinion”, Rama është pyetur drejtpërdrejt mbi vendimin e marrë nga DASH për Dakon.

Ai tha se me ndryshimet e fundit ligjore në statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ata mund të arrestohen nëse provohet se kanë dhënë vendime që ai i quajti ‘skandaloze’. Rama tha se të gjithë gjyqtarët do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Sa për ligjin special të “anti-KÇK”, ai shtoi se u bë në këtë moment, sepse ligji aktual antimafia nuk mund të funksionojë me gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që janë në sistem.

A është e blinduar makina që përdorni ju, zoti Kryeministër?

Njëri nga këta të studios duhet të shkojë dhe ta shikojë është apo jo e blinduar?! E blinduar?! Të çohet tani, për t’u shërbyer telespektatorëve që iu kanë thënë se makina është e blinduar… Makina është që në vitin 2009, që kur kam qenë në opozitë. Ma ka sjellë im vëlla. Dhe makina që unë përdor, nuk ka qenë kurrë e blinduar. Është makina që e kam përdorur që atëherë. Ka dalë lajm se kam blerë makinë të re qindra-mijëra euro. Nuk është e vërtetë. Kam çuar makinën e vjetër dhe kam marrë një të re me qira. Unë nuk jam as shofer, nuk di as t’i jap makinës, unë i jap vetëm makinës së qeverisë. Unë s’kam asnjë makinë të blerë si Kryeministër. Edhe “Benz”-i që thoni se është i ri, është me qira.

Pse nuk fillon nga ti, për shembull? Pse s’jep ti llogari për vilën tënde, për pasurinë?

Për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse në këtë moment, ne kemi një rezervuar, një grup njerëzish, të cilët janë të dënuar. Pra, i kemi listë të mbyllur. I kemi të akuzuar. Dhe Policia, në këtë rast, nuk bën asgjë tjetër, veçse merr nga regjistri dhe bën të gjitha verifikimet e pronave të tyre dhe bëhet fjalë për pronat e tyre të deklaruara. Se pastaj këta kanë edhe plot që s’i kanë të deklaruara. Dhe ia çon SPAK-ut. Kush do ta bëjë këtë për mua? Do ta bëj vetë unë? Do ta bëjë Policia? Ka një institucion ku ne kemi deklaruar pasuritë që kur jemi bërë subjekte të deklarimit. Ashtu sikundër thonë po nga gjykatësit. Gjykatësit, ata që kanë dalë nga vetingu, kjo drejtësi e re do t’i thërrasë, por nuk do t’i thërrasë Policia. Larg qoftë, se s’jemi në vitin ’45. SPAK-u me Gjykatën Speciale do fillojë t’i thërrasë.

Arrestohet një gjykatës nëse mendohet se ka bashkëpunuar?

100% po, me këtë që kemi kaluar dje 100%. Nëse gjykatësi jep një vendim skandaloz, ILD ka të drejtë të bëjë verifikimet. KLGJ dhe KLP e pezullojnë, pastaj në grupin e verifikimit do jenë të gjithë inspektorët.

Kjo ka qenë edhe në vitet ’90 dhe u quajt fitore e madhe kur u hoq?

Nuk ka qenë kështu Fevzi, mos kalo te kjo. Me këtë masë ne kemi arritur t’u japim të gjithë këtyre të KÇK-së që mos guxoni të bëni më veprime të tilla, sepse ç’ndodh. Ata japin vendime e pastaj fillon historia, ka dhënë letër kryetari i bashkisë, ka dalë në fotografi me atë, bëhet një konglomerat dhe nuk merret vesh se kush është krimi. Përgjegjësia i ngelet gjyqtarit për vendime të kësaj natyre. Sot ka një emergjencë për ta çuar luftën kundër krimit në emergjencë dhe ligji special nuk merret me asgjë tjetër, përveçse me një gjë. Je dënuar sepse ke vrarë, je dënuar, domethënë, unë nuk merrem fare të të gjykoj, nuk të shkel asnjë të drejtë, ti je i dënuar, ke trafikuar, ke bërë të gjitha të zezat. E ke kryer dënimin, ose je duke e kryer, ose je akuzuar për këto krime. Nuk je dënuar sepse gjykatat kanë qenë këto që kanë qenë, s’ka problem. Do provosh që kjo shishja e ujit që ke, është aktivitet i punës dhe jo i aktivitetit tënd kriminal. Ligji antimafia nuk mund të funksiononte me KÇK sepse janë në aleancë, prandaj duhej kjo gjë në këtë moment.

Zoti Kryeministër, Departamenti i shtetit, sekretari i Departamentit të Shtetit ka nxjerrë dy emra nga Partia Socialiste, Vangjush Dako kryetar i Bashkisë së Durrësit, si i përfshirë në korrupsion të madh dhe Tom Doshi, të cilët i ka shpallur non grata që nuk mund të hyjnë përjetë në SHBA, ju i mbani akoma në PS.

Vangjush Dako ka qenë është dhe do të jetë miku im, që të jesh i qartë ti. Nuk ma përcakton departamentit i shtetit mua kë kam mik e kë jo. Mua më përcakton morali im dhe bindja ime, dakord? Edhe në burg të shkojë nesër, do të jetë miku im, por me Vangjush Dakon ama nuk kam bërë kurrë, as më ka kërkuar, as i kam kërkuar, as kemi bashkëpunuar, as i kemi kërkuar bashkëpunim të tjerëve në asnjë shkelje të ligjit të Republikës të Shqipërisë, asnjë.

E mbrojte kur ishin përgjigjet e Dakos me ata të Shijakut? Kur ti thua që është miku im, drejtësia stepet dhe nuk merret më me të.

Nuk stepet drejtësia në raport me këtë. Mos bëni moral, sepse në xhepin tim nuk më gjen dot njeri asnjë qindarkë që nuk më takon nga puna ime dhe as familjes sime. Nëse miku im ka shkelur në dërrasë të kalbur, të shkojë atje ku e meriton, të shkojë në burg.

Ti e mban Vangjush Dakon sepse ai e nxjerr Durrësin 8 me 4 për PS…

Nëse ngrihet një akuzë ndaj Vangjush Dakos, ai do të largohet nga Partia Socialiste, nuk do ketë mbështetje nga askush.

Po Tom Doshin?!

Tom Doshin e kam përjashtuar nga Partia Socialiste, e mban mend besoj.

Shkodër në fushatë për Bashkinë e Shkodrës, e thërret në mbledhjen e Këshillit të PS për zonën e veriut?

E kam përjashtuar nga PSja, por nuk mund ta përjashtoj dot nga Shqipëria, nga politika dhe mbi të gjitha Tom Doshi nuk ka ardhur aty me makinën time, por ka ardhur me votat e qytetarëve të Shkodrës.

Përse ju nuk bëtë ligj për KÇK, por e kaluat me akt normativ, përse?

Në nuk kemi shpikur asgjë, ligjet speciale janë ligje që bota i përdor në momente emergjence. Kush është momenti i emergjencës?! Është pikërisht dalja komplet nga kontrolli i ligjit dhe i moralit shoqëror i organizatës kriminale që funksionon brenda sistemit të drejtësisë. Është emergjencë, sepse gjykatës të korruptuar, aleatë të krimit kanë sfiduar ligjin dhe institucionet duke liruar nga burgjet vrasës, trafikantë dhe njerëz që kanë bërë të gjitha të zezat. Mua kjo më duket emergjencë dhe jam i votuar që të udhëheq dhe të jap rezultate në këtë udhëheqje. Por unë nuk mund të pranoj që të presim që të formësohet e gjithë makineria e sistemit të drejtësisë, e cila është në formësim e sipër, por më mjafton fakti që është formësuar SPAK-u, se pa SPAK-un nuk do ta kisha bërë as sot. Kemi mekanizmin ligjor të drejtësisë për t’u rënë në kokë këtyre.

Por me akt normativ, qytetari nuk ka ku të ankohet?

Për kë qytetar që janë shpallur kriminelë, keni ndonjë merak?! Britania e Madhe ka bërë një ligj special para disa vitesh, që krahasuar me ligjin tonë, është tirani gjakatare. Ai ligj special thotë që Policia e Shtetit, pa asnjë lloj letre nga Prokuroria, vetëm mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme, të merr dhe të mban 16 ditë në burg.

Zoti Rama jeni shprehur se do ngrini një njësi speciale kundër korrupsionit, e cila do të jetë një njësi e përqendruar kundër korrupsionit në të gjithë sistemin qeverisës. Pse nuk po ngrihet kjo njësi?

Ne po e ndërtojmë këtë njësi speciale dhe shumë shpejt do të jetë aktive. Nuk do të bëhet me ligj special, se nuk ka nevojë. Ne kemi një tërësi institucionesh, ku në çdo institucion ka njësi hetim tatimor, krim ekonomik në polici etj. etj., ne do të ballafaqohemi me këto njësi. Por qoftë për ligjin special, qoftë për paketën Anti-KÇK, qoftë për këtë njësi, ne kemi bashkëpunuar që nga germa e parë deri në fund me një grup super ekspertësh izraelitë dhe me një grup të antimafies italiane. E kanë bërë me ne ata ligjin që ju sot kontestoni në studio. Është ligj i bërë me ta. Në njësinë e re, arsyeja e vetme pse nuk është formalizuar akoma, është se unë kam kërkuar një grup ekspertësh që vijnë nga terreni nga tri shtete, të cilat do të na bashkohen dhe që unë do të kërkoj nga ata që të bëjnë përzgjedhjen e fundit të personave që do të zgjidhen nga të gjitha këto struktura, do të votohen brenda përbrenda, do zgjidhen prej tyre dhe do të jenë një qendër e mbyllur komplet, që nuk do të komunikojë as majtas dhe as djathtas e do merret me kravatat.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.