“PS e foltorja patën të deleguar që ndanin para!”/ Zbardhet debati pa media në PD! Kryetarët e degëve mbrojnë Bashën: S’është faji yt! Deputetët s’erdhën për fushatë, por për foto

Mar 9, 2022 | 11:50
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Një ditë pasi dëgjoi me radhë Grupin Parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në selinë blu kolegjin e kryetarëve.

lulzimbasha1

Ndryshe nga deputetët, kandidatët për kryetar bashkie në këto 6 bashki ku u bënë zgjedhje dhe ish-kryebashkiakët nuk drejtuan gishtin nga kryedemokrati Basha, por nga deputetët.

Ferdinand Saraçi, kandidati i PD-së në Rrogozhinë, i cili ishte i vetmi që ndonëse nuk fitoi garën, por doli forcë e dytë, tha se nga të gjithë deputetët që delegoi Basha, vetëm njëri prej tyre i ka qëndruar në krah. Sipas tij, të tjerët vinin vetëm për foto dhe largoheshin. Ndaj Saraçi tha se përgjegjësinë e humbjes e ka vetë ai dhe deputetët.

Ndërsa ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, tha në mbledhjen me dyer të mbyllura se gjëja e fundit që duhet të mendoj Basha është dorëheqja. Frrokaj tha se deputetët nuk duhet të shkojnë në fushatë me veshje firmë, por duhet të punojnë.

Ndërkohë gjithashtu kryetarët e degëve u ankuan se Partia Socialiste dhe foltorja shpërndanë para për të blerë vota. Ky fenomen u përmend nga përfaqësuesit e Bashkisë Dibër, Rrogozhinë dhe Shkodër.

Ndërkohë, në Vorë, sipas kandidatit për kryetar bashkie, pati lëvizje të frikshme parash. Ndërkohë, edhe kryetari i deleguar i PD-së në Fier, Agron Kapllanaj, tha se ish-Kryeministrit nuk i mbaronin paratë në fushatë.

DEBATI ME DYER TE MBYLLURA NE PD

Ferdinand Saraçi: Kishim përballë edhe qeverinë, edhe Foltoren. PS e foltorja patën të deleguar që ndanin para. Ju më dërguat disa deputetë, por vetëm Dash Sula më ka qenë në krah. Pati shitblerje të votës. Kanë parë e pushtet. Foltorja e dinte se nuk kishte shanse, por vazhdoi me shantazhe e blerje votash. Nuk ke faj ti që humba Rrogozhinën, mbaj përgjegjësi vetë dhe duhet të jetë përgjegjësi edhe e deputetëve që ishin. U kërkoj llogari deputetëve. Nuk vihet në fushatë për foto. Nuk keni faj ju pse humba unë. Kam faj unë dhe ata deputetë që ishin. Janë dhënë lekë. Unë kaq kisha mundësi. Ata që të kërkojnë llogari ty, t’i kërkojnë llogari vetes.

Fran Frrokaj, nënkryetar i Lezhës: Falënderoj 6 kandidatët. Nga 6 bashki, 5 kanë qenë të majta. Nuk ka ndodhur që në zgjedhje të pjesshme të fitojë opozita. Mos të shkojnë deputetët me “Versace”, por të shkojnë për të punuar. Duhet të kthjellohemi e të gjykojmë.

Mark Ruçi, Mirditë: Duhet një strategji që të dimë si të ecim nesër në zgjedhje. Makineria e pushtetit vijon vijën e partisë së pushtetit të parë (komunizmit). Duhet të konsultohemi me njerëzit që të marrim përgjegjësi. Duhet të qetësohemi e të logjikojmë. Falënderoj kandidatët që përballuan një garë të parabartë.

Fran Frrokaj: Të gjithë harrojnë se Berisha është “non grata” dhe sulmojnë PD-në. Ne nuk jemi për kryetarin dhe as atë që do të vijë nesër, por jemi për PD-në. Vendimi i fundit që duhet të mendosh dorëheqjen kryetar. Duhet ta harrosh dorëheqjen. Në 2013- ën nuk ke humbur ti, por Sali Berisha, me 1 milion vota kundër. Kishte krejt shtetin, por humbi me 1 milion vota kundër.

Behar Haxhia, kryetar dega Kurbin: Falënderoj kandidatët që e morën përsipër këtë përballje. Ku fitohet përballë këtij pushteti?! Nuk e mendoj dorëheqjen time dhe as ti s’duhet të mendosh dorëheqjen.

Xhemal Bushati: Unë e kam filluar fushatën për qytetarët, si një fushatë për qeverinë vendore. Në Shkodër kishim qeverinë, administratën, PSD e foltore. Kishim bashkinë, LSI, presionin e Bashkisë ndaj qytetarëve më shumë se askush. Ju kërkoj me modestinë time, ashtu siç ishim në gjithë Shkodrën, ta shëtisnin krejt Shqipërinë. U kam bërë thirrje demokratëve të bashkohemi, nuk duhet të ndahemi. Kryetarja e bashkisë bënte presion për vota. Duhet t’u japim shpresë njerëzve. Ngrijë zërin kryetar. Kërkoju llogari.

Arjan Lika, kryetar dega Mat: Të gjithë armiqtë duke na gjuajtur ne, ndërsa ne duke gjuajtur njëri-tjetrin. “Trekëndëshi i Bermudës” e caktoi vetë kush del i pari e kush i fundit. Kandidatët të mos mërziten fare, bravo u qoftë që e morën përsipër këtë përballje. Deputetët dhe drejtuesit të venë më pranë njerëzve. Nuk duhet gjuajtur me gurë të parin e shtëpisë tonë. Ja e hoqëm, vjen një i ri. Si do ta zgjidhë problemin me Sali Berishën. Ai (Berisha) nuk e zgjidh dot problemin me Amerikën. Ju bëj thirrje ta mbështesim Lulzim Bashën. Me 9 shtator mori një vendim për të mirën e kësaj shtëpie. Duhet të punojmë, reflektojmë. Nuk është situatë e mirë, por duhet të vazhdojmë fort përpara.

Ymer Marku, kandidati i PD në Vorë: Në Vorë ka lëvizje të frikshme të parave, lëvizje të frikshme të bandave. Të gjithë e dinë që votat u blenë, jo se bënë punë. Kjo është arsyeja e asaj që ndodhi. Këta po i shumëfishojnë paratë.

Pëllumb Seferi, kryetar dega 8: Në Vorë pashë bashkëpunimin Berisha-RamaMeta dhe bandat. Njerëzit ishin të frikësuar. Ishte gjithçka e mbyllur. Njerëzit kërcënoheshin nëse ishin votues të PD-së. Përçarja e PD-së i jepte fitoren PS-së dhe këtë bënë.

Anton Kokaj, kryetar dega Malësi e Madhe: Duhet të dalim te njerëzit. Kemi kohë me reflektuar, edhe me e drejtuar gishtin te ju zoti Basha. Por duhet të gjykojmë me qetësi. Kishim dy palë që donin me na hëngër: PS e Foltorja. Foltorja ka bashkëpunuar me PSnë në Shkodër në çdo qendër votimi me përllogaritje. Kandidatët tanë kanë vlerë.

Sabah Sheta, kryetari dega Krujë: Duhet të qëndrojmë. Shoh të gjithë këta burra e gra të përkushtuar. Nuk na duhen ata të “selfie”- ve e “Facebook”-ut, të na hiqen sysh! Na duhen njerëz të përkushtuar të ecim para.

Agron Kapllanaj, kryetar i PD Fier: Sali Berisha në këto zgjedhje ia arriti qëllimit, e kishte jeta a vdekje. Lekët nuk i mbaronin. Me sa duket, “duart e piastra” paskan bërë punën e vet. Duhet të marrim masa për të ndalur shitblerjen e votës, kemi Komisionin për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, të bëjmë ndryshime për të ndaluar këto fenomene. Nëse nuk e ndalojmë, nuk do të ketë ndryshim, sepse nuk po i mbarojnë lekët Berishës. Imagjino Edi Ramës. Lekët e Berishës e të Ramës nuk mbarojnë kurrë. Po rritet çmimi i votës. Foltorja bleu vota e komisionerë. Kanë lëvizur foristrada me lekë.

Flamur Hoxha: Dua të falënderoj kandidatët që morën këtë sfidë. Hynë në një garë, sakrifikuan shumë. Fjala deputet para jush nuk flet. Kryetar, nëse ka dikush që duhet të ngrejë zërin, jeni ju dhe kryetarët e degëve. Nëse vendosim këtë standard, nisim rrugën e riorganizimit. Strukturë, rinia e ardhmja. Duhen rinuar strukturat. Duhet që kryetarët e degëve të pyeten për gjithçka në degët e tyre. Kryetarët e degëve duhet të pyetën e të marrin përgjegjësi për listat e kandidatëve që zgjedhin për deputetë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura