Protesta e studentëve, të ndarë mes mësimit e bojkotit. Çfarë pritet sot

Jan 9, 2019 | 9:23
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Të rinjtë e universiteteve janë të ndarë midis auditorëve e rrugës së protestës. Të luhatur në vendimin e tyre për të rezistuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave dhe sezonit të afërt të provimeve nga ana tjetër, disa prej tyre i janë rikthyer mësimit normal, ndonëse të paktë në numër.

protesta

Të tjerë kanë zgjedhur të protestojnë në formën e tyre duke bojkotuar mësimin, ndërsa një numër i ulët, me firo të dukshme nga një ditë më parë, kanë zgjedhur sheshin para Kryeministrisë.

Marshim

Protesta e sotme do të ndryshojë trajektore. Nuk do të ketë më vetëm një vendqëndrim, por të gjitha institucionet përgjegjëse që kanë hartuar e kaluar ligjin e arsimit të lartë. Si çdo ditë, studentët do të mblidhen në 08:30 pranë fakulteteve, duke protestuar përreth një orë.

Ndonëse lëvizja studentore i kushtoi shumë Ministrisë së Arsimit, me largimin e drejtueses Lindita Nikolla, kjo godinë do të mbledhë sërish për një orë e gjysmë studentët protestues, për të marshuar një orë më vonë, në 11:30 drejt Kryeministrisë e më pas drejt Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidencës.

Por nuk mbaron me kaq itinerari i të rinjve. Ata do të kthejnë sytë sërish nga ambasadat, por ndryshe nga dje, përveç ndalesës te përfaqësia diplomatike e SHBA-ve, ata do të drejtohen në 13:00 edhe në atë të Bashkimit Europian.

Pavarësisht vendimeve të dala nga Këshilli i Ministrave në prag fundviti, të cilësuara edhe si “pakt me studentët”, këta të fundit kanë paralajmëruar se nuk do të bëjnë kompromis me kërkesat e tyre. Numri i tyre tashmë ka shkuar në nëntë, përfshirë dhe shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë.

Protesta dje 

Ashtu siç edhe u lajmërua, revolta e një dite më parë pati surpriza. Të rinjtë zhvendosën protestën drejt Presidencës, Rektoratit e më pas ambasadës amerikane, ku qëndruan vetëm pak minuta në formë simbolike duke kërkuar hapur mbështetje.

“Pasi shteti nuk po na jep zgjidhje, kërkojmë ndihmën e shtetit më të fuqishëm, aleatit më të madh të shqiptarëve. Kush më shumë se ambasada amerikane mund t’i tërheqë veshin atij që tallet me studentët, të ardhmen e kombit”, thotë një student i Fakultetit të Histori-Filologjisë, ndërsa një mjek i ardhshëm kërkon nga diplomacitë e huaja mbrojtje. “I kërkojmë ambasadës të monitorojë protestën, pasi kanë filluar të na bëhen kërcënime. Të gjithë këta studentë duhet të jenë të sigurt edhe pas protestës”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura