Pranimet në universitete, si të bëni zgjedhjen e duhur me pikët që keni. Ja kur del lista zyrtare e fituesve

Aug 29, 2019 | 9:44
SHPËRNDAJE

Shumë maturantë, edhe pse me mesatare të lartë, mund të mos fitojnë asnjë degë në fazën e parë.

Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj

Kjo, për shkak se gjithnjë ka të tjerë të rinj, më të mirë se ata, që kanë fituar deri në dhjetë programe studimi, duke “marrë peng” secili nga dhjetë vende. Gjithçka do të shkojë në vendin e duhur pas ditës së parë të regjistrimeve, datës 2 shtator, kur ekselentët, që e kanë të qartë synimin, pasi bëjnë zgjedhjen e tyre, në një degë të preferuar, lirojnë nëntë të tjerat.

Kjo nënkupton zbritje të vizës së kuqe që ndan fituesit nga humbësit e që do të thotë më pak shqetësim nga ana e maturantëve që, edhe pse mund të kenë mesatare mbi 9, nuk kapin asnjë degë ku aplikuan me Formularin A2. Me të marrë të dhënat, disa universitete publike e private kanë nisur publikimin e listave të para të fituesve, ndërsa të dielën ato zbardhen zyrtarisht dhe ngarkohen në portalin u-albania, që do të monitorojë online gjithë ecurinë e regjistrimeve të kandidatëve.

Universiteti-Filologjiku

“Universitetet publike dhe private po shkarkojnë të dhënat nga portali u-albania për të gjithë ata maturantë që kanë aplikuar në preferenca të ndryshme. Ato do kenë kohë deri ditën e premte për të kalkuluar pikët e çdo maturanti. Të dhënat do të jenë publike ditën e diel në portal, ndërsa të hënën nis procesi i regjistrimit. Një maturant që është fitues, por e ka me dyshim regjistrimin në atë degë, ndërkohë që në një tjetër i ka dalë ngjyra e verdhë, do të duhet të presë etapën tjetër 48-orëshe për t’u regjistruar”, sqaron Arjan Xhelaj, drejtor i Rrjetit Akademik Shqiptar.

REGJISTRIMET

Në datat 2-15 shtator, të gjithë të rinjtë që kanë gjetur veten në listat e fituesve, mund të kryejnë procesin e regjistrimit me dokumentacion në sekretaritë mësimore. Ashtu si vitin e kaluar, kjo periudhë është e ndarë në 7 faza 48-orëshe, ku pas çdo faze, viza e kuqe zbret pas vendeve bosh që krijohen me refuzimin e atyre që rezultojnë fitues, por zgjedhin të regjistrohen në një tjetër degë.

Në rastin kur maturanti shpallet fitues, duhet të paraqitet brenda dyditëshit të ardhshëm në sekretarinë mësimore bashkë me dokumentet në tabelën përbri shkrimit. Nëse nuk e bën këtë, brenda afatit, dega e fituar e tij, quhet e lirë dhe zihet nga dikush tjetër poshtë vizës së kuqe. Me pak fjalë, ai nuk mund ta ruajë një degë, ndërkohë që kërkon të fitojë një tjetër më të preferuar brenda raundit të parë.

E vetmja mundësi për ata që nguten në zgjedhje të gabuar, është mundësia e çregjistrimit në përfundim të çdo raundi. Kjo i jep mundësinë të garojë për kuotat e mbetura bosh në raundin pasardhës. Gjithçka nis nga fillimi, duke plotësuar sërish formular aplikimi A3, ku mund të konkurrohet për një degë më të mirë ose për të rifituar degën e raundit të mëparshëm. Në këtë pikë duhet pasur kujdes, duke vlerësuar mundësinë e pranimeve në atë degë, pasi kuotat mund të jenë ezauruar.

KUR PËRFUNDON LISTA

Udhëzimi i ministrisë i jep zgjidhje situatës kur përfundon lista e fituesve me zhvendosjen e vizës së kuqe në një kohë që ka ende kuota të paplotësuara. Gjithçka nis nga fillimi. Kështu, nëse një kandidat nuk rezulton fitues në degën më të preferuar e ndërkohë ka humbur edhe mundësinë për t’u shpallur fitues në një tjetër, rikthimi i listës nga fillimi ua jep shansin të kthehen në garë.

“Në rast se pas çdo faze konstatohen kuota të paplotësuara, zhvendoset vija e kuqe dhe shpallen fitues të rinj të asaj faze. Për programet e studimit me kuota të paplotësuara, të cilat nuk kanë aplikantë në pritje, do të rikthehen në garë aplikantët e shpallur fitues në fazat paraardhëse, të cilët nuk rezultojnë të regjistruar në programe të tjera studimi. Rikthimi në garë kryhet sipas listës së renditjes së aplikantëve për raundin e parë”, thuhet në udhëzimin për regjistrimet në IAL. Ata që nuk gjejnë vend në universitet në dy raundet e para, aplikojnë me Formularin A4, për ato pak kuota të mbetura ende bosh.

Preferencat e maturantëve, shkencat ekonomike kryesojnë listën

Shkencat ekonomike, mjekësore dhe teknologjia e informacionit janë në top-listën e degëve të preferuara nga maturantët. Ndryshe nga vitet e kaluara ku gara bëhej midis ekonomisë dhe drejtësisë, futja e teknologjisë ka ndryshuar edhe drejtimet që të rinjtë duan të marrin në jetë. Një gjë mbetet e palëvizur: dëshira e maturantëve për t’u orientuar në profesione që kërkon tregu i punës. Ekonomia është një prej tyre. Vetëm në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës janë mbledhur këtë vit mbi 21 mijë aplikime, afro 1200 më tepër se në 2018-ën. Kjo, përpos numrit në zbritje të maturantëve që aplikuan, krahasuar me një vit më përpara. Vitin e kaluar, Biznes Administrimi dhe Ligji renditeshin ndër degët më të pëlqyera nga të rinjtë shqiptarë, duke njohur edhe numrin më të lartë të të diplomuarve, me 28.4%, të ndjekura nga degët e Shëndetit dhe Mirëqenies me 14% dhe Shkencat Sociale e Informacion me diçka më tepër se 10% të të diplomuarve. Sakaq, degët e mësuesisë, për të cilat “laku” shtrëngohet vit pas viti, nuk janë në treshen e parë të preferencave të studentëve të ardhshëm.

DOKUMENTET PËR REGJISTRIM

Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja;

Fotokopjen e noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore ose të dëftesës së pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave ose të një dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njehsuar në QSHA;

Deklaratën, e cila plotësohet nga aplikanti në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore të IAL-së dhe që nënshkruhet nga aplikanti dhe nga punonjësja e sekretarisë. Sekretaritë mësimore mbajnë regjistër të veçantë për dorëzimin e dokumentacionit, datën dhe orën e dorëzimit, si dhe nënshkrimin e aplikantëve të regjistruar. Pas nënshkrimit në regjistër, nga ana e sekretarisë mësimore, në prani të aplikantit, kryhet regjistrimi online në portalin U2-Albania.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura