Polonia e gatshme të vendosë të gjithë avionët luftarakë në dispozicion të Ukrainës, vjen reagimi i fortë nga Moska: Skenar i rrezikshëm

Mar 9, 2022 | 13:03
SHPËRNDAJE

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e ka përshkruar si të padëshirueshëm dhe potencialisht të rrezikshëm skenarin e përdorimit të mundshëm të hapësirave ajrore në vende të tjera për të mbështetur Ukrainën.

Zedhenesi i Kremlinit
Zedhenesi i Kremlinit

Gazetarët i kërkuan Peskovit një koment në konferencën për media të mërkurën mbi planet e Polonisë për t’i dhënë Ukrainës avionë MiG.

“Ministria e Mbrojtjes ka komentuar tashmë mundësinë e përdorimit të ndonjë aeroporti tjetër për ngritjen e avionëve ushtarakë. Ky është një skenar jashtëzakonisht i padëshirueshëm dhe potencialisht i rrezikshëm,” tha ai.

Polonia tha të martën se është e gatshme të dislokojë të gjithë avionët e saj reaktivë të tipit MIG-29 në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani, si dhe t’i vendosë ato në dispozicionin e Shteteve të Bashkuara.

Ministria e Jashtme polake madje i bëri thirrje vendet të tjera të NATO-s që kanë avionë të tillë që të veprojnë në të njëjtën mënyrë.

Ligjvënësit amerikanë i kërkuan të hënën administratës së Presidentit Joe Biden që të ndihmojë për transferimin drejt Ukrainës të avionëve luftarakë të Polonisë dhe të vendeve të tjera të NATO-s dhe të Evropës Lindore. Kjo kërkesë pasoi një thirrje të bërë nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski.

“Autoritetet e Republikës së Polonisë… janë të gatshme të dërgojnë menjëherë dhe falas të gjithë avionët reaktivë MIG-29 në bazën ajrore Ramstein dhe t’i vendosin ato në dispozicion të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ministria polake.

Pilotët ushtarakë ukrainas përdorin avionë MiG-29, dhe zyrtarët e lartë ukrainas u kanë kërkuar vende të tjera që kanë avionë të tillë t’i transferojnë në Ukrainë, ku mund të futen në përdorim pa patur nevojë për trajnim shtesë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura