Skandali me të dhënat e pandemisë, Basha tregon dokumentin: U fshehën mbi 600 të vdekur nga COVID

Nov 19, 2020 | 23:03
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike publikoi dje dokumente, sipas të cilit, qeveria ka fshehur rastet e vdekjeve nga Covid-i në Shqipëri

basha 3

Sipas disa të dhënave të mbërritura në PD, sipas kreut të opozitës, rastet e vdekjeve të vërtetuara me Covid-19 në morgun e QSUT-së kanë qenë me qindra më shumë se sa ato që janë raportuar. Sipas shifrave të publikuara në mënyrë zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë për vdekjet nga Covid-19 nga marsi deri në tetor, janë 509 humbje jete, ndërsa sipas rasteve të vërtetuara në morgun e QSUT-së, janë 414 raste më shumë të vdekurish me Sars Cov 2, duke e çuar në 923. Ndërsa për muajin nëntor deri më datë 17, sipas informacionit të shpërndarë zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë, kanë vdekur nga virusi 128 persona, ndërsa sipas rasteve të verifikuara nga morgu i QSUT-së, janë 187 raste më shumë të vdekurish, pra 315. Madje në këto të dhëna, sipas kryedemokratit Basha, nuk janë përfshirë rastet kur të sëmurët mund të kenë ndërruar jetë në shtëpi apo në spitale të tjera jo-COVID. Pasi në të tilla raste, tha kryedemokrati Basha gjatë intervistës, trupat nuk çohen në morg. Për të vërtetuar këtë denoncim, kreu i selisë blu, që akuzoi Kryeministrin Rama se ka bërë politikë me vdekjet, i bëri thirrje Prokurorisë që të niste menjëherë hetimin dhe të mos lejonte shkatërrimin e provave.

dok
Dokumenti i publikuar nga Basha

Lulzim Basha: Për fat të keq, Edi Rama, Kryeministri i qeverisë akoma në detyrë, ka bërë politikë me vdekjen, duke fshehur shifrat reale të vdekjes.

Blendi Fevziu: Ç’domethënë kjo?

Lulzim Basha: Po ju tregoj një dokument i cili tregon vdekjet e raportuara dhe vdekjet e vërtetuara në morg – informacion i ardhur drejtpërdrejt nga institucionet shëndetësore, informacion i mbërritur te ne…

Blendi Fevziu: Basha, më fal, vdekjet në morg janë nga COVID-i?

Lulzim Basha: Nga COVID-i.

Blendi Fevziu: Kush e vërteton këtë?

Lulzim Basha: Pra, edhe njëherë, ka ardhur një denoncim, i cili është verifikuar sot siç ju thashë, dhe keni shifrën e vdekjeve të raportuara zyrtarisht deri në fund të tetorit dhe keni vdekjet e vërtetuara si vdekje nga COVID-i në morgun e Tiranës. Këto janë vetëm…

Blendi Fevziu: Ju po thoni që këto që ju kanë sjellë juve janë të vërtetat dhe këto janë zyrtaret.

Lulzim Basha: Po. Unë po them që jo vetëm kaq, por vdekjet e vërtetuara janë vetëm të pacientëve në spitalet COVID, jo të atyre që kanë vdekur në shtëpi dhe për këtë ne disponojmë edhe listën me emrat e viktimave ditë për ditë, unë e kam këtu natyrisht…

Blendi Fevziu: Si listën me emrat e viktimave?

Lulzim Basha: Listën e të vdekurve.

Blendi Fevziu: Tani vetëm një sekondë se kjo nuk është gjë e vogël. Kjo e para njëherë ka një standard se si përcaktohet viktima e COVID-it, duhet të jetë më tampon pozitiv dhe duhet të ketë ndërruar jetën në rrethanat e të qenit i infektuar, në kushte spitalore ose shtëpiake mbas daljes nga spitali, nuk ka rëndësi, por duhet të jetë i infektuar me COVID, e para. E dyta, ka INSTAT-i një rritje të vdekjeve që ia ka raportuar shtetit shqiptar që tregon që… apo jo dhe kemi diskutuar, por prapë nuk mund të thotë askush që rritja e këtyre vdekjeve ka ardhur detyrimisht nga COVID-i. Si e vërtetuat? Se ju nuk i keni bërë tamponë të vdekurve. Si e keni vërtetuar ju që këta janë të vdekur nga COVID-I? Po të shohësh INSTAT-in, se e bërë emision të martën, për këtë çështje ka një rritje prej 25% të vdekjeve në 6-mujor në Shqipëri. Është kështu apo jo?

Baton Haxhiu: Domethënë, kjo data 17?

Lulzim Basha: Jo, ky është nëntori. Nëntori, është raportuar 128 numri i vdekjeve të vërtetuara në morg me diagnozën “COVID” sipas denoncimit të ardhur drejtpërdrejt.

Blendi Fevziu: Sipas denoncimit apo sipas morgut janë COVID?

Lulzim Basha: Denoncimi ka këtu dokumentet e morgut. Po t’i afrosh, vetëm se këtu janë dhe emrat.

Blendi Fevziu: Po këto janë letra pa asnjë kokë, pa asnjë vulë, pa asnjë identifikim zyrtar.

Lulzim Basha: Këto janë listat zyrtare të morgut të QSUTsë dhe unë po i bëj një thirrje Prokurorisë nga kjo studio, në këtë moment. Për fat të keq punët që normalisht do të bënte dhe lejohet t’i bëjë media, pengohet, dhe media e ka pasur të pamundur të bëjë këtë dhe njerëzit që punojnë aty kanë qenë në presion. Ka njerëz kurajozë të cilët e kanë parë që situata është jashtë kontrollit, në një moment të caktuar kane sjellë informacionin që dhe vetë ju e thatë që qeveria ka bërë politikë me vdekjen, ka fshehur numrin e viktimave dhe kjo tani është e vërtetuar nga një listë me emra dhe mbiemra të të gjithë personave që kanë ndërruar jetë për shkak të COVIDit.

Blendi Fevziu: Një pyetje kam Basha: në qoftë se ato janë dokumente zyrtare dhe Prokuroria do të bëjë hetim, jeni i gatshëm ju i pari, se denoncimin po e bëni ju, të dilni dhe të dëshmoni para Prokurorisë?

Lulzim Basha: Jo vetëm kaq, por unë i bëj thirrje Prokurorisë të shkojë këtë moment në morg dhe të marrë evidencat e plota. Nuk ka nevojë fare të vijë këtu, por edhe po të vijë këtu, mirë është. Të shkojë tani në morg edhe të marrë evidencat e plota që na kanë ardhur neve dhe të vërtetojë këtë që po them, që është bërë politikë me vdekjen, është fshehur numri i viktimave që kanë ndërruar jetë për shkak të COVID-it. Që ky është një fakt, ne e kemi bërë edhe subjekt bisedash, sepse për fat të keq kanë ndërruar jetë njerëz që ne i kemi njohur dhe nuk janë raportuar as atë ditë, as ditën tjetër.

MASAKRA E KRUSHËS

Gjatë intervistës, kreu i PD-së foli edhe për akuzat që janë adresuar në drejtim të tij javën e fundit se ka marrë pjesë në procesin e hetimit të UÇK-së kur ka qenë me detyrë në UNMIK. Kreu i selisë blu tha se ai ka marrë pjesë vetëm në procesin e hetimit të Millosheviçit dhe se UNMIK-u nuk lejonte kurrë që një shqiptar të merrte pjesë në procesin e hetimit për shqiptarët, pasi konsiderohej në konflikt interesi. Po kështu, Basha tha se nuk ka pasur akses në asnjë prej dosjeve të shqiptarëve.

Lulzim Basha: Çdokush që ka njohuritë minimale se si funksionon Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe komponenti i drejtësisë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara e di që aksesi në dosjet hetimore është i prokurorëve dhe i ndihmësve ligjorë i prokurorëve. Nuk mundet askush tjetër të thotë m’i sill mua dosjet t’i shoh unë dosjet dhe kështu funksionon. Prandaj është e qartë si drita e diellit për këdo që e njeh sadopak UNMIK-un që Lulzim Basha kurrë edhe po të dëshironte, nuk mund të kishte akses në asnjë faqe të vetme të asnjë hetimi të vetëm ndaj çdo shqiptari, ndaj çdo luftëtari apo ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Baton Haxhiu: Kur u palu dosja e besoj këtë.

Lulzim Basha: As kur u palua dhe as kur nuk u palua dhe as kur filloi dhe as kur mbaroi. Sepse shqiptarët konsideroheshin në konflikt interesi me të drejtë, Baton Haxhiu, dhe ti këtë e di fare mirë. Kështu që këtu t’i japim fund kësaj shpifjeje, është shpifje e pastër, ndërsa për pikën e parë që the, të jap të drejtë. Shiko në politikë, veçanërisht në politikë në Shqipëri, që po transmetohet me shpejtësi dhe në Kosovë, duhet të fillosh të ndërtosh një lëkurë të trashë.

PËRFITUESIT

I gjendur për herë të katërt nën akuza nga politika shqiptare, sipas Bashës, sa herë që ka zgjedhje, kreu i PD-së shtoi se akuzat e ngritura ndaj tij se ka fshehur kasetën e masakrës së Krushës, se ka arrestuar një komandant të UÇK-së nuk e dëmtojnë atë, pasi është e vërtetuar nga ishfunksionarë të lartë të UNMIK-ut që detyra e tij s’ka qenë e lidhur në asnjë moment me hetimin e UÇK-së dhe s’është marrë asnjëherë me procesin për shqiptarët. Por Basha akuzoi Kryeministrin Rama se ka orkestruar akuza të tilla për të devijuar vëmendjen nga denoncimet e tij për inceneratorët. “Për mua ka tre faktorë që fshihen dhe pastaj mund t’i marrim një nga një. E para, kush përfiton nga kjo? Përfitojnë ata që heqin vëmendjen nga një problematikë që është rënduar e që ekziston sot në vend, që është pandemia dhe kriza ekonomike. E dyta, përfitojnë ata të cilët e kanë treguar veten e tyre përmes një aleance financiare me një nga dy televizionet e mëdha kombëtare. Për tri javë me radhë, subjekti i denoncimeve të opozitës që janë pronarët e inceneratorëve dhe ortakët e tyre për një arsye të thjeshtë, pastaj mund ta diskutojmë në detaje, sepse një prokuror i vetëm tri pyetje po t’u bëjë atyre, atëherë do të kemi të bëjmë me një megaproces si në Siçili, ku do të përfshihen politikanët më të mëdhenj të vendit dhe anëtarë të krimit të organizuar, që kanë përfituar në kohë pandemie mbi 75 milionë euro në kurriz të shqiptarëve”, tha Basha gjatë intervistës. Ndërkohë, ai premtoi se do të anulojë të gjithë koncesionet korruptive përmes ligjit antimafja, që sipas tij, do të ketë efekt prapaveprues dhe në filtrin e antimajfjas do të kalojnë koncesionet e dhëna nga PD-ja dhe PS-ja.

LEXO EDHE:

“923 humbje jete deri në fund të tetorit”- Denoncimi i Bashës: Qeveria fshehu numrin e viktimave të COVID-19. Prokuoria të shkojë në morg dhe të nisë hetimet

denoncim nentor 1

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura